Ndërlidhjet

Afrim Gashi zgjidhet kryetar i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut


Seanca konstituive e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut 28 maj 2024.
Seanca konstituive e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut 28 maj 2024.

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut, të martën, ka zgjedhur Afrim Gashin për kryetar të tij, ndërsa janë verifikuar edhe mandatet e deputetëve të dalë nga zgjedhjet parlamentare më 8 maj.

Afrim Gashi u zgjodh për kryeparlamentar me 76 vota ndërsa gjashtë ishin kundër.

Afrim Gashi (Fotografi nga arkivi)
Afrim Gashi (Fotografi nga arkivi)

Pas dhënies së betimit, Gashi tha se detyrën e kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut do ta kryejë me “përkushtim, në të mirë të vendit dhe të qytetarëve duke respektuar në maksimum të drejtën e lirisë së shprehjes të të zgjedhurve të popullit”.

Për kandidaturën e Gashit votuan deputetët e VMRO DPMNE-së, të koalicionit VLEN dhe lëvizjes ZNAM, ndërsa kundër ishin deputetët e partisë E Majta.

Debati është zhvilluar kryesisht mes deputetëve të VMRO DPMNE-së dhe të partisë E Majta e cila akuzoi VMRO-në për “tradhti” dhe “kosovarizimin” e institucionit ligjvënës.

Deputetët e Frontit Evropian që drejtohet nga Bashkimi Demokratik për Integrim nuk morën pjesë në as në aktin e votimit e as një debatin që ka zgjatur rreth katër orë.
Gashi deri të hënën ka qenë kryetar i partisë Alternativa, kur dha dorëheqje pas nominimit të tij për kryetar të Kuvendit.

Ai ishte deputet në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut në dy mandate 2016-2020 dhe 2020-2024.

Kush është Afrim Gashi?

Kryetari i zgjedhur i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, ka lindur në Shkup më 9 nëntor 1977.

Ka kryer Fakultetin Juridik në Universitetin e Tetovës në vitin 2007, ndërsa ndjek studimet pasuniversitare në Institutin e Studimeve Juridike, Sociologjike dhe Politike në Shkup.

Ai ka punuar si redaktor në Shtëpinë Botuese “Logos-A”, ndërsa në opinion është i njohur si publicist.

Nga viti 2014 është aktiv në politikë, ndërsa është një ndër themeluesit e Lëvizjes politike Besa.

Në zgjedhjet parlamentare në dhjetor të vitit 2016 për herë të parë u zgjodh deputet në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut.

Postin e deputetit e fitoi edhe në zgjedhjet parlamentare të vitit 2020.

Pas përplasjeve që ndodhën në lëvizjen Besa, Gashi në mars të vitit 2019 me disa bashkëpunëtorë të tij formoi partinë Alternativa.

Pas propozimit për kryetar të Kuvendit, më 27 maj 2024, Gashi dha dorëheqje nga drejtimi i kësaj partie, ndërsa në seancën e 28 majit, ai u zgjodh në kryetar i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut.

Afrim Gashi është një ndër drejtuesit e koalicionit të partive opozitare VLEN që në zgjedhjet e 8 majit fitoi 14 ulëse në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut.

Qëndrimet e partive para votimit të kryetarit të Kuvendit

Para votimit, partitë shprehën qëndrime të ndryshme lidhur me kandidaturën e Gashit për kryetar Kuvendi.

Rijad Shaqiri, deputet i koalicionit VLEN kërkoi që kandidatura e Gashit të mbështetet edhe nga partitë e Frontit Evropian, që udhëhiqet nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI).

“Për vetë faktin se bëhet fjalë për një kandidat shqiptar, ne, si Aleancë për Shqiptarët, asokohe kemi dhënë dëshmi se kemi mbështetur kandidaturën e zotit Talat Xhaferi për kryetar të Kuvendit, konsideroj se edhe ata e kanë për obligim moral që ta mbështesin Afrim Gashin”, ka deklaruar Shaqiri.

Partitë që përbëjnë Frontin Evropian të udhëhequr nga BDI-ja kanë thënë se shumica e re parlamentare mes VMRO DPMNE-së dhe koalicionit VLEN, nuk pasqyron realitetin etnik, pasi “përfaqësues legjitim i shqiptarëve është Fronti Evropian”.

Një nga deputetët e këtij koalicioni, Elmi Aziri, ka thënë se “shkelja e legjitimitetit të shqiptarëve do të shkaktojë krizë të thellë politike në Maqedoninë e Veriut”.

“Nëse ndodh ajo që po flitet në opinion se do të ketë koalicion në mes VMRO-së dhe VLEN-it, besoj se do të na shfaqet problemi i krizës së thellë të legjitimitetit dhe pastaj shtrohet pyetja se çka t’i bëjmë ne legjitimitetit që e kemi marrë prej qytetarëve. Andaj, vlerësoj se do të duhet t’i vlerësojmë mirë gjërat para se të marrim vendime”, ka thënë Aziri.

Por, nga koalicioni VLEN pretendojnë të kundërtën duke thënë se “në zgjedhjet e 8 majit VLEN ka marrë vota të pastra shqiptare për dallim nga Fronti Evropian që në përbërjen e tij ka edhe katër parti të entiteteve tjera në Maqedoninë e Veriut”.

Deputetët e rinj para nisjes së seancës konstituive.
Deputetët e rinj para nisjes së seancës konstituive.

"Të mos lejojmë që të 'kosovarizohet' sërish Kuvendi"

Kundër kandidaturës së Afrim Gashit ka dalë partia E Majta duke akuzuar VMRO DPMNE-në se po e “kosovarizon” Kuvendin e Maqedonisë së Veriut.

“Mickovski do të ketë mbështetje të plotë nëse nuk pranon që kryetari i ardhshëm i Kuvendit të jetë shqiptar. Mbështetja jonë do të jetë pa kushte, vetëm e vetëm të mos lejojë që të kosovarizohet sërish Kuvendi i Maqedonisë. Është antikushtuese që të flitet në Kuvend në gjuhë të huaj, aq më tepër seancat e Kuvendit të udhëhiqen në gjuhën shqipe”, ka thënë Dimitar Apasiev, kryetar i partisë E Majta.

Në përbërjen e re të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, VMRO-DPMNE ka siguruar 58 deputetë, Fronti Evropian që udhëhiqet nga BDI-ja ka 18 deputetë, aq sa edhe Lidhja Social Demokrate, ndërsa koalicioni VLEN 14 deputetë. Nga gjashtë deputetë kanë lëvizja ZNAM dhe partia E Majta.

Pas konstituimit të Kuvendit dhe zgjedhjes së kryeparlamentarit, në afat prej dhjetë ditëve presidentja e shtetit, Gordana Silanovska-Davkova pritet të dekretojë kreun e VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickovski si mandatar për formimin e Qeverisë së re.

Bazuar në paralajmërimet e VMRO DPMNE-së, Qeveria e re e Maqedonisë së Veriut pritet të zgjidhet më së voni deri më 20 qershor.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG