Ndërlidhjet

Universiteti amerikan e anulon ceremoninë e diplomimit, shkaku i protestave propalestineze


Studentët mblidhen në kampusin e Universitetit të Kalifornisë Jugore për të protestuar kundër luftës në Gazë, 25 prill 2024.
Studentët mblidhen në kampusin e Universitetit të Kalifornisë Jugore për të protestuar kundër luftës në Gazë, 25 prill 2024.

Universiteti i Kalifornisë Jugore njoftoi të enjten se e ka anuluar ceremoninë kryesore të diplomimit këtë vit, për shkak të masave të sigurisë si pasojë e protestave kundër luftës në Gazë mes Izraelit dhe Hamasit – grupit të shpallur organizatë terroriste në Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

“Ne nuk do të jemi në gjendje ta organizojmë ceremoninë kryesore që tradicionalisht i sjell së bashku 65.000 studentë, familje dhe miq në kampusin tonë në të njëjtën kohë”, tha universiteti.

Lufta në Gazë ka nxitur tensionet në kampuset e kolegjeve amerikane dhe i ka nxitur studentët të ngrenë kampe protestuese nëpër kampuset e universiteteve në gjithë vendin ditëve të fundit.

Qindra protestues janë arrestuar, përfshirë më shumë se 90 në Universitetin e Kalifornisë Jugore të mërkurën.

Disa universitete i kanë thirrur policinë për t’i shpërndarë protestuesit, derisa të tjerat kanë vendosur të presin përfundimin e protestave, pasi semestri i këtij viti është afër përfundimit.

Lufta e Izraelit në Gazë kundër Hamasit nisi më 7 tetor, kur pjesëtarët e këtij grupi palestinez u futën vrullshëm në jug të Izraelit dhe i vranë rreth 1.200 njerëz, kryesisht civilë, dhe i rrëmbyen rreth 250 të tjerë.

Më shumë se 34.000 palestinezë janë vrarë, prej të cilëve dy e treta fëmijë dhe gra, si pasojë e luftës izraelite në Gazë prej atëherë, sipas zyrtarëve shëndetësorë palestinezë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG