Ndërlidhjet

Ç'është Sora, programi i ri i inteligjencës artificiale që krijon video nga teksti?


Fotografi që shfaq një sekuencë nga një video e gjeneruar nga mjeti i ri i inteligjencës artificale, Sora, i krijuar nga kompania OpenAI.
Fotografi që shfaq një sekuencë nga një video e gjeneruar nga mjeti i ri i inteligjencës artificale, Sora, i krijuar nga kompania OpenAI.

Prodhuesi i programit ChatGPT ka bërë hapin e tij të radhës në fushën e inteligjencës artificiale gjeneruese, me një mjet të ri që krijon aty për aty video të shkurtra, sipas komandave me shkrim që i merr.

Shndërruesi i tekstit në video nga OpenAI, i quajtur Sora, nuk është i pari i llojit të tij. Google, Meta dhe Runway ML janë në mesin e kompanive të tjera që kanë demonstruar teknologji të ngjashme.

Por, cilësia e lartë e videove të prezantuara nga OpenAI – disa prej tyre pasi shefi ekzekutiv i kompanisë nga San Francisko i pyeti përdoruesit e mediave sociale që të dërgojnë ide për komanda të shkruara – mahniti publikun, teksa rriti frikën për implikimet etike dhe shoqërore.

“Një kurs gatimi për njoki shtëpie, të cilin e mban një gjyshe, personalitet i mediave sociale, në kuzhinën e një shtëpie fshatarake diku në Toskanë, me ndriçim kinematik” – kjo ishte kërkesa e sugjeruar në platformën X, që dikur njihej si Twitter, nga një fotograf i pavarur nga Nju-Hempshëri.

Altman iu përgjigj pas një kohe të shkurtër, duke publikuar një video që paraqiste atë që ishte përshkruar në kërkesë.

Ai publikoi edhe video të tjera, përfshirë një që shfaqte dy qen duke realizuar një podkast në një mal, dhe një tjetër që shfaqte “një gjysmë patë e gjysmë dragua që fluturon gjatë një perëndimi të bukur, duke mbajtur një brejtës të pajisur për udhëtim në shpinën e tij”.

A është Sora në dispozicion për publikun dhe a është falas?

Mjeti nuk është ende në dispozicion për përdorim publik, ndërsa OpenAI ka zbuluar pak informata për mënyrën e krijimit të tij.

Kompania, e cila është paditur nga disa autorë dhe nga gazeta The New York Times për shkeljen e të drejtës së autorit me përdorimin e shkrimeve për trajnimin e ChatGPT-së, po ashtu nuk ka zbuluar se çfarë burime imazhesh dhe videosh janë përdorur për ta trajnuar Sora-n.

OpenAI ka thënë nëpërmjet një njoftimi se po diskuton me artistë, politikëbërës dhe të tjerë, para se të vendosë për ofrimin e mjetit të ri për të gjithë.

Tash për tash, Sora është falas për testuesit, të cilëve do t’ju jepet qasje e hershme. Por, nuk dihet nëse OpenAI do ta bëjë programin me pagesë kur ta lëshojë për publikun e gjerë. Kompania tashmë ka nxjerrë versione me pagesë të ChatGPT-së dhe të mjetit të saj për krijimin e fotografive, Dall-E.

A është Sora e sigurt?

OpenAI ka bërë të ditur se po punon me profesionistë – “ekspertë të fushave si keqinformimi, përmbajtja me gjuhë të urrejtjes dhe anshmëria, të cilët do ta testojnë modelin si kundërshtarë”.

“Ne, po ashtu, po ndërtojmë mjete për të ndihmuar në detektimin e përmbajtjes mashtruese, si, për shembull, një që mund të tregojë nëse një video është gjeneruar nga Sora”, ka njoftuar OpenAI.

Ky mjet detektimi do të “kontrollojë dhe refuzojë komandat me shkrim që shkelin politikat e përdorimit” të Sora-s, në rastet kur një përdorues kërkon përmbajtje me dhunë ekstreme, seksuale apo urrejtëse, apo përmbajtje që lidhen me ngjashmërinë me të famshëm apo me pronën intelektuale të të tjerëve, ka bërë të ditur OpenAI.

Kompania, e cila mbështetet nga Microsoft-i, ka thënë se Sora “mund të gjenerojë video me gjatësi deri në një minutë, duke ruajtur cilësinë vizuale dhe duke vepruar në përputhje me komandën e përdoruesit”.

Modeli i ri i inteligjencës artificiale mundet, po ashtu, të përdorë një fotografi ekzistuese dhe të gjenerojë një video nga ajo.

Megjithatë, OpenAI ka paralajmëruar se “modeli aktual ka të meta”, teksa e përzien të majtën dhe të djathtën, ose nuk arrin të ruajë vazhdimësinë vizuale gjatë tërë videos.

Përgatiti: Trim Haliti
Bazuar në raportime nga Associated Press dhe AFP

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG