Ndërlidhjet

GJND-ja nuk urdhëron armëpushim në Gazë, i kërkon Izraelit të parandalojë vdekjet dhe dëmet


Një prej seancave në Hagë, lidhur me rastin e ngritur kundër Izraelit. Janar, 2024.
Një prej seancave në Hagë, lidhur me rastin e ngritur kundër Izraelit. Janar, 2024.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë nuk ka urdhëruar të premten armëpushim në Gazë, por i ka kërkuar Izraelit që t’i marrë të gjitha masat për të parandaluar akte të gjenocidit.

Gjykata ka thënë se ka juridiksion për të vendosur për masa urgjente, të kërkuara nga Afrika e Jugut, në rastin kundër Izraelit, në luftën e tij kundër Hamasit në Gazë.

Hamasi, grup palestinez që udhëheq Rripin e Gazës, është shpallur organizatë terroriste prej Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.

Gjykata nuk ka marrë vendim në kërkesën e Afrikës së Jugut nëse ka ndodhur gjenocid në Gazë.

Megjithatë, e ka njohur të drejtën e palestinezëve në Gazë që të mbrohen prej akteve të gjenocidit.

Reagimet pas vendimit

Afrika e Jugut e ka konsideruar vendimin e GJND-së, për të trajtuar rastin e hartuar nga ajo, si “fitore vendimtare” për rendin dhe ligjin ndërkombëtar.

“Afrika e Jugut shpreson, sinqerisht, që Izraeli nuk do të veprojë për të penguar aplikimin e këtij urdhri, siç ka kërcënuar publikisht, mirëpo do ta zbatojë atë plotësisht, sikurse i kërkohet”.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë se akuza e gjenocidit, që është ngritur kundër Izraelit në GJND, ka qenë “mizore”, dhe ka thënë se do të bëjë gjithçka për ta mbrojtur veten.

“Sikur çdo shtet tjetër, Izraeli gëzon të drejtën e mbrojtjes së vetvetes”, ka thënë ai, përmes një deklarate në gjuhën angleze.

“Përpjekja e ndyrë për t’ia mohuar Izraelit këtë të drejtë themelore, është diskriminim flagrant kundër shtetit hebre, dhe me të drejtë është refuzuar”.

Çfarë tha tjetër GJND-ja?

Gjykata ka thënë se Izraeli duhet të marrë masa për të përmirësuar situatën humanitare në Gazë.

Sipas saj, Izraeli duhet t’i raportojë gjykatës brenda një muaji, për të treguar se çfarë po bën për të zbatuar urdhrin.

Ndalja e luftimeve në Gazë ka qenë kërkesa kryesore e Afrikës së Jugut.

Si pasojë e operacionit ushtarak të Izraelit në Gazë, janë vrarë më shumë se 25.000 palestinezë, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze.

Kryetarja e trupit gjykues, Joan Donoghue, ka thënë se gjykata është “thellësisht e shqetësuar” nga vazhdimi i humbjes së jetëve dhe vuajtjeve të njerëzve.

Izraeli i ka shpallur luftë Hamasit më 7 tetor 2023, pak pasi grupi ka kryer sulme vdekjeprurëse në tokën e tij, duke i lënë rreth 1.200 njerëz të vrarë dhe duke marrë mbi 240 pengje.

Disa janë liruar ndërkohë.

Kombet e Bashkuara dhe agjenci ndërkombëtare për ndihmë, vlerësojnë se luftimet kanë shkaktuar katastrofë humanitare në Gazë, pasi një çerek i këtij territori, me 2.3 milionë banorë, po përballet me uri.

Johanesburgu beson se Izraeli është duke vepruar në kundërshtim me Konventën e OKB-së për Gjenocid, të vitit 1948, e cila është hartuar pas Luftë së Dytë Botërore dhe Holokaustit.

Afrika e Jugut dhe Izraeli janë pjesë e Konventës së OKB-së për Gjenocid.

Sipas Konventës së OKB-së, akte të gjenocidit janë vrasja e pjesëtarëve të një grupi, shkaktimi i dëmtimeve serioze trupore ose mendore të një grupi, dhe krijimi i qëllimshëm i kushteve me idenë e shkatërrimit të një grupi, plotësisht apo pjesërisht.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG