Ndërlidhjet

Shefi i ushtrisë izraelite thotë se Izraeli do t’i përgjigjet sulmit të Iranit


Ushtarët izraelitë qëndrojnë pranë tankeve të tyre. Fotografi nga arkivi.
Ushtarët izraelitë qëndrojnë pranë tankeve të tyre. Fotografi nga arkivi.

Izraeli do t’i përgjigjet sulmit që Irani e kreu kundër tij me dronë dhe raketa në fundjavë, ka thënë të hënën shefi i ushtrisë izraelite, gjenerallejtënant Herzi Halevi. Ai nuk shpjegoi se si do t’i përgjigjej, megjithatë.

Halevi tha se Izraeli është duke i shqyrtuar hapat që do t’i ndërmarrë, por theksoi se sulmi i fundjavës nga Irani “do të marrë përgjigje”.

Ai i bëri këto komente gjatë një vizite në bazën ajrore Nevatim, për të cilën Izraeli tha se pësoi dëme të vogla gjatë sulmit iranian.

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, është takuar me zyrtarët e lartë të vendit për të biseduar për mundësinë për t’iu përgjigjur sulmit të Iranit.

Irani përdori qindra dronë, raketa balistike dhe raketa lundruese gjatë sulmit kundër Izraelit në fundjavë.

Liderët botërorë i kanë bërë thirrje Izraelit të mos hakmerret.

Sulmi i së shtunës ishte sulmi i parë i drejtpërdrejtë që Irani e kreu kundër Izraelit, pavarësisht armiqësisë së moçme mes këtyre dy vendeve prej Revolucionit Islamik në Iran më 1979.

Ky sulm ndodhi pasi javë më parë një sulm i dyshuar izraelit i vrau dy gjeneralë iranianë në ndërtesën e konsullatës iraniane në Siri.

Ushtria izraelite thotë se 99 për qind të dronëve dhe raketave të shkrepura nga Irani i shkatërroi me ndihmën e vendeve të tjera, përfshirë të Shteteve të Bashkuara, Britanisë së Madhe dhe Francës.

Irani, ndërkohë, e ka cilësuar si të suksesshëm këtë sulm.

Në Uashington, zëdhënësi i sigurisë kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, nuk tregoi nëse Shtetet e Bashkuar janë njoftuar, ose nëse presin të njoftohen për planet e Izraelit për t’iu përgjigjur sulmit të Iranit.

“Ne nuk jemi të përfshirë në procesin e vendimmarrjes së tyre për ndonjë përgjigje të mundshme”, tha Kirby.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG