Ndërlidhjet

Infektologët kërkojnë shpalljen e epidemisë së kollës së keqe në Shkup


Një punonjëse shëndetësore në spitalin e Shkupit - Fotografi ilustruese nga arkivi.
Një punonjëse shëndetësore në spitalin e Shkupit - Fotografi ilustruese nga arkivi.

Komisioni për sëmundje infektive në Maqedoninë e Veriut ka kërkuar shpalljen e epidemisë së kollës së keqe (pertusis) në Shkup, për shkak të rritjes së rasteve me të prekur.

Sipas të dhënave të Komisionit të publikuara të mërkurën, janë gjithsej 18 persona të prekur nga kolla e keqe dhe prej tyre, 14 raste janë regjistruar në Shkup.

Vendimi i Komisionit duhet të miratohet nga Qeveria teknike e Maqedonisë së Veriut dhe shihet si “masë për të parandaluar përhapjen e infeksionit”.

Kolla e keqe është paraqitur nga fundi i dhjetorit të vitit 2023 dhe në mesin e prekurve ishin dy foshnje në gjendje të rëndë shëndetësore.

“Duke marrë parasysh shifrat e fundit, 18 raste të konfirmuara të kollës së madhe dhe duke pasur parasysh se ditëve të fundit ky numër është në rritje, veçanërisht në territorin e Shkupit, ku janë konfirmuar 14 raste, propozojmë që të rekomandohet shpallja e epidemisë në Shkup”, ka thënë të mërkurën, kryetari i Komisionit për sëmundje infektive, Aleksandar Petliçkovski.

Komisioni ka kërkuar nga kopshtet dhe shkollat të mos pranojnë fëmijë të pavaksinuar me vaksinën DTP.“Kjo tingëllon paksa e frikshme, por në realitet duhet të na lehtësojë përballimin e rrezikut që vjen me kollën e keqe. Në atë drejtim ne jemi duke u përgatitur, gjegjësisht presim që të nxjerrim një udhëzim të përgatitur për trajtimin e gjendjeve epidemike nga Instituti i Shëndetit Publik dhe aktivitetet kyçe kanë për synim përfundimin e vaksinimit”, ka thënë Petliçkovski.

Sipas tij, përhapja e kollës është pasojë e mosvaksinimit të popullatës.

Nga Komisionit për sëmundje infektive thonë se “vaksina DTP mbron nga bakteret që shkaktojnë tri sëmundje ku bën pjesë edhe ‘pertusis’ ose kolla e keqe”.

Sipas raportit vjetor të Institutit të Shëndetit Publik për vaksinimin e kryer në Maqedoninë e Veriut në vitin 2022, mbulimi me vaksinim primar me tri doza të vaksinës DTP është vetëm 83.9 për qind në nivel të shtetit.

Lexoni edhe këto:

Maqedonia e Veriut telashe nga mosvaksinimi i fëmijëve

Bie përqindja e vaksinimit të fëmijëve në Maqedoninë e Veriut, gjobiten prindërit

Mosbesim ndaj vaksinave si pasojë e lajmeve të rreme

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG