Ndërlidhjet

Gjashtë të vdekur, 10 të plagosur nga një sulm rus në Harkiv


Zjarrfikësit duke punuar për ta shuar zjarrin në vendin e ngjarjes së një sulmi rus me dronë në Harkiv, Ukrainë, 6 prill 2024.
Zjarrfikësit duke punuar për ta shuar zjarrin në vendin e ngjarjes së një sulmi rus me dronë në Harkiv, Ukrainë, 6 prill 2024.

Gjashtë civilë janë vrarë dhe 10 të tjerë janë plagosur të shtunën në mëngjes, si pasojë e një sulmi rus në qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, Harkiv, njoftuan zyrtarët rajonalë.

Policia ukrainase tha se sulmi u krye me dronë. Ajo publikoi pamje të zjarrit të shkaktuar nga sulmi në rrugë pranë një ndërtese banimi.

“Mëngjesin e sotëm u vranë gjashtë persona dhe u plagosën 10 të tjerë, si pasojë e një sulmi natën në rrethinën Shevçenskivski”, tha në Telegram kryetari i Harkivit, Ihor Terekhov.

Ai tha se nga ky sulm u goditën zonat e banimit, duke shtuar se “së paku nëntë ndërtesa të larta, tre konvikte, një numër i ndërtesave administrative, një dyqan, një pompë e benzinës dhe vetura u dëmtuan”.

Raportohet se sulmi ndodhi pas mesnatës.

Ushtria ukrainase tha se kundërajrorët e saj i shkatërruan 28 prej 32 dronëve dhe tre prej gjashtë raketave të shkrepura nga Rusia.

Harkivi, në verilindje të Ukrainës, është sulmuar shpesh nga Rusia dhe sulmet u rritën në javët e fundit.

Të mërkurën u vranë katër persona si pasojë e një sulmi me dronë dhe u dëmtuan rëndë blloqe banesash.

Shefi i zyrës së presidentit Volodymyr Zelensky, Andriy Yermak, tha për Politico të enjten se mendon se Harkivi është shënjestra më e mundshme e një ofensive të mundshme ruse në maj apo qershor.

Governatori rajonal i Harkivit, Oleh Synehubov, raportoi për një sulm në një ndërtesë banimi dhe për një sulm raketor në një fshat në veri të Harkivit. Nuk u raportua për viktima në asnjërin prej këtyre incidenteve.

Në Harkiv dhe në shumicën e vendit, përfshirë në kryeqytet Kiev, u lëshuan sirena për disa orë, pas sulmeve të shtunën herët.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG