Ndërlidhjet

Bislimi paralajmëron masa mbrojtëse, refuzon takimin në Bruksel për dinarin


Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se Qeveria e Kosovës shpejt do të prezantojë dhjetë masa lidhur me mënyrat se si qytetarët të mos dëmtohen gjatë “fazës kalimtare” të zbatimit të vendimit, që ndalon përdorimin e dinarit serb për kryerjen e pagesave. Megjithatë, zyrtari qeveritar tha se për çështjen e dinarit nuk do të marrë pjesë në një takim të thirrur në Bruksel nga Bashkimi Evropian, që ndërmjetëson dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Që nga 1 shkurti, në Kosovë ka hyrë në fuqi rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës që parasheh euron si valutën e vetme në Kosovë për kryerjen e pagesave me para të gatshme.

Gjatë një tryeze me temën “Zhvillimi ekonomik për serbët në Kosovë”, Bislimi tha se janë të vetëdijshëm për vështirësitë që mund të krijojë rregullorja e BQK-së te serbët në Kosovë.

“Ne jemi të vetëdijshëm që në afat të shkurtër zbatimi i kësaj mase mund të krijojë vështirësi për një pjesë të qytetarëve të cilët kanë marrë dhe vazhdojnë të marrin mbështetje financiare nga Republika e Serbisë. Banka Qendrore [e Kosovës] ka nxjerrë një varg aktivitetesh dhe masash përmes së cilave synon ta zbusë këtë ndikim”, tha Bislimi.

“Por, në ditët në vijim edhe Qeveria e Kosovës do të dalë me një listë prej dhjetë masash përmes së cilave ne do të tregojmë se si do të kujdesemi që qytetarët të mos dëmtohen në këtë fazë kalimtare, por fazë e cila do të garantonte pastaj zbatimin në plotëni të sistemit të pagesave”, tha ai.

Bislimi tha gjithashtu se shqetësimi i pjesëtarëve të komuniteti serb në lidhje me ndalimin e dinarit duhet të “adresohet”, por jo të “dramatizohet”.

"Duhet të bien dakord për një mekanizëm për sigurimin e këtyre mjeteve [në dinarë nga buxheti i Serbisë] që të arrijnë në Kosovë, si mund të konvertohet dinari në euro dhe të hiqet dinari nga qarkullimi. [Banka] NLB ka degë edhe në Kosovë edhe në Serbi. Do të thotë, ka mundësi, por duhet vullnet”, tha Bislimi.

Bislimi tha se BQK-ja i është drejtuar Bankës Popullore të Serbisë në mënyrë që të gjendet një zgjidhje, por deri më tani nga ky institucion nuk kanë marrë asnjë përgjigje.

Kosova insiston në komunikim të drejtpërdrejtë me institucionet kompetente të Serbisë në mënyrë që të gjendet një zgjidhje për përfitimet financiare që marrin serbët në Kosovë nga buxheti i Serbisë. Por, Beogradi zyrtar e refuzon këtë dhe kërkon që çështja të ngrihet në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Pas takimit, Bislimi, i cili është kryenegociator i Kosovës në dialogun me Serbinë, tha se ka refuzuar një ftesë të Brukselit për të diskutuar lidhur me çështjen e ndalimit të dinarit serb në Kosovë.

Bislimi tha se ndërmjetësi evropian, Mirosllav Lajçak, i ka dërguar atij një ftesë për takim javën e ardhshme lidhur me çështjen që ka të bëjë me transferet e monedhave nga Serbia në Kosovë, pasi që nga 1 shkurti në Kosovë po zbatohet një rregullore që parasheh euron si valutën e vetme për pagesa.

“Por, ky nuk është takim ku duhet të shkojë kryenegociatori për arsye se çështja e dinarit nuk është pjesë e dialogut. Unë shkoj atëherë kur bisedohet për Marrëveshjen Bazike. Kështu që do të shohim se kush do të shkojë që të bisedojë për dinarin, por nuk është nga ekipi i kryenegociatorit”, tha Bislimi.

Bislimi tha Lajçak me dërgimin e kësaj ftese ka shkelur “parimet që i ka vendosur vetë”, pasi sipas Bislimit, “është hera e parë që ai ka caktuar një takim pa dakordim parapak me palët dhe është munduar që të përcaktojë agjendën përkundër parimet që ai ka vendosur në vitin 2021, që asnjë temë nuk vendoset në agjendë pa dakordim të palëve”.

Më herët, Bashkimi Evropian ka kërkuar që çështja e rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës për operacione me para të gatshme të diskutohet në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve. Po ashtu, edhe autoritetet bankare në Serbi kanë kërkuar që kjo çështje të përfshihet në dialogun në Bruksel.

Shteti serb ndan miliona euro për serbët në Kosovë pasi ua paguan atyre – përmes një sistemi paralel - rrogat, pensionet dhe ndihmën shtesë.

Në vende të caktuara në Graçanicë, qytetarët serbë më 20 shkurt nuk kanë mundur të marrin ndihmën sociale dhe shtesat për fëmijë në postë, që punon sipas sistemit serb, sepse punonjësit u kanë thënë se nuk kanë para për t’i paguar këto shtesa.

Po ashtu, më 21 shkurt një grup i mësimdhënësve në Mitrovicë të Veriut protestuan para Kursimores së Postës së Serbisë, pasi nuk morën pagat.

Beogradi e ka kritikuar ashpër rregulloren e BQK-së, duke e interpretuar si synim të Qeverisë së Kosovës për dëbim të serbëve.

Rregullorja e BQK-së është kritikuar edhe nga faktori ndërkombëtar që ka thënë se vendimi është marrë pa konsultime paraprake dhe pa marrë për bazë ndikimin te komuniteti serb.

Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar që Kosova të shtyjë zbatimin e vendimit, duke argumentuar se mospërmbushja e kësaj kërkese veçse ka ndikuar te cilësia e raporteve mes Uashingtonit dhe Prishtinës.

BQK-ja ka thënë se vendimi do të zbatohet përmes një faze tranzitore jo më të gjatë se tre muaj.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG