Ndërlidhjet

QUINT u bën thirrje Listës Serbe dhe të tjerëve të rishqyrtojnë bojkotimin e votimeve në veri


Fotografi ilustruese nga arkivi.
Fotografi ilustruese nga arkivi.

Përfaqësuesit e QUINT-it dhe Bashkimit Evropian në Kosovë kanë thënë të mërkurën se ndjejnë keqardhje për deklaratat e Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë - dhe disa figurave të tjera politike serbe në Kosovë për tërheqje prej procesit zgjedhor që do të zhvillohet më 21 prill në komunat veriore të Kosovës për shkarkim ose jo të kryetarëve shqiptarë.

QUINT-it përbëhet prej Shteteve të Bashkuara, Mbretërisë së Bashkuar, Francës, Gjermanisë dhe Italisë.

Në reagim është thënë se edhe ndonëse zgjedhjet e prillit të vitit të kaluar nuk kanë ofruar zgjidhje politike afatgjatë, “bojkotimi i votimit më 21 prill, nuk do të sjellë ndonjë përfitim për qytetarët që jetojnë në veri”.

“Prandaj ne i bëjmë thirrje Listës Serbe dhe tjerëve që të rishqyrtojnë pozicionet e tyre”.

Kryetarët shqiptarë i kanë marrë pozitat pas zgjedhjeve të mbajtura në prill të vitit të kaluar, në procesin zgjedhor të bojkotuar prej Listës Serbe, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.

Si pasojë e rritjes së tensioneve në veri dhe kërkesave të vazhdueshme të faktorit ndërkombëtar për mbajtjen e zgjedhjeve të reja, Qeveria e Kosovës e ka prezantuar në shtator të vitit të kaluar një udhëzim administrativ që parasheh largimin e një kryetari prej pozitës që ka.

Ndonëse Lista Serbe pati marrë pjesë në hapat e parë në iniciativën e mbledhjes së nënshkrimeve për largimin e kryetarëve, ditë më parë ajo ka thënë se nuk do të marrë pjesë në votimin e caktuar në prill në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok për largim të kryetarëve atje.

Më 7 prill, Lista Serbe, duke njoftuar se po tërhiqet nga procesi i zëvendësimit të kryetarëve në komunat në veri, ka thënë se procedurat e planifikuara janë “të pamundura” dhe se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, “ka bërë gjithçka që votimet të dështojnë”.

Më herët gjatë javës, zyrtarë të Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ) kanë bërë të ditur se anëtarët e Komisioneve Komunale Zgjedhore (KKZ) prej Listës Serbe janë dorëhequr në katër komunat veriore me shumicë serbe, ndërsa anëtari i Nismës Qytetare për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë është dorëhequr në Mitrovicë të Veriut.

Sipas Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, KKZ-të administrojnë zgjedhjet brenda komunës përkatëse, nën mbikëqyrjen ekskluzive dhe udhëzimet e KQZ-së.

Sipas KQZ-së, dy subjektet kanë afat deri më 11 prill, në orën 16:00, që t'i nominojnë emrat e rinj.

“Na vjen keq për deklaratat e Listës Serbe dhe aktorëve tjerë politikë serbë në Kosovë që bëjnë thirrje për tërheqje nga pjesëmarrja në votën për largim të kryetarit. Pjesëmarrja demokratike është kyçe për të garantuar që institucionet e zgjedhura janë përfaqësuese të popullatës së cilës i shërbejnë. Vota është liri themelore e shoqërive demokratike”, është thënë përmes një reagimi publik të QUINT-it.

Përfaqësuesit e QUINT-it i kanë bërë thirrje edhe Qeverisë së Kosovës t’iu përgjigjet shqetësimeve të qytetarëve dhe të reagojë me profesionalizëm përgjatë këtij procesi.

Qeveria e Kosovës i ka bërë thirrje Listës Serbe të mos përhapë dezinformata dhe të mos u bëjë presion qytetarëve të komunitetit serb “që duan të jenë pjesë e procesit demokratik të 21 prillit”.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG