Shtetet e Bashkuara i kanë bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të rishqyrtojë vendimin e autoriteteve financiare për paratë e gatshme, me anë të të cilit ndalohet përdorimi i dinarit serb në Kosovë.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë të mërkurën që Kushtetuta duhet të zbatohet në tërësi.
Ditë më parë, Banka Qendrore e Kosovës, e ka miratuar një rregullore për operacionet me para të gatshme që parasheh euron si monedhën e vetme për kryerjen e transaksioneve.
“Valuta e vetme e lejuar të përdoret për kryerjen e transaksioneve të pagesave me para të gatshme dhe në sistemin e pagesave në Republikën e Kosovës është euro, si valutë e vetme edhe në kuptim të nenit 11 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës".
Sipas nenit 11 të Kushtetutës, "në Republikën e Kosovës si mjet i vlefshëm pagese përdoret një valutë e vetme".
Kjo rregullore parashihet të hyjë në fuqi më 1 shkurt.
Radio Evropa e Lirë e ka kontaktuar guvernatorin e BQK-së, Ahmet Ismaili, lidhur me kërkesën e SHBA-së, por nuk ka marrë ndonjë përgjigje.
Deklarata e Bislimit
Në një konferencë për media me Ministrin për Çështje Evropiane të Republikës Çeke, Martin Dvorak, Bislimi ka insistuar në zbatim të Kushtetutës në të gjitha rastet.
“Kushtetuta, ose është e shenjtë, dhe duhet të zbatohet, ose pastaj bëjmë "cherry picking" [përzgjedhjen më të favorshme]. Nëse duhet të bëjmë "cherry picking", po e bëjmë ne. Nëse duhet të zbatohet, atëherë insistoni që të zbatohet në të gjitha rastet”, ka thënë ai.
Në Kosovë, në të gjitha vendbanimet me shumicë serbe, popullsia përdor dinarin serb për të kryer pagesa dhe ata që punojnë në institucionet serbe në Kosovë, i marrin edhe pagat me dinarë.
Me dinarë paguhen edhe pensionet, sipas sistemit serb, si dhe shtesat për fëmijë dhe ndihmat sociale.
Në objektet tregtare, në zonat ku banojnë serbët në Kosovë, përveç euros, përdoret edhe dinari.
Një zëdhënës i Ambasadës amerikane në Prishtinë, i ka thënë Radios Evropa e Lirë, se Qeveria e Kosovës duhet të konsultohet me komunitetet e prekura nga ky vendim, t’i adresojë shqetësimet e shprehura prej komunitetit ndërkombëtar, dhe të ofrojë kohë për zbatim të vendimit, për të zbutur ndikimin që mund të ketë ai te banorët për të cilët vlen.
“Ne jemi të shqetësuar që rregullorja e miratuar më 27 dhjetor, do të ketë ndikim negativ te komuniteti serb në Kosovë. Sipas ligjeve të Kosovës, si dhe në bazë të zotimeve që ka marrë Kosova me Planin e Ahtisarit, Serbia ka të drejtë t’iu dërgojë ndihmë financiare pjesëtarëve të komunitetit serb në Kosovë”.
Newsletter
Gjithçka që duhet të dini për temën më të diskutuar të javës jua sjellim të enjteve në tre minuta. Për t’i pranuar të parët materialet në emailin tuaj, regjistrohuni këtu.
Plani i Ahtisaarit është dokumenti mbi bazën e të cilit është shpallur pavarësia e Kosovës dhe janë hartuar Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës.
Dinarët kanë ardhur në Kosovë nga Serbia përmes Bankës Kombëtare të Serbisë, e cila ka një kasafortë në Leposaviq, komunë në veri të Kosovës e banuar me shumicë serbe. Paratë atje janë transportuar nga kompania e transportit të parave “Henderson”.
Në rregulloren e BQK-së është thënë se importi dhe eksporti i kartëmonedhave dhe monedhave metalike euro dhe valutave të tjera në Kosovë janë e drejtë ekzekutive e saj.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka thënë se secili prej qytetarëve të Republikës së Kosovës që ka vepruar në kundërshtim me vendimin e BQK-së “ka qenë në vazhdimësi në anën e shkelësit të ligjit”.
Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, e pati quajtur vendimin e BQK-së si “befasi të pakëndshme”.
Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar – pati thënë se ky vendim i “regjimit të Albin Kurtit” është “vendim për dëbimin e serbëve nga këto zona pa përdorimin e armëve”.
Mes tjerash në reagim, Ambasada amerikane ka rikujtuar pse Kosova duhet të formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.
“Asociacioni është mekanizmi primar, përmes së cilit Serbia do të mund të ofronte ndihmë financiare për institucionet dhe individët, nën kornizën ligjore të Kosovës”.
Sipas saj, "institucionet që ofrojnë shërbime kyçe - si arsimi dhe shëndetësia - duhet të jenë në gjendje të vazhdojnë të funksionojnë".
Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.
Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.
Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik.
Asociacioni duhet të ofrojë një nivel të caktuar të vetëmenaxhimit për serbët në Kosovë.
Në një draft-statut të hartuar nga Perëndimi për formim të Asociacionit – të cilin e ka parë Radio Evropa e Lirë – është paraparë mbështetja financiare nga Serbia për komunitetin serb në Kosovës, përmes BQK-së.