Ndërlidhjet

SHBA-ja, BE-ja dhe Britania thonë se “ndarja” në Bosnje është e pamundur


Flamuj të BE-së të vendosur në një rrugë në Sarajevë. 21 mars 2024.
Flamuj të BE-së të vendosur në një rrugë në Sarajevë. 21 mars 2024.

Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe Mbretëria e Bashkuar reaguan ashpër ndaj njoftimit të autoriteteve të Republikës Sërpska se ky entitet do t’i dërgojë një propozim për “ndarje paqësore” entitetit të Federatës së Bosnjë e Hercegovinës.

Nuk ka asnjë bazë ligjore, faktike apo racionale për thirrjet për “ndarje paqësore” të Bosnjë e Hercegovinës, njoftoi zyra e BE-së në Bosnjë e Hercegovinë, duke shtuar se thirrje të tilla nuk çojnë askund dhe krijojnë frika të papranueshme në mesin e qytetarëve.

Ambasada amerikane në Sarajevë tha se “ndarja” e Republikës Sërpska nuk nënkupton fundin e Bosnjë e Hercegovinës, por të Republikës Sërpska.

Ambasadori britanik, Julian Rielly, reagoi ngjashëm, duke shkruar në X – që më herët njihej si Twitter - se “nuk është e vërtetë që Republika Sërpska mund të shkëputet nga Bosnja dhe as që mund të ekzistojë jashtë shtetit”, por vetëm ekziston si një entitet brenda Bosnjë e Hercegovinës.

Më 23 maj, në ditën kur Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi rezolutën për gjenocidin në Srebrenicë, Qeveria e Republikës Sërpska tha se brenda 30 ditësh, do të shkruajë një propozim për marrëveshje, lidhur me ndarjen paqësore në Bosnjë e Hercegovinë.

“BE-ja, mes tjerash, dhe përmes EUROF-it, është e përkushtuar për sovranitetin, integritetin territorial, rendin kushtetues dhe subjektivitetin ndërkombëtar të Bosnjë e Hercegovinës, dhe për të ofruar një mjedis të sigurt”, tha zyra e BE-së në Bosnje.

Blloku evropian u bëri thirrje udhëheqësve të Bosnjë e Hercegovinës “që të fokusojnë përpjekjet e tyre për të krijuar një mjedis për pajtim dhe të kryejnë reformat e nevojshme për të arritur përparim në rrugën evropiane”.

Presidenti i Republikës Sërpska, Millorad Dodik, pas mbledhjes së Qeverisë në këtë entitet tha se do të kërkojë mbështetjen nga udhëheqja serbe për vendimin për ndarje.

Një përpjekje për ndarjen e Republikës Sërpska do të përbënte shkelje të Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit dhe të Kushtetutës së Bosnjë e Hercegovinës, në të cilën specifikohet statusi i të dy entiteteve.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG