Ndërlidhjet

Kurti: Nuk ka vullnet për t’i shkarkuar kryetarët aktualë në veri


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të dielën se rezultatet e votimit për shkarkim ose jo të kryetarëve shqiptarë në katër komunat me shumicë serbe tregojnë se nuk ka vullnet për t’i shkarkuar kryetarët aktualë.

Sipas tij, “20% të votave të mbledhura nga Lista Serbe për peticionin, për të iniciuar këtë proces, nuk rezultuan më shumë se aq. Serbia e ka parë që mund t’i mbledhë 20% por jo edhe 50%”.

Ai i është referuar mbledhjes së nënshkrimeve në një peticion, muaj më parë, që u ka hapur rrugën mbajtjes së votimeve më 21 prill, sipas një udhëzimi administrativ të hartuar nga Qeveria e Kosovës për largimin e një kryetari nga pozita që mban.

Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) ka thënë se iniciativa ka dështuar pasi në këtë proces kanë votuar 253 prej 46.556 qytetarëve që kanë pasur të drejtë vote.

Për të qenë i suksesshëm procesi, do të duhej të votonin 50 për qind plus 1 votues.

Kjo nënkupton se kryetarët aktualë në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, do t'i vazhdojnë mandatet e tyre.

“Qeveria e Republikës së Kosovës është ndjeshme ndaj rrethanave në katër komunat në veri të Kosovës, sidomos ndaj trysnisë së madhe të ushtruar nga autoritetet e Beogradit ndaj qytetarëve serbë të Kosovës në këto katër komuna”.

Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e ka bojkotuar procesin e 21 prillit, duke pretenduar se procedurat e planifikuara janë “të pamundura” dhe se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, “ka bërë gjithçka që votimet të dështojnë”.

“Ata që nuk i kanë dashur këta katër kryetarë komunash në veri, sonte, me keqardhje duhet t’ua urojnë atyre pozitat”, ka thënë mes tjerash Kurti.

Udhëzimi administrativ është hartuar pas kërkesave të vazhdueshme të komunitetit ndërkombëtar për largimin e katër kryetarëve shqiptarë me arsyetimin se ndonëse procesi ka qenë në rregull, ata nuk kanë legjitimet për shkak të daljes së ulët në votime.

As në zgjedhjet e prillit 2023 – të cilat i kanë fituar këta kryetarë – nuk ka marrë pjesë Lista Serbe.

Zgjedhjet e prillit të vitit 2023 janë organizuar pas dorëheqjeve të serbëve nga institucionet e Kosovës.

“Mundësimi i shkarkimit të kryetarëve aktualë dhe mbajtja e zgjedhjeve për shkarkim, ishin kriter kyç për largimin e masave ndaj Kosovës nga ana e Bashkimit Evropian. Këto masa të padrejta, pas votimit të sotëm, duhet larguar sa më parë”, ka thënë Kurti në reagimin pas mbylljes së vendvotimeve.

Heqjen e masave e ka kërkuar edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

BE-ja pati vënë masa ndëshkuese ndaj Kosovës, me arsyetimin se nuk ka bërë mjaftueshëm për shtensionim të situatës në veri të Kosovës, në maj të vitit 2023.

Atëherë, serbët lokalë kanë protestuar kundër kryetarëve të rinj para ndërtesave komunale në Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok, dhe për pasojë situata është përshkallëzuar në dhunë.

Disa pjesëtarë të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, janë plagosur rëndë.

Të plagosur ka pasur edhe nga ana e protestuesve.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG