Ndërlidhjet

Komuniteti i inteligjencës amerikane: Dodik po merr hapa për shkëputjen de facto të Republikës Sërpska


Presidenti i Republikës Sërpska në Bosnjë e Hercegovinë, Millorad Dodik.
Presidenti i Republikës Sërpska në Bosnjë e Hercegovinë, Millorad Dodik.

Ballkani Perëndimor mbase do të përballet me një rrezik të shtuar të dhunës së lokalizuar ndëretnike gjatë vitit 2024, posaçërisht në Bosnjë e Hercegovinë ku lideri i serbëve të Bosnjës, Millorad Dodik, synon shkëputjen de facto të Republikës Sërpska, dhe në Kosovë ku tensionet u rritën skajshëm vitin e kaluar, tha komunitetit i inteligjencës amerikane në një raport të vlerësimit vjetor të kërcënimit në botë.

“Liderët nacionalistë ka shumë të ngjarë t’i acarojnë tensionet për përfitime politike, ndërsa aktorët e jashtëm do t'i shfrytëzojnë dallimet etnike për ta rritur apo mbrojtur ndikimin e vet rajonal, apo për të mos e lejuar integrimin më të madh të Ballkanit në institucionet euroatlantike dhe të Bashkimit Evropian”, thuhet në raportin e publikuar muajin e kaluar.

Në raportin e Zyrës së drejtorit të Inteligjencës Kombëtare thuhet se “përleshjet mes nacionalistëve serbë dhe autoriteteve kosovare kanë shkaktuar vdekje dhe lëndime, përfshirë lëndimin e paqeruajtësve të NATO-së në vitin 2023”.

Më 29 maj 2023, gjatë protestave të vazhdueshme të serbëve në komunat veriore, ishin sulmuar dhe kishin pësuar lëndime 30 ushtarë të KFOR-it.

Më 24 shtator 2023, një grup i serbëve të armatosur e sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit, duke e vrarë rreshterin Afrim Bunjaku. Gjatë përleshjeve që pasuan, u vranë tre sulmues serbë.

Kosova e fajësoi Serbinë për sulmin duke thënë se ajo tentoi “ta aneksojë” veriun, por Serbia e mohoi çdo përfshirje.

Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, e shtoi numrin e trupave pas sulmit të 24 shtatorit, ku tani i ka 4.500 pjesëtarë.

Në lidhje me Bosnjë e Hercegovinën, raporti thekson se “lideri i serbëve të Bosnjës, Millorad Dodik, po ndërmerr hapa provokues për ta neutralizuar mbikëqyrjen ndërkombëtare në Bosnjë dhe për ta siguruar ndarjen de facto për Republikën e tij Sërpska”.

“Veprimi i tij mund t’i nxisë liderët e popullsisë boshnjake [myslimanët e Bosnjës] t’i rrisin kapacitetet e veta për t’i mbrojtur interesat e veta dhe kështu mbase të nxisin konflikte të dhunshme, të cilat mund t’i tejkalojnë forcat paqeruajtëse”, thuhet në raport.

Dodik, presidenti i Republikës Sërpska, është duke u përpjekur tash e dy vjet që entiteti i Bosnjë e Hercegovinës të marrë pushtetin e shtetit dhe të krijojë institucione paralele, duke kërcënuar se Republika Sërpska do të ndahet nga Bosnja e Hercegovina përgjithmonë.

Për shkak të “aktiviteteve të tij kundër marrëveshjes së Dejtonit”, Dodik është në listën e sanksioneve të Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe.

Dodik më herët ka deklaruar se nuk ka frikë nga paralajmërimet amerikane dhe ka kërcënuar se do ta kthejë kufirin e entitetit në kufi shtetëror.

Ambasada amerikane në Sarajevë paralajmëron për rrezikun e politikës separatiste të Dodikut, duke deklaruar se ajo "vë në rrezik perspektivën evropiane të Bosnjë e Hercegovinës, demokracinë dhe ekonominë e saj".

Roli i drejtorit të Inteligjencës Kombëtare amerikane është ta mbikëqyrë dhe ta drejtojë zbatimin e Programit të Inteligjencës Kombëtare dhe të veprojë si këshilltar parimor i presidentit amerikan, i Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Atdheut për çështjet e inteligjencës në lidhje me sigurinë kombëtare.

Ai emërohet nga presidenti me këshillimin dhe pajtimin e Senatit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG