Rezultati i zgjedhjeve parlamentare, më 8 maj do të vendosë dinamikën e ndryshimeve kushtetuese dhe rrjedhimisht integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut, thonë njohësit e çështjeve politike në Shkup që kanë përcjellë fushatën elektorale që mbyllet të hënën më 6 maj.
Ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e pakicës bullgare në preambulën e saj, si popull shtetformues janë kusht për nisjen e bisedimeve ndërmjet Shkupit dhe Brukselit për anëtarësim në BE, ndërsa bazohen në atë që njihet si “propozim francez” për zgjidhjen e kontestit mes Maqedonisë së Veriut me fqinjin e saj lindor, Bullgarinë.
Bazuar në rundin e parë të zgjedhjeve presidenciale, që u mbajt më 24 prill, zgjedhjet pritet të fitohen nga VMRO DPMNE-ja, e cila ka një qëndrim të fortë kundër ndryshimeve kushtetuese me arsyetimin se ato janë hartuar sipas “diktatit bullgar” dhe dëmtojnë interesat kombëtare maqedonase.
VMRO-ja që drejtohet nga Hristijan Mickoski, thotë se nuk është kundër përfshirjes së bullgarëve në Kushtetutë, por kërkon garanci se Sofja nuk do të paraqesë kërkesa të reja kundrejt Shkupit.
Numri i mandateve mund të ndryshojë qasjen e VMRO-së
Analisti politik, Besim Nebiu, thotë për Radion Evropa e Lirë se qëndrimi i VMRO DPMNE-së mund të ndryshojë varësisht rezultatit që do të arrijë në zgjedhjet parlamentare.
“Ndryshon pasi në periudhën parazgjedhore një pjesë e mirë e strategjisë së kësaj partie është e bazuar në perceptimin te elektorati i saj se ajo i kundërshton ndryshimet kushtetuese pasi prekin identitetin kombëtar maqedonas si rezultat i presionit bullgar. Por, kjo është një llogari parazgjedhore, ndërsa qëndrimi paszgjedhor në masë të madhe do të varet nga rezultati apo shpërndarja e mandateve në Parlament”, thotë Nebiu.
Ndryshimet kushtetuese duhet të miratohen në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut me dy të tretat e votave, apo me votat e 80 nga 120 deputetë sa numëron legjislativi.
Qeveria e Maqedonisë së Veriut formohet nga 60 deputetë, ndërsa mandatin për formimin e saj e merr partia me numrin më të madh të votave, apo ajo që arrin të sigurojë shumicën në Kuvend.
“Një VMRO e cila do të ishte në gjendje të formojë qeverinë, por që do të ishte e varur nga partnerët shqiptarë, do të ishte më fleksibile rreth pozitës së saj. Pra, do të mundohej të gjente një formulë më të lehtë për t’i bërë ndryshimet... ndërsa një VMRO që do të fitonte më tepër se 50 deputetë mendoj se në vazhdimësi do të luante me kartën nacionaliste pasi në një situatë të tillë do ta kishte shumë më të lehtë të formonte qeverinë e ardhshme”, shprehet analisti Besim Nebiu.
A mund të ndryshohet korniza negociuese me BE-në?
VMRO DPMNE-ja në disa raste ka thënë se do të angazhohet për një marrëveshje të re me BE-në, apo ndryshimin e kornizës negociuese me qëllim të krijimit të pozicioneve më të favorshme në drejtim të marrjes së garancive se nuk do të ketë kërkesa të reja.
Kjo parti, gjithashtu, ka thënë se do t’’ miratonte ndryshimet kushtetuese me kusht që ato të hyjnë në fuqi me përfundimin e bisedimeve të anëtarësimit evropian.
Por, Marko Trashanovski, drejtues i Institutit për Demokraci, thotë se vështirë se do të mund të ketë ndonjë marrëveshje të re, me përjashtim të mundësisë për zbatimin e mëvonshëm të ndryshimeve kushtetuese.
"Një ndryshim i kuadrit të negociatave mendoj se është një skenar mjaft i pamundur. Që kjo të ndodhë, duhet mobilizimi i të gjitha vendeve anëtare për këtë çështje. Megjithatë, mbetet të shihet se me çfarë kapitali do të veprojmë në atë kërkesë dhe sa kapital diplomatik dhe gjeostrategjik kemi për të negociuar një temë të tillë. Kështu që, unë mendoj se ky është një skenar shumë i pamundur".
"Ndoshta mund të ketë përpjekje që amendamentet kushtetuese të hyjnë në fuqi pas ratifikimit të marrëveshjes, për të reduktuar mundësinë që Bullgaria të shantazhojë vendin dhe të përdorë negociatat për t’i imponuar kërkesat e saj revizioniste. Megjithatë, sa i përket ndryshimit të kornizës së negociatave, nuk mendoj se kjo do të ndodhë”, thotë Trashanovski.
A do ta kushtëzojnë partitë VMRO-në me ndryshimet kushtetuese?
Sa i përket rolit të subjektit politik shqiptar, nëse do të ketë kushtëzime ndaj VMRO DPMNE-së, analisti Besim Nebiu thotë se tani situata ndryshon pasi në garë janë dy blloqe të fuqishme, andaj edhe nuk mund të përsëritet periudha e deritashme kur partitë shqiptare më shumë kishin prioritet hyrjen në Qeveri sesa integrimin evropian.
“Veprimet e njërit apo subjektit tjetër politik shqiptar kundrejt VMRO-s, sidomos në kuptim të koalicionit do të duhej të ishin shumë më transparente dhe të kushtëzuara sesa që ishin atëherë kur BDI-ja hynte në Qeveri me VMRO-në pa platformë. BDI-ja në ciklet e kaluara zgjedhore nuk kishte konkurrencë në kampin shqiptar, por kjo situatë tani ka ndryshuar dhe kur ka garë, besoj se palët janë më të kujdesshme rreth artikulimit të tyre politik”, vlerëson Nebiu.
Për shkak të mosmarrëveshjeve me Sofjen, përkatësisht detyrimit për përfshirjen e pakicës bullgare në Kushtetutë si popull shtetformues, Maqedonia e Veriut ende nuk ka nisur bisedimet me BE-në për kapitujt.
Shkupi, më 19 korrik 2022, mbajti konferencën e parë ndërqeveritare me BE-në, por ajo u vlerësua si politike pasi bisedimet për kapitujt nuk mund të nisin pa miratimin e ndryshimeve kushtetuese.