Ndërlidhjet

KEDS: Elektroseveri ka filluar t’i vendosë njehsorët e rrymës në veri


Njehsor elektrik. - Fotografi ilustruese nga arkivi.
Njehsor elektrik. - Fotografi ilustruese nga arkivi.

Kompania për Distribuim të Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) njoftoi të premten se kontraktuesi i saj, kompania serbe Elektrosever, ka filluar t’i vendosë njësorët e mençur të energjisë elektrike në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.

“Këta njehsorë, që janë fjala e fundit e teknologjisë, do të rregullojnë tutje distribuimin dhe furnizimin me energji elektrike për konsumatorët kosovarë të asaj pjese”, tha KEDS në një komunikatë për media.

KEDS tha se Elektroseveri do t’i vendosë 5 mijë njehsorë të tillë “me fokus te konsumatorët që kërkojnë lidhje të reja dhe tek ata që nuk kanë njehsorë”.

“Ky shërbim është pjesë e sistematizimit edhe të konsumatorëve në veri të vendit dhe paraqet një hap të madh përpara për funksionimin në mënyrë të plotë dhe gjithëpërfshirës për tërë rrjetin distributiv të Kosovës”, thuhet në njoftim.

Në fillim të këtij viti, Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut i Kosovës (KOSTT) njoftoi se në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës - Leposaviq, Mitrovicë e Veriut, Zveçan dhe Zubin Potok - kishte nisur regjistrimi i energjisë elektrike të shpenzuar, duke theksuar se rryma do të paguhej njësoj si në pjesën tjetër të shtetit.

Qytetarët e këtyre komunave nuk kanë paguar për energjinë e shpenzuar prej vitit 1999. Përgjatë viteve, borxhi i tyre është paguar nga qytetarët e komunave të tjera të Kosovës dhe që nga viti 2017 nga Qeveria e Kosovës.

Elektroseveri e mori licencën nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) në Kosovë në qershor 2022, për furnizimin me energji elektrike në veri - dhe për faturimin e qytetarëve atje.


Në fillim të dhjetorit të vitit 2023, Bashkimi Evropian kishte njoftuar se kompania serbe kishte nënshkruar kontratë komerciale për energji me KEDS-in.

Për ta rregulluar çështjen e energjisë, Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje në vitin 2013 në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Por, pajtimi për zbatimin e asaj marrëveshje u arrit vetëm pas shumë vjetëve, në qershor 2022.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG