Që 15 vjet, familja Hajdaraj në Gjakovë është bërë shtëpi e dhjetëra fëmijëve që janë braktisur nga familjet e tyre biologjike.
Dashurinë familjare e kanë marrë nga Shkurte Hajdaraj, e cila një ditë të vitit 2009 vendosi të bëhej nënë strehuese.
“Kur kam mësuar për këta fëmijë të braktisur, jam ndier shumë keq. Menjëherë kam biseduar me familjen time, kam marrë mbështetjen e tyre dhe, që atëherë, gjithmonë kemi strehuar fëmijë e jemi përkujdesur për ta”, thotë Hajdaraj për Radion Evropa e Lirë.
Ajo thotë se gjithmonë krijon një lidhje të ngushtë emocionale me fëmijët që strehon.
“Ata kur vijnë në familjet tona, bëhen sikur fëmijët tanë. Por, nuk i kemi mundësitë të bëjmë krejt çka duam për ta. Me aq sa marrim, nuk mund t’ia dalim. Por, më ndihmon burri me pagën që merr nga puna”, shton Hajdaraj.
Fëmijët pa përkujdesje prindërore marrin nga 350 euro në muaj nga shteti i Kosovës, ndërsa mbështetje financiare për familjet strehuese mund të ofrojnë komunat.
Më parë, një nënë strehuese nga Prizreni kishte treguar se Komuna e ndihmon atë me 250 euro në muaj.
Por, edhe këto shuma, të cilat nga organizatat joqeveritare cilësohen si të pamjaftueshme, janë në rrezik.
“Shërbimet sociale për fëmijë po mbyllen dhe ky duhet të jenë një alarm për komunat, Qeverinë dhe për Kuvendin e Kosovës. Ofruesit e shërbimeve sociale janë në gjendjen më të rëndë në vitin 2024”, tha drejtoresha ekzekutive e Koalicionit të OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF), Donjetë Kelmendi.
Në një protestë të organizuar në sheshin “Skëndërbeu” në Prishtinë, Kelmendi tregoi se si në fund të vitit 2023 kanë përfunduar disa projekte të donatorëve ndërkombëtarë dhe ofruesit e shërbimeve sociale kanë mbetur pa fonde të mjaftueshme.
Ajo tha se disa shërbime sociale për fëmijë janë mbyllur plotësisht, disa kanë ulur numrin e përfituesve, ndërsa disa i kanë kufizuar shërbimet. Nga kjo situatë, tha Kelmendi, preken kategori të ndryshme të fëmijëve: viktima të dhunës, abuzimit e trafikimit, me aftësi të kufizuara, të braktisur, që kanë probleme me ligjin, etj.
“Nëse vazhdon kjo situatë edhe në muajt në vijim, do të ketë mbyllje të tjera të shërbimeve, që mund të çojë në një kolaps në fushën e mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve”, paralajmëroi Kelmendi.
Komunat kanë qenë përgjegjëse për financimin e Qendrave për Punë Sociale që nga viti 2009, pasi që është decentralizimi i këtyre shërbimeve, për të cilat ishte përgjegjëse më parë Qeveria e Kosovës.
Grupi i OJQ-ve, që ishin pjesëmarrës në protestën e zhvilluar të enjten, më 30 maj, kërkoi që Qeveria të ndërhyjë në këtë situatë të cilën e cilësuan si “emergjente”.
Të njëjtën kërkesë e ka edhe Hajdaraj.
“Krejt çka bëjmë, e bëjmë për këta fëmijë. Ua kemi çel derën, familjen se janë të braktisur e të keqtrajtuar. Po të kemi mbështetje nga Komuna e nga Qeveria, edhe fëmijët do të ishin më mirë, do të mund t’i mbështesnim edhe më shumë”, thotë Hajdaraj.