Ndërlidhjet

Netanyahu refuzon kërkesat e Hamasit për armëpushim


Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu. Fotografi nga arkivi.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu. Fotografi nga arkivi.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka refuzuar kushtet e vendosura nga Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – për një marrëveshje armëpushimi dhe lirimin e pengjeve.

Ai i cilësoi kushtet e Hamasit si “absurde”, duke kundërshtuar çdo marrëveshje që do t’i mundësonte këtij grupi që të kishte nën kontroll të plotë apo të pjesshëm Gazën pasi të përfundojë lufta.

Më 7 shkurt, ai u zotua se Izraeli do të vazhdojë luftën kudër Hamasit, derisa të arrihet “fitorja absolute”.

Lufta mes Izraelit dhe Hamasit veçse ka hyrë në muajin e pestë dhe është lufta më vdekjeprurëse në histori që palët kanë zhvilluar.

Këto deklarata Netanyahu i bëri pasi u takua me sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, i cili qëndroi në Izrael, në kuadër të një turneu rajonal, me shpresën që të arrihet një marrëveshje armëpushimi.

“Dorëzimi para kërkesave absurde të Hamasit që tashmë i kemi dëgjuar, jo vetëm që nuk do të çojë deri te lirimi i pengjeve, por do të jetë një ftesë për kryerjen e një masakre të re”, tha Netanyahu gjatë një konference për media.

“Ne jemi në rrugën drejt fitores absolute”, tha ai, duke shtuar se operacioni ushtarak do të zgjasë për muaj të tërë e jo vite.

“Nuk ka zgjidhje tjetër”, tha ai.

Ai refuzoi çdo marrëveshje që do t’i mundësonte Hamasit të kishte kontrollin e ndonjë pjese të Gazës.

Netanyahu po ashtu tha se Izraeli është “e vetmja fuqi” që ka aftësi të garantojë siguri në terma afatgjatë.

Më herët, Blinken tha se “ka shumë punë” për të tejkaluar dallimet mes Izraelit dhe Hamasit për kushtet e një marrëveshjeje të re armëpushimi dhe lirimin e pengjeve.

Hamasi ka shpalosur një plan prej tri fazash, që do të zbatohej në një periudhë prej katër muajsh e gjysmë, duke çuar drejt fundit të luftës dhe lirimit të të gjitha pengjeve, në këmbim të lirimit të të burgosurve palestinezë, dhe përfundimin e luftës.

Izraeli ka vendosur si qëllim shkatërrimin e aftësive ushtarake dhe qeverisëse të Hamasit, por plani i prezantuar nga grupi radikal në mënyrë efektive do ta linte atë në pushtet në Gazë, dhe do t’i mundësonte që të rindërtonte aftësitë ushtarake.

Presidenti amerikan, Joe Biden, ka thënë se kërkesat e Hamasit “janë pak të tepërta”, por negociatat do të vazhdojnë.

Lufta mes Izraelit dhe Hamasit – që është konflikti më vdekjeprurës mes palëve në histori – nisi pasi Hamasi kreu sulm më 7 tetor në jug të Izraelit, duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke rrëmbyer afër 250 të tjerë.

Izraeli u kundërpërgjigj me një ofensivë tokësore, ajrore dhe detare në Rripin e Gazës, shtëpi e 2.3 milionë palestinezëve. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazën e udhëhequr nga Hamasi, deri më tani janë vrarë mbi 27.000 palestinezë. Kjo ministri nuk bën dallimin mes civilëve dhe luftëtarëve të vrarë, por ka thënë se shumica e viktimave ishin gra dhe fëmijë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG