Ndërlidhjet

A do ta ndalojë vërtet SHBA-ja TikTok-un?


Logoja e rrjetit social TikTok në ekranin e një telefoni mobil. Fotografi ilustruese nga arkivi.
Logoja e rrjetit social TikTok në ekranin e një telefoni mobil. Fotografi ilustruese nga arkivi.

Associated Press

Rrjeti social TikTok e gjen veten përsëri në pozitë shumë të pasigurt, pasi ligjvënësit në Uashington po e shtyjnë përpara një projektligj, i cili mund të bëjë që kjo platformë të ndalohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Të mërkurën, Dhoma e Përfaqësuesve e miratoi projektligjin, i cili do ta ndalojë TikTok-un, nëse pronari i tij me bazë në Kinë, ByteDance, nuk i shet aksionet e tij në platformën e njohur brenda gjashtë muajve pas miratimit të këtij projektligji.

Ja çfarë duhet të dini:

Çfarë përmban projektligji i Dhomës së Përfaqësuesve?

Projektligji ia jep dy mundësi kompanisë ByteDance: Ta shesë TikTok-un, ose të përballet me ndalesë.

Nëse ByteDance zgjedh të heqë dorë nga aksionet, TikTok-u do ta vazhdojë veprimtarinë në SHBA, nëse presidenti përcakton “përmes një procesi mes agjencive” se platforma “nuk po kontrollohet më nga një kundërshtar i huaj”.

Projektligji do të kërkonte nga ByteDance gjithashtu të heqë dorë nga kontrollimi i algoritmit të njohur të TikTok-ut, i cili i ushqen përdoruesit me përmbajtje bazuar në parapëlqimet e tyre.

Ekspertët kanë thënë se do të jetë sfidë për ByteDance ta shesë TikTok-un brenda pak muajve.

Nëse kompania vendos të mos e shesë atë, atëherë TikTok-u do të jetë i ndaluar në dyqane të aplikacioneve që i ofrojnë Apple dhe Google.

Pse i shqetëson TikTok-u ligjvënësit?

Ligjvënësit nga të dyja partitë – si dhe zyrtarët ligjorë dhe të inteligjencës – ka kohë që shprehin shqetësime se autoritetet kineze mund ta detyrojnë ByteDance-in t’ia dorëzojë të dhënat e më shumë se 170 milionë amerikanëve që e përdorin TikTok-un.

Shqetësimi i tyre buron nga një sërë ligjesh kineze të sigurisë kombëtare, të cilat i detyrojnë organizatat ta ndihmojnë vendin të grumbullimin e të dhënave të inteligjencës, ByteDance mund t’i nënshtrohet këtij ligji.

TikTok-u i ka hedhur poshtë pretendimet se mund të përdoret si mjet i Qeverisë kineze. Kjo kompani ka thënë se kurrë nuk i ka ndarë me autoritetet kineze të dhënat e përdoruesve amerikanë dhe se nuk do ta bëjë këtë edhe nëse i kërkohet.

Deri tani, Qeveria amerikane nuk ka dhënë dëshmi se TikTok-u ka ndarë të dhënat të tilla me autoritetet kineze.

Shqetësimet nuk janë vetëm për sigurinë. Zyra e drejtorit të Inteligjencës Kombëtare paralajmëroi të hënën në një raport se Qeveria kineze e ka përdorur TikTok-un për të ndikuar në zgjedhjet amerikane.

“Cak i llogarive të udhëhequra nga krahu propagandues i Kinës në TikTok ishin edhe kandidatët nga të dyja partitë politike në zgjedhjet afatmesme në SHBA më 2022”, thuhet në raport.

A do të mbyllet TikTok-u tani?

Jo. Senati duhet ta miratojë këtë projektligj gjithashtu, në mënyrë që ai të bëhet ligj. Por, është e paqartë se çfarë do të ndodhë në Senat, ku disa projektligje që kanë për qëllim ndalimin e TikTok-ut, kanë ngecur.

Presidenti amerikan, Joe Biden, ka thënë se ai do ta nënshkruajë projektligjin, nëse ligjvënësit e miratojnë. Nëse ndodh kjo, ByteDance do t’i ketë 180 ditë për ta shitur TikTok-un te një blerës i kualifikuar.

Ky propozim mund të sfidohet në gjykata nga TikTok-u, i cili ka ngritur padi kundër tentimeve për ta ndaluar këtë platformë në nivel kombëtar dhe shtetëror.

Çfarë ndodhi me tentimet e kaluara për ta ndaluar TikTok-un?

Më 2020, ish-presidenti amerikan, Donald Trump, u përpoq ta ndalojë platformën e rrjetit social përmes një urdhri ekzekutiv. Ai urdhër u shfuqizua më vonë nga gjykatat, pas padisë nga TikTok-u.

Administrata Trump e ndërmjetësoi gjithashtu një marrëveshje më 2020, sipas të cilës korporatat amerikane, Oracle dhe Walmart, do të siguronin aksione të mëdha në TikTok mbi baza të sigurisë kombëtare.

Por, shitja e atyre aksioneve nuk ndodhi asnjëherë për një numër arsyesh, ndër to Kina, e cila vendosi kontrolle më të rrepta të eksportit për ofruesit e vet të teknologjisë.

Reagimi i krijuesve të përmbajtjes në TikTok

Nëse ky projektligj bëhet ligj, do të jetë lajm i keq për bizneset e vogla, të cilat varen nga kjo platformë për marketing, apo të cilat shesin produktet e tyre në dyqanin e TikTok-ut – degën e-commerce të saj.

Ligji do të kishte ndikim edhe në jetën e influencerëve të rrjeteve sociale, të cilët shpenzojnë vite të tëra për të tërhequr ndjekës në këtë platformë dhe varen nga të hyrat prej kësaj platforme.

Përdoruesit e TikTok-ut

TikTok-u ua dërgoi një njoftim disa përdoruesve javën e kaluar duke u bërë thirrje t’i njoftojnë përfaqësuesit e tyre për masën, e cila u karakterizua si “Mbyllja e TikTok-ut”.

Kompania u tha përdoruesve se Kongresi po planifikon “ndalesë të plotë” ndaj platformës, e cila mund “t’i dëmtojë miliona biznese, ta shkatërrojë jetesën e krijuesve të shumtë në vend dhe t’ua mohojë artistëve një audiencë”.

Të enjten, shumë përdorues u përgjigjen duke i vërshuar me thirrje telefonike zyrat e Kongresit, duke i detyruar disa prej tyre t’i fikin telefonat.

A mund të kesh qasje në TikTok, nëse ai ndalohet?

Ekspertët thonë se përdoruesit ka mundësi të gjejnë mënyra për ta shmangur ndalesën.

Përdoruesit e aplikacionit mund të provojnë rrjete private virtuale, apo VPN, për ta fshehur lokacionin për t’i shmangur kufizimet e tilla, tha Roger Entner, analist dhe themelues i Recon Analytics.

Do të ishte sfiduese për Qeverinë luftimi i sjelljeve të tilla, sepse ka shumë shërbimeve të VPN-së, të cilat nuk kanë nevojë t’u përmbahen ligjeve amerikane, tha Entner.

Përgatiti: Ekrem Idrizi

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG