Ndërlidhjet

Hamasi jep miratim “fillestar” për planin e armëpushimit në Gazë


Një njësi e artilerisë mobile e Izraelit duke sulmuar drejt Gazës nga kufiri mes Izraelit dhe Gazës. 1 shkurt 2024.
Një njësi e artilerisë mobile e Izraelit duke sulmuar drejt Gazës nga kufiri mes Izraelit dhe Gazës. 1 shkurt 2024.

Luftimet në Gazë vazhduan edhe më 2 shkurt, teksa u raportua për dhjetëra të vrarë gjatë natës. Këto njoftime erdhën në kohën kur Katari tha se Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – ka dhënë miratim “fillestar” për një marrëveshje për lirimin e pengjeve, në këmbim të të burgosurve.

Një marrëveshje e tillë do të pauzonte luftën mes radikalëve palestinezë dhe Izraelit.

Ministria e Shëndetësisë në Gazën e udhëhequr nga Hamasi tha se 105 persona janë vrarë brenda 24 orëve të fundit, përderisa janë raportuar bombardime dhe luftime në Han Junis, qytetin në jug të Gazës.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Katarit, Majed al-Ansari, tha se gjatë bisedimeve të fundit në Paris, mes zyrtarëve të Katarit, Shteteve të Bashkuara, Izraelit dhe Egjiptit, është diskutuar për një propozim për armëpushim në Gazë.

“Propozimi është miratuar nga pala izraelite dhe tani kemi konfirmim pozitiv fillestar edhe nga pala e Hamasit”, tha ai.

Ansari tha se ka shpresë për “lajme të mira” lidhur me një fazë të re në luftën në Gazë, duke paralajmëruar se mund të ketë lëvizje në këtë drejtim “në javët në vijim”.

Plani i armëpushimit përfshin lirimin në faza të mbi 100 pengjeve që Hamasi rrëmbeu gjatë sulmit të 7 tetorit në Izrael. Në nëntor u lirua një pjesë e pengjeve në këmbim të lirimit të qindra të burgosurve palestinezë në Izrael. Po ashtu, plani për armëpushim prej dy muajsh, parasheh ndërprerjen e luftimeve, që do të mundësonte dërgimin e ndihmës më të madhe humanitare në Gazë.

Izraeli nisi ofensivën e tij në Rripin e Gazës, pas sulmit të Hamasit në jug të Izraelit. Si pasojë e sulmeve izraelite, në Gazën prej 2.3 milionë banorësh, deri më tani janë vrarë mbi 27.000 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në këtë territor. Megjithatë, ky institucion nuk bën dallimin mes civilëve dhe luftëtarëve të vrarë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG