Qytetarët e Maqedonisë së Veriut, të cilët kanë dalë për të votuar për zgjedhjet parlamentare dhe ato presidenciale i thanë Radios Evropa e Lirë (REL) se shpresojnë që Qeveria që do të dalë nga këto zgjedhje, të krijojë mundësi që të rinjtë të ardhmen e tyre ta ndërtojnë në vend dhe jo, siç u shprehën, sytë dhe mendjen ta kenë kah vendet evropiane.
Lufta kundër korrupsionit dhe krijimi i një administrate që do të jetë në shërbim të qytetarëve gjithashtu është në fokus të interesave të tyre.
Dilaver Emini tha për REL-in se të rinjtë e Maqedonisë së Veriut kanë dëshmuar që kanë potencial, pasi në vendet evropiane ata arrijnë të korrin suksese në çdo punë që bëjnë.
Ai tha se ka dalë për të votuar pasi shpreson që udhëheqësit politikë që dalin fitues në këto zgjedhje do të angazhohen për politika që u japin shans të rinjve për të kontribuar me potencialin e tyre në vend.
“Nga këto zgjedhje presim që këta fëmijë të mrekullueshëm që i kemi, këtë rini të mrekullueshme që e kemi, ta bëjmë të jetë profesioniste në profesionin që zgjedh. Nëse ai është i sigurt në profesionin e vet ai atëherë është i pavarur dhe nuk ka frikë nga askush. Rinia duhet menaxhuar nga ata që kanë vizion”, u shpreh Emini duke shtuar se sot është ditë feste dhe ka votuar për zgjedhjet presidenciale dhe ato parlamentare pasi konsideron se përmes bojkotit nuk arrihet asgjë.
Nga ana tjetër, Nevrije Misini tha se nuk ka shumë pritje nga këto.
“Kam dalë të votoj që të mos ma marrë dikush votën... ta keqpërdorë”, tha Misini.
Një tjetër qytetar, Besim Bakia, tha se sot ka votuar vetëm për zgjedhjet parlamentare pasi. Siç u shpreh, nuk ka kandidat shqiptar dhe s’ka pse të votojë për zgjedhjet presidenciale:
“Për mua si shqiptar, pasi nuk ka kandidat shqiptar, pse duhet të votoj?! Votova për zgjedhjet parlamentare. Pres që procesi zgjedhor të kalojë pa incidente dhe kush është më i miri, ai le të fitojë”.
LubicaTodorovska me bashkëshortin e saj tha se ka votuar për të dyja palë zgjedhjet dhe shpreson që ata që do të dalin fitues në këto zgjedhje, të angazhohen për mirëqenien e pensionistëve dhe për shërbime më të mira shëndetësore:
“Pres që të bëhet mirë për gjithë Maqedoninë (e Veriut). Duhet të mendojnë për ne pensionistët dhe të kemi shërbime më të mira shëndetësore, të mund të kurohemi me kohë”, tha ajo.
Korrupsioni mbetet thembër Akili për Maqedoninë e Veriut në rrugëtimin drejt anëtarësimit në familjen evropiane, tha Fatmir Hasani duke shpresuar që ata që do të dalin fitues në këto zgjedhje ta kenë prioritet luftën kundër kësaj dukurie.
“Besoj se do të kemi hapa përmirësimi për sa i përket luftës kundër korrupsionit. Dhe, besoj se rezultati që do të dalë në këto zgjedhje do jetë porosi për ata që do të zgjidhen, se gjendja me korrupsionin duhet të ndryshohet, të çlirohen institucionet nga korrupsion dhe partizimi”, u shpreh Hasani.
Edhe IvanDamjanovski i tha REL-it se shpreson që të zhbllokohet procesi i integrimeve, dhe me anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian, të rritet edhe standardi jetësor:
“Dola të votoj pasi kam besim se vota ime ka fuqi për të ndryshuar gjërat, për të ecur vendi drejt integrimeve. Ne jemi vend evropian dhe si shtet duhet të kemi dhe cilësi të jetës. Shpresoj se do ta sjellin këto zgjedhje këtë ndryshim”.