Ndërlidhjet

Serbia merr sistem antidron nga Rusia, pavarësisht sanksioneve ndërkombëtare shkaku i Ukrainës


Shfaqja e armatimit dhe pajisjeve ushtarake në Nish, Serbi, 14 shkurt 2024.
Shfaqja e armatimit dhe pajisjeve ushtarake në Nish, Serbi, 14 shkurt 2024.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka prezantuar të mërkurën një sistem rus për mbrojtje ndaj dronëve, të quajtur Repellent.

Ky sistem mbërriti në Serbi disa muaj më parë, edhe pse hapësira ajrore e këtij vendi është pothuajse tërësisht e rrethuar nga vendet anëtare të NATO-s, të cilat janë pajtuar për sanksione të Perëndimit kundër Rusisë.

Serbia është vendi i vetëm evropian që nuk ka pranuar të rreshtohet me Bashkimin Evropian për ta sanksionuar Moskën pas pushtimit që ia bëri Ukrainës para gati dy vjetëve.

Ajo është gjithashtu vendi i vetëm evropian që vazhdon të nënshkruajë marrëveshje bashkëpunimi me Moskën.

Ky sistem ka për qëllim pengimin e kontrollit të dronëve dhe e mbulon një sipërfaqe prej 30 kilometrash, u tha gjatë shfaqjes së armëve dhe pajisjeve ushtarake në qytetin jugor të Serbisë, Nish, gjatë një feste Kombëtare të Serbisë.

Në fund të janarit, Vuçiqi paralajmëroi për prezantimin e një sistemi të tillë antidron, por ai nuk tregoi se kur e mori Serbia saktësisht sistemin e ri, përveç se shtoi se “Serbia ka paguar për të shumë kohë më parë”.

Më 14 shkurt, gjatë shfaqjes së armëve në Nish, lideri serb paralajmëroi për investime shtesë në pajisje për Forcat e Armatosura të Serbisë, posaçërisht në artileri.

Ai tha se 300 milionë euro janë duke u investuar në prodhimet e industrisë vendore.

Vuçiq njoftoi gjithashtu se dronë shtesë, CH-95, do të blihen nga Kina, njoftoi agjencia e lajmeve Beta.

Për shkak të bashkëpunimit me Rusinë dhe Kinën në fushën e mbrojtjes, Serbia, si kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE), është kritikuar vazhdimisht nga Brukseli.

Ajo ka blerë vazhdimisht pajisje ushtarake dhe armë nga Rusia prej vitit 2016.

Megjithatë, që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës në shkurt 2022, asnjë kontratë e re për prokurimin e armëve nuk është lidhur. Vuçiq deklaroi në mesin e shtatorit 2022 se një pjesë e dërgesave të mëparshme nuk kishin mbërritur për shkak të luftës në Ukrainë.

Në mesin e atyre dërgesave të mëparshme, në atë kohë u përmend edhe sistemi antidron, Repellent.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG