Ndërlidhjet

Banorëve të rajonit rus në kufi me Ukrainën u kërkohet të evakuohen


Ushtarët rusë duke marrë pjesë në operacione pastrimi, pas atij që autoritetet lokale e cilësuan si sulm raketor ukrainas në Belgorod, Rusi, 17 mars.
Ushtarët rusë duke marrë pjesë në operacione pastrimi, pas atij që autoritetet lokale e cilësuan si sulm raketor ukrainas në Belgorod, Rusi, 17 mars.

Autoritetet ruse i kanë udhëzuar të enjten banorët e qarkut Graivoronski në rajonin rus në kufi me Ukrainën, Belgorod, të largohen përkohësisht nga shtëpitë e tyre.

Rajoni i Belgorodit është duke u sulmuar vazhdimisht me dronë dhe raketa nga forcat ukrainase në javët e fundit.

“Ju kërkoj ta merrni vendimin e duhur dhe ta largoheni përkohësisht nga zonat kufitare”, tha kryetari i qarkut, Gennady Bondarev.

Ai shkroi në rrjetin social VKontakte se autoritetet në Yaroslavl, rreth 1.000 kilometra në verilindje të Graivoronskit, janë të gatshme t’i akomodojnë të gjithë ata që duan të largohen.

Ai shtoi se autoritetet ruse do ta aranzhojnë largimin e tyre.

Dy ditë më parë, autoritetet ruse thanë se rreth 9.000 fëmijë do të evakuohen prej Belgorodit dhe rajonit përreth, pas sulmeve, për të cilat janë duke e fajësuar Ukrainën.

Guvernatori i Belgorodit, Vyacheslav Gladkov, tha të martën se tre persona, përfshirë një fëmijë, u plagosën në sulmet e fundit, derisa një pjesë e rajonit ka mbetur pa furnizim me rrymë.

Ai ka thënë se nga sulmet e ditëve të fundit, në përgjithësi janë vrarë 16 njerëz dhe janë plagosur 98 të tjerë.

Nxënësit në Belgorod u urdhëruan që të mos shkojnë në shkollë të hënën dhe të martën.

Qendrat tregtare në Belgorod kanë qenë të mbyllura të dielën dhe të hënën.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG