Presidenti amerikan, Joe Biden, e ka nënshkruar paketën e ndihmës prej 95 miliardë dollarësh për Ukrainën, Izraelin dhe Tajvanin, duke e shndërruar në ligj.
Në paketë përfshihen edhe nene që do të detyrojnë median sociale, TikTok, të shitet apo ndalohet në SHBA.
Njoftimi shënon një betejë të gjatë me republikanët në Kongres sa i përket ndihmës ushtarake për Ukrainën.
“Ne u bëmë bashkë dhe e arritëm këtë”, tha Biden nga Shtëpia e Bardhë, duke shtuar se brenda orësh do të nisin dërgesat me ndihma ushtarake për në Ukrainë.
"Amerika do t'i dërgojë Ukrainës furnizimet që i duhen që të vazhdojë luftën", tha Biden.
Sipas tij, miratimi i paketës tregoi se SHBA-ja dhe aleatët e saj e mbështesin plotësisht Ukrainën në betejën e saj kundër forcave pushtuese ruse, dhe se miratimi i paketës së ndihmës ishte i rëndësishëm për të treguar se "ne jemi ngritur kundër [presidentit rus, Vladimir] Putinit".
Sipas zyrtarëve amerikanë, pjesa e parë e ndihmës për Ukrainën – që ka vlerë të përgjithshme prej 61 miliardë dollarësh – do të nisë së ekzekutuari brenda orësh. Aty përfshihen aftësi të mbrojtjes ajrore, municione për artileri, autoblinda dhe armë të tjera që do t’iu dërgohen forcave ukrainase të cilat po përballen me pushtimin që Rusia nisi në shkurt të vitit 2022.
Në paketën e ndihmës po ashtu përfshihet ndihmë humanitare për palestinezët në Gazë, teksa lufta mes Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian – po vazhdon.
Biden tha se Izraeli duhet të sigurojë që ndihma humanitare për palestinezët, që parashihet në ligj, të arrijë në Gazë “pa vonesa”.
Paketa e ndihmës për Izraelin, Ukrainën dhe aleatët e tjerë të SHBA-së ishte bllokuar në Dhomën e Përfaqësuesve për shkak të kundërshtimit të republikanëve të ekstremit të djathtë.
Megjithatë, më 18 prill Dhoma e Përfaqësuesve arriti të kalojë projektligjin, i cili më pas u dërgua në Senat për miratim. Senati e miratoi atë të martën, më 23 prill.