Ndërlidhjet

Gërvalla: Një pjesë e qytetarëve kosovarë të ndaluar në Serbi, janë liruar


Autobusë nga Kosova afër pikës kufitare ndërmjet Serbisë dhe Kroacisë, Batrovci, më 17 prill, 2024.

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz, ka thënë të mërkurën vonë se "një pjesë" e qytetarëve kosovarë, të ndaluar gjatë ditës nga autoritetet serbe në vendkalimet kufitare serbe, janë liruar tashmë.

Duke folur në një konferencë për media në Prishtinë, Gërvalla shtoi se “nuk kemi informata se a janë liruar të gjithë, apo nëse ka ende qytetarë tanë që janë duke u mbajtur nëpër vende të ndryshme”.

“Do t’ju japim këto informata sapo t’i kemi verifikuar të gjitha”, theksoi ajo.

Ajo theksoi gjithashtu se “numri i zyrtarëve policorë të arrestuar është goxha i madh, por nuk do të doja të spekuloja për numrin e saktë”, pasi u pyet për ndalimin e zëvendësdrejtorit të Policisë së Kosovës, Dejan Jankoviq, në të njëjtën ditë.

Sipas informatave brenda institucioneve të sigurisë së Kosovës, Jankoviq - i cili vjen nga komuna e Shtërpcës - është ndaluar në pikën kufitare me Serbinë, Jarinjë, në veri të Kosovës, dhe është dërguar për intervistim në qytetin jugperëndimor të Serbisë, Rashkë.

Më herët gjatë ditës së mërkurë, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës (MPJD) tha se autoritetet serbe kanë ndaluar autobusë me udhëtarë nga Kosova, në kufijtë me Kroacinë dhe Hungarinë, "si shenjë hakmarrjeje ndaj mbështetjes nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë".

Autoritetet në Prishtinë u bënë thirrje qytetarëve të Kosovës që të shmangin “me çdo kusht” kalimin nëpër Serbi.

“Qytetarët e Kosovës që po vinin në drejtim të Kosovës janë ndaluar edhe në kufirin me Hungarinë, në pikën kufitare në Suboticë, te vendkalimi kufitar Dheu i Bardhë [që lidh Kosovën me Serbinë] dhe nuk po lejohen as të lëvizin përpara dhe as të kthehen pas”, tha MPJD-ja.

Por, Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë i ka mohuar akuzat se ka ndaluar autobusë me udhëtarë kosovarë në kufijtë e saj me Kroacinë dhe Hungarinë. Ajo shtoi se janë "duke u forcuar kontrollet kufitare".

Ibrahim Aliu, pronar i kompanisë turistike Rinor Travel, i tha Radios Evropa e Lirë se që nga mëngjesi një autobus i kompanisë së tij është ndaluar në territorin serb, pas kalimit të kufirit të Hungarisë.
Autobusi po udhëtonte nga Zvicra për në Kosovë.

“Sipas shoferëve, me të cilë jam në kontakt, [autoritetet serbe] i kanë marrë dy udhëtarë dhe dokumentet e autobusit”, tha Aliu.

Ai tha se nuk kanë ndonjë informacion tjetër, vetëm se nga autoritetet serbe, i është thënë të presin.

“Është çudi, se ne kemi kaluar kontrollin, vetëm dokumentet e autobusit dhe dy udhëtarëi kanë ndalë, dhe aq”, tha Aliu, duke treguar se gjendja e udhëtarëve është e mirë, përveç lodhjes.

Ekipi i REL-it, i cili ishte në pikën kufitare të Serbisë me Kroacinë, Batrovci, nuk u lejua të filmonte, me arsyetimin se nuk kishte leje për ta bërë këtë. Kërkesa e REL-it, e cila u dërgua disa orë para mbërritjes në vendkalim, nuk ka marrë ende përgjigje.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës u kërkuan qytetarëve që të mos kalojnë përmes Serbisë “pas situatës së krijuar në pikat kufitare në Serbi dhe ndaljes arbitrare të qytetarëve të Kosovës në vendkalime kufitare”.

“Të gjithë udhëtarët luten që të ndjekin me vëmendje situatën e tensionuar të sigurisë dhe të mos udhëtojnë përmes Serbisë”, u tha në njoftimin e përbashkët të MPJD-së dhe MPB-së.

Kjo ministri tha se udhëtarëve u janë marrë dokumentet personale si dhe ato të autobusëve.

“Po ashtu, disa prej tyre janë marrë dhe po vazhdojnë të merren në pyetje”, u tha në njoftim.

Paraprakisht sekretari i Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, Fatmir Haxholli, përmes një postimi në Facebook, tha se në Batrovci janë ndaluar të paktën katër autobusë, me "mbi 300 udhëtarë nga Kosova".

Krerët e Kosovës, presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, e kanë akuzuar Serbinë se ka ndaluar autobusë me udhëtarë kosovarë në kufijtë e saj me Kroacinë dhe Hungarinë të mërkurën, si shenjë hakmarrjeje pas vendimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës që Kosova të ftohet për t'u bërë anëtare e kësaj organizate.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës tha po ashtu se u është drejtuar shteteve të QUINT-it – Shtetet e Bashkuara, Britania, Franca, Italia dhe Gjermania – institucioneve të Bashkimit Evropian dhe instancave të tjera ndërkombëtare për këtë çështje “dhe presim që kjo situatë të përfundojë shpejtë”.

“Ky veprim hakmarrës, i paralajmëruar para pak ditësh nga vet presidenti i Serbisë, [Aleksandar] Vuçiq, i cili vjen pas dështimit të propagandues kundër anëtarësimit të Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës, duhet të marrë urgjentisht përgjigjen e merituar nga bashkësia ndërkombëtare”, tha MPJD.

Bashkimi Evropian konstatoi se në këtë rast Serbia është duke e shkelur marrëveshjen për lirinë e lëvizjes.

Ndryshe, më 16 prill, në Asamblenë Parlamentare u miratua rekomandimi për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Çështja tani do të dërgohet te Këshilli i Ministrave, që takohet në maj, organ që jep përgjigjen përfundimtare për anëtarësimin e një shteti në këtë organizatë.

Serbia kundërshton anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, deklaroi pas votimit se shteti i tij do të vazhdojë luftën “me të gjitha forcat” që vendimi të mos miratohet në mbledhjen e ministrave të Jashtëm të Këshillit të Evropës më 16 maj.

Edhe në të kaluarën, qytetarët të Kosovës që kalojnë përmes Serbisë kanë hasur në probleme, me disa prej tyre që janë arrestuar nga autoritetet serbe nën dyshimet për krime lufte.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG