Ndërlidhjet

Gjashtë muaj luftë: Izraeli gjithnjë e më i izoluar


Izraelitët duke u strehuar nga raketat e shkrepura prej Rripit të Gazës drejt Ashkelonit, në jug të Izraelit, 11 tetor 2023.
Izraelitët duke u strehuar nga raketat e shkrepura prej Rripit të Gazës drejt Ashkelonit, në jug të Izraelit, 11 tetor 2023.

Associated Press

Kur Izraeli i shpalli luftë në tetorin e kaluar Hamasit – grupit palestinez të shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkua dhe Bashkimi Evropian – vendi ishte i bashkuar dhe gëzonte mbështetje të madhe nga e gjithë bota pas sulmit të paparë nga pjesëtarët e grupit radikal.

Gjashtë muaj më pas, Izraeli e gjen veten në një vend krejtësisht tjetër: i ngecur në Gazë, i ndarë brenda vendit, i izoluar ndërkombëtarisht dhe me mosmarrëveshje me aleatët më të ngushtë.

Rreziku për një luftë më të gjerë rajonale vijon të jetë real.

Me gjithë luftën e ashpër ushtarake nga Izraeli, Hamasi nuk është dorëzuar, edhe nëse është dobësuar dukshëm. Lufta e ka shtyrë Rripin e Gazës drejt një krize humanitare, pasi mbi 80 për qind e popullsisë janë zhvendosur dhe rreth 1 milion janë buzë urisë absolute.

Prapëseprapë, Izraeli nuk e ka paraqitur asnjë vizion të pasluftës që është i pranueshëm për partnerët e tij, ndërsa bisedimet për armëpushim kanë ngecur.

Gjashtë gjërat kryesore që kanë ndodhur gjatë këtyre gjashtë muajve:

Ngërçi në betejë

Izraeli shpalli luftë si përgjigje ndaj sulmit të Hamasit brenda kufirit të saj më 7 tetor, gjatë të cilët pjesëtarët e grupit radikal i vranë 1.200 njerëz, kryesisht civilë, dhe i rrëmbyen 250 të tjerë.

Kryeministri Benjamin Netanyahu i caktoi dy synime: shkatërrimin e Hamasit dhe kthimin e pengjeve në shtëpi. Megjithëse se ka bërë premtime të vazhdueshme për “fitore të plotë”, synimet e tij vështirë të arritshme.

Pasi e pushtuan me shpejtësi shumicën e Gazës gjatë një lufte brutale, trupat tokësore të Izraelit kanë ngecur tani. Ato përballen me pasiguri nëse do marshojnë drejt qytetit jugor të Gazës, Rafah, bastionin e fundit të Hamasit.

Netanyahu është zotuar vazhdimisht se do ta pushtojë Rafahun, por ai përballet me kundërshtime të mëdha ndërkombëtare, përfshirë nga Shtetet e Bashkuara, sepse qindra mijëra palestinezë të zhvendosur janë duke u strehuar në atë qytet.

Edhe nëse Izraeli e pushton Rafahun, nuk ka garanci për sukses afatgjatë. Megjithëse duket se Hamasi ka pësuar humbje të mëdha, forcat e tij ia kanë dalë të grumbullohen nëpër pjesë të braktisura nga Izraeli.

Njëkohësisht, Izraeli nuk ka qenë në gjendje t’i ndalë sulmet e përditshme në kufirin verior prej grupit militant libanez, Hezbollah. Për dallim nga Hamasi, Hezbollahut nuk i është prekur arsenali shumë më i madh, duke e rrezikuar fatin e dhjetëra mijërave civilëve të zhvendosur në të dyja anët e kufirit.

Rritja e izolimit

Izraeli gëzonte mbështetje të madhe ndërkombëtare pas sulmit të 7 tetorit, i cili ishte më vdekjeprurësi ndaj hebrenjve prej Holokaustit. Megjithatë, ai dashamirësi është shndërruar në padurim dhe zemërim, sepse kushtet në Gazë po përkeqësohen.

Më shumë se 33.000 palestinezë janë vrarë në luftë, rreth dy e treta e tyre gra dhe fëmijë, sipas zyrtarëve shëndetësorë palestinezë, të cilët nuk e bëjnë dallimin mes civilëve dhe luftëtarëve në llogaritjen e numrit të viktimave.

Zyrtarë e grupeve ndërkombëtare të ndihmës thonë se një e treta e popullsisë së Gazës përballet me uri katastrofike.

Aleatët që në fillim shprehshin solidaritetin e tyre me Izraelin, tani po i bëjnë thirrje atij t’i ndalë luftimet. Ndërkohë, një gjykatë e Kombeve të Bashkuara, që po i shqyrton akuzat kundër Izraelit për gjenocid, e ka urdhëruar Izraelin të bëjë më shumë për t’i mbrojtur civilët në Gazë.

Izolimi e arriti kulmin më 25 mars, kur Këshilli i Sigurimit i OKB-së e kaloi një rezolutë për armëpushim të menjëhershëm. SHBA-ja e zemëroi Izraelin duke e lejuar miratimin e saj.

Gjërat janë përkeqësuar edhe më shumë prej atëherë, posaçërisht pas vrasjes së shtatë punëtorëve të bamirësisë. Gjashtë prej tyre ishin shtetas të vendeve aleate të Izraelit. Kjo i tërboi ato dhe presidentin amerikan Joe Biden.

Izraeli është i ndarë

Pas një kohe kur uniteti ishte i madh pas fillimit të luftës, Izraeli është i ndarë përsëri, me liderin e vet polarizues në qendër të kësaj ndarje.

Protestat javore kundër Qeverisë janë rritur dhe po joshin mijëra qytetarë. Ato e kanë zanafillën në mospajtimet e kamotshme me Netanyahun – nga aleanca e tij politike me partitë e ekstremit të djathtë dhe ultra-ortodoks, e deri të gjykimi i tij për korrupsion. Megjithatë, ato kanë marrë votime shtesë nga dështimi për kthimin e pengjeve.

Pothuajse gjysma e pengjeve u liruan gjatë armëpushimit njëjavor në nëntor. Por, Izraeli thotë se 134 pengje po mbahen ende në Gazë.

Netanyahu s’e ka ndër mend të heqë dorë

Popullariteti i Netanyahut ka rënë prej se nisi lufta, pasi shumë njerëz e mbajnë atë përgjegjës për dështimin e sigurisë që mundësoi të ndodhte sulmi i 7 tetorit.

Megjithatë, ai i ka hedhur poshtë thirrjet për dorëheqje, si dhe thirrjet për ta nisur një hetim për të mësuar pse u lejua ky sulm.

Sundimi i Netanyahut nuk është nën kërcënim tani për tani. Partnerët e tij në koalicion, të cilët përballen me humbje votash po ashtu, po i mbajnë anën atij.

Kërcënimi ma i madh tani për tani ndërlidhet me luftën pjesërisht. Gjykata Supreme e Izraelit e ka urdhëruar ndërprerjen e një sistemi ta kamotshëm kontrovers, i cili i përjashton burrat ultra-ortodoks nga kryerja e detyrueshme e ushtrisë.

Me 600 ushtarë të vrarë prej 7 tetorit, Netanyahu do ta ketë të vështirë ta vazhdojë këtë sistem. Por, nëse ai tenton t’i detyrojë burrat fetarë të kryejnë shërbim ushtarak, ai do ta humbë mbështetjen e partnerëve ultra-ortodoks dhe do të detyrohet të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

Hamasi nuk dorëzohet

Lufta izraelite ka shkarkuar dëme të jashtëzakonshme nëpër Gazë dhe i ka shkaktuar humbje të mëdha Hamasit.

Izraeli pretendon se i ka vrarë rreth 13.000 luftëtarë të Hamasit dhe se ia ka shkatërruar armët në shumicën e Gazës.

Por, edhe sikur ky pretendim të jetë i vërtetë, Hamasi është i paprekur në Rafah, dhe luftëtarët e tij janë ribashkuar në pjesë tjera ku Izraelite kishte shpallur fitoren në të kaluarën. Megjithëse ka shenja të vogla të pakënaqësisë publike me Hamasin në Gazë, nuk ka shenja publike për kundërshtim të madh ndaj këtij grupi.

Michael Milshtein, një ish-oficer i lartë i inteligjencës në ushtrinë izraelite, tha se pritjet që ushtria izraelite mund të shkatërrojë Hamasin, apo ta detyrojë të dorëzohet, janë “ëndrra me sy hapur”.

Pa plan për Gazën e pasluftës

Nuk ka konsensus për të ardhmen e Gazës.

Netanyahu ka paraqitur plane që bëjnë thirrje për një kontroll të papërcaktuar të Gazës nga Izraeli, sipas të cilit, partnerët vendës palestinezë në Gazë që do t’i administronin çështjet ditore. Izraeli shpreson se rindërtimi i Gazës do të financohet nga bashkësia ndërkombëtare, përfshirë nga shtetet e pasura arabe.

Planet e tij, megjithatë, bien ndesh me vizionet e promovuara nga Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë dhe palestinezët.

SHBA-ja ka bërë thirrje për kthimin e Autoritetit Palestinez, cili njihet ndërkombëtarisht, që ishte rrëzuar nga pushteti më 2007 prej Hamasit, si dhe ka bërë thirrje për ringjalljen e përpjekjeve për një shtet të pavarur palestinez në Bregun Perëndimor dhe në Gazë.

Netanyahu e kundërshton themelimin e çfarëdo shteti palestinez, apo rolin e Autoritetit Palestinez.

Përgatiti: Ekrem Idrizi

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG