Drejtoria kryesore e inteligjencës së Ukrainës tha se nuk ka “informacion të besueshëm dhe gjithëpërfshirës” se kush ishte në bordin e një avioni transportues ushtarak rus, që u rrëzua në rajonin e Belgorodit pranë kufirit me Ukrainën.
Si pasojë e rrëzimit të avionit u vranë të 74 personat që gjendeshin në të.
Rusia ka akuzuar Ukrainën se me qëllim ka rrëzuar avionin, që tha se po transportonte 65 ushtarë ukrainas, të kapur gjatë luftës, të cilët po transportoheshin për këmbim.
Drejtoria kryesore e inteligjencës konfirmoi se këmbimi i të burgosurve ishte planifikuar më 24 janar dhe se Ukraina kishte përmbushur të gjitha marrëveshjet për t’u përgatitur për këmbim.
“Të burgosurit rusë të luftës u dorëzuan me kohë në pikën e këmbimit”, u tha në njoftimin e inteligjencës ukrainase të publikuar në Facebook.
Inteligjenca ushtarake ukrainase tha se Kievit nuk i është kërkuar që të sigurojë hapësirën ajrore përreth zonës së Belgorodit, siç kishte ndodhur në rastet kur më herët janë këmbyer të burgosurit e luftës.
Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, tha se Rusia ka kërkuar një mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për të diskutuar për rrëzimin e avionit, të cilin ai e cilësoi si akt “kriminal” nga Ukraina.
“Të burgosurit ukrainas të luftës po transportoheshin për në rajonin e Belgorodit në mënyrë që të realizohej edhe një këmbim i të burgosurve, në bazë të një pajtimi mes Moskës dhe Kievit”, tha Lavrov gjatë një konference për media në OKB.
“Në vend të kësaj, pala ukrainase kreu një sulm me raketa nga rajoni i Harkivit. Ajo goditi avionin me një sulm fatal”.
Inteligjenca ushtarake ukrainase tha se akuzat e Rusisë se Kievi ka rrëzuar avionin transportues mund të jenë “një veprim i planifikuar për të destabilizuar situatën në Ukrainë dhe për të dobësuar mbështetjen ndërkombëtare për shtetin tonë”.
Më herët gjatë 24 janarit, guvernatori rajonal i Belgorodit, njoftoi se të 74 personat në bordin e avionit kishin vdekur.
“Aeroplani është rrëzuar në rajonin Koroçanski. Është rrëzuar afër një zone të populluar. Të gjithë në bord kanë vdekur”, ka thënë guvernatori rajonal, Vyacheslav Gladkov, përmes një postimi në Telegram.
Në disa video të publikuara në rrjetet sociale, duket se aeroplani ushtarak transportues ka qenë i modelit Ilyushin Il-76.
Më herët, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka refuzuar të komentojë rrëzimin e aeroplanit, duke thënë se është ende duke mbledhur informacione për incidentin.
Megjithatë, ligjvënësi rus dhe gjenerali i pensionuar, Andrei Kartapolov, e ka akuzuar Ukrainën për rrëzim të aeroplanit, derisa mediumi ukrainas “Ukrainska Pravda,” i ka cituar disa burime brenda ushtrisë ukrainase, kur ka raportuar se ushtria e këtij vendi ka dhënë sinjale se rrëzimi ka qenë “puna e tyre”, duke shtuar se aeroplani ka qenë duke bartur raketa për sistemin rus për mbrojtje ajrore S-300.
Ky medium më vonë e ka fshirë këtë postim.
Moska dhe Kievi kanë këmbyer disa herë të burgosur, prej kur Kremlini e ka nisur luftën në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022.
Ministria ruse e Mbrojtjes ka raportuar më herët që një dron është rrëzuar në rajon, mirëpo nuk ka dhënë më shumë hollësi.