Ndërlidhjet

Irani paralajmëron për mundësinë e nisjes së prodhimit të bombave bërthamore


Centrifugat në uzinën bërthamore të Natanzit në Iran. Fotografi nga arkivi.
Centrifugat në uzinën bërthamore të Natanzit në Iran. Fotografi nga arkivi.

Një zyrtar i lartë iranian paralajmëroi se Teherani mund të ndryshojë doktrinën e tij bërthamore dhe të nisë ndërtimin e bombave bërthamore, nëse kërcënohet ekzistenca e shtetit.

Kamal Kharrazi, kreu i Këshillit Strategjik iranian për Marrëdhënie të Jashtme dhe këshilltar i lartë i liderit suprem, Ajatollah Ali Khamenei, tha në një intervistë për Al-Jazeera në gjuhën arabe se Irani “ka kapacitet për të prodhuar bomba”, edhe pse shteti nuk ka ndërmarrë hapa konkretë për ndërtimin e bombave.

“Dy vjet më parë në një intervistë për Al-Jazeera, unë njoftova se Irani ka kapacitet të prodhojë bombë bërthamore. Edhe sot kemi këtë kapacitet, por ne nuk kemi qëllim që të prodhojmë bombë bërthamore. Megjithatë, nëse kërcënohet ekzistenca e Iranit, ne do të ndryshojmë doktrinën tonë bërthamore”, tha ai.

Deklaratat e Kharrazit u bën në kohën kur janë përshkallëzuar tensionet mes Iranit dhe Izraelit, përderisa komuniteti ndërkombëtar ka shprehur shqetësim lidhur me ambiciet bërthamore të Iranit. Republika Islamike vazhdimisht ka pretenduar se programi i saj bërthamor ka qëllime civile, pavarësisht se posedon aftësi teknike që ai të shndërrohet në program armësh.

Marrëveshja bërthamore e vitit 2015 hoqi sanksionet e Shteteve të Bashkuara ndaj Iranit, por më 2018 presidenti i atëhershëm amerikan, Donald Trump, u largua nga marrëveshja dhe që atëherë Uashingtoni ka rivendosur sanksionet ndaj Iranit që kanë ngufatur ekonominë e Republikës Islamike.

Përpjekjet për ringjalljen e marrëveshjes kanë dështuar dhe Teherani ka shkelur kushtet e marrëveshjes duke prodhuar uranium me nivel të lartë të pasurimit.

Në mars, Bloomberg News citoi një zyrtar të lartë të Departamentit amerikan të Mbrojtjes i cili tha se Irani është më pak se 12 ditë larg që të posedojë materialet e nevojshme për prodhimin e një bombe bërthamore.

Paralajmërimi për ndryshimin e doktrinës bërthamore pason incidentin e muajit të kaluar, kur Izraeli thuhet se shënjestroi një sistem radarësh në një bazë afër qytetit iranian, Isfahan.

Sulmi pasoi incidentin e 13 prillit, kur Irani iu kundërpërgjigj një sulmi izraelit në Konsullatën në Damask, që mori jetën e shtatë zyrtarëve të lartë të Forcave Kuds të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit. Irani lëshoi qindra dronë, raketa balistike dhe raketa lundruese drejt Izraelit, edhe pse pothuajse të gjitha dështuan që të qëllonin caqe brenda Izraelit.

Pasi Khameni lëshoi një fatva – vendim fetar – kundër armëve bërthamore më 2005, zyrtarët kanë insistuar se programi bërthamor i Teheranit në mënyrë rigoroze ishte për qëllime civile. Por, viteve të fundit retorika ka ndryshuar.

Gjatë intervistës, Kharrazi po ashtu ka paralajmëruar kundër sulmeve ndaj ndërtesave bërthamore të Iranit.

“Nëse ata duan të sulmojnë kapacitetet bërthamore të Iranit, kjo do të çonte në ndryshimin e doktrinës bërthamore të Iranit”, tha ai.

Kreu i Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore, Rafael Grossi, më herët gjatë këtij muaji paralajmëroi se Irani është vetëm disa javë larg posedimit të uraniumit të pasuruar, mjaftueshëm për të prodhuar bombë bërthamore. Ai kritikoi Teheranin për mosbashkëpunim të duhur me agjencinë dhe i kërkoi Teheranit të ndryshojë politikën bërthamore.

Kharrazi po ashtu la të kuptohet se ka mundësi që Teherani të tërhiqet nga Traktati për Mospërhapje Bërthamore dhe potencialisht të lëvizë drejt zhvillimit të armëve bërthamore. Edhe në të kaluarën, Irani ka paralajmëruar se do të largohet nga ky traktat, nëse regjimi do të ndihej i kërcënuar.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG