Ndërlidhjet

Ushtria izraelite merr nën kontroll kufirin në Rafah


Fotografi e publikuar nga ushtria izraelite që tregon tanket duke hyrë në anën palestineze të pikës kufitare Rafah, midis Gazës dhe Egjiptit, më 7 maj 2024.
Fotografi e publikuar nga ushtria izraelite që tregon tanket duke hyrë në anën palestineze të pikës kufitare Rafah, midis Gazës dhe Egjiptit, më 7 maj 2024.

Ushtria izraelite tha të martën se ka marrë kontrollin e pikëkalimit kufitar në Rafah, midis Gazës dhe Egjiptit, pjesë kjo e cila ka qenë jetike për dërgimin e ndihmave dhe daljen e njerëzve të plagosur nga lufta në Gazë.

Ushtria tha se forcat po skanonin zonën në mëngjes pasi nisën një operacion tokësor dhe ajror në një pjesë të Rafahut lindor të hënën mbrëma, mes përpjekjeve diplomatike jashtë vendit për të arritur një armëpushim të ri.

Autoriteti i Kalimeve të Gazës tha në një deklaratë se marrja e kontrollit nga Izraeli ishte një "dënim me vdekje" kundër banorëve të Gazës, veçanërisht të sëmurëve dhe të plagosurve.

Gjatë gjithë luftës shtatëmujore, Rafahu - i vetmi vendkalim që nuk drejtohet nga Izraeli - ka qenë linja kryesore e shpëtimit të popullatës palestineze prej 2.3 milionësh të Gazës, duke lejuar futjen e furnizimeve humanitare në Gazë dhe transportin e pacientëve jashtë saj mes mungesave të rënda dhe shkatërrimit të objekteve të kujdesit shëndetësor.

Ushtria izraelite tha se një operacion i kufizuar në Rafah kishte për qëllim të vriste luftëtarët dhe të çmontonte infrastrukturën e përdorur nga grupi militant palestinez Hamas - i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Aleati më i afërt i Izraelit, SHBA-ja, ka këshilluar kundër ndërmarrjes së një sulmi në Rafah, qyteti që është streha e fundit për rreth gjysmën e popullsisë së Gazës.

Zyrtarët shëndetësorë palestinezë thanë se tanket dhe avionët izraelitë goditën disa zona në Rafah gjatë natës, duke vrarë 20 palestinezë dhe duke plagosur disa të tjerë gjatë goditjeve në të paktën katër shtëpi.

Banorët thanë se Izraeli kishte lëshuar fletushka të reja të martën, duke i paralajmëruar përsëri njerëzit të largoheshin nga zonat në lindje të Rafahut.

Tanket izraelite bombarduan gjithashtu zonat lindore në Beit Laha, Jabalia dhe Beit Hanun në veri të Rripit të Gazës, thanë banorët.

Ushtria izraelite tha se shumica e njerëzve dhe disa organizata ndërkombëtare ishin evakuuar nga zona e Rafahut lindor, ndërsa tha se vrau rreth 20 luftëtarë dhe gjeti tri boshte tuneli.

Një vendkalim tjetër aty pranë, i kontrolluar nga Izraeli, Kerem Shalom, u mbyll të martën për arsye sigurie dhe do të rihapet sapo të lejojë situata e sigurisë, tha ushtria.

Izraeli ka vrarë më shumë se 34.700 palestinezë në sulmet e tij ajrore, tokësore dhe detare në Gazë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë.

OKB-ja ka thënë se kriza e urisë që ka kapluar njerëzit në veri të Gazës, po bartet bartet edhe drejt jugut.

Lufta filloi kur militantët e Hamasit sulmuan Izraelin më 7 tetor, duke vrarë rreth 1.200 njerëz dhe duke rrëmbyer 252 të tjerë, nga të cilët 133 besohet se mbeten në Gazë, sipas të dhënave izraelite.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG