AFP
Disa muaj luftime vdekjeprurëse në mes të Izraelit dhe Hamasit i kanë rritur dilemat ndërmjet liderëve izraelitë dhe atyre palestinezë për të ardhmen, duke e testuar kredibilitetin e një zgjidhjeje me dy shtete për konfliktin.
Lufta Izrael-Hamas
Në këtë rubrikë mund të gjeni lajme, intervista, analiza, video dhe përmbajtje tjetër lidhur me luftën mes Izraelit dhe grupit radikal palestinez Hamas.
Ndërmjetësuesit me dekada kanë insistuar se palestinezët dhe izraelitët mund të jetojnë afër njëri-tjetrit në dy shtete të ndara sovrane.
Mirëpo, lufta Izrael-Hamas, e nisur më 7 tetor 2023, i ka çuar diskutimet për zgjidhje potenciale afër një pike thyerjeje.
Hamasi, grup palestinez që udhëheq Gazën, është shpallur organizatë terroriste prej Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka përsëritur javën e kaluar kundërshtimet për një sovranitet palestinez, duke i zemëruar aleatët e huaj, të cilët insistojnë në të drejtën e palestinezëve për shtetësi.
Nga erdhi ideja?
Koncepti për dy shtete ka lindur në vitet 1930, dhe është mbështetur prej migrantëve hebrenj, të cilët janë vendosur në atë që njihej si Palestinë e udhëhequr prej britanikëve.
Më 1947, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara e ka miratuar një propozim për shtete të ndara hebreje dhe arabe, duke e hapur rrugën për krijim të Izraelit në vitin pasues.
Kush e ka kundërshtuar?
Disa liderë palestinezë dhe arabë e kanë kundërshtuar shtetin hebre, në atë që e kanë konsideruar tokë arabe.
Plani i OKB-së për ndarje dhe krijim të Izraelit ka nxitur më pas luftën arabo-izraelite më 1948-1949.
Izraeli ka dalë më i fuqishëm pas konfliktit, duke marrë më shumë territor, ndërsa shteti palestinez është zhdukur ende pa lindur, dhe palestinezët janë përballur me zhvendosje masive.
Më 1964, Organizata për Çlirimin e Palestinës (PLO) është formuar me qëllim të krijimit të një shteti palestinez mbi gjithë territorin e Palestinës së dikurshme.
Një luftë arabo-izraelite më 1967 ka përfunduar me Izraelin që ka marrë nën kontroll tokat palestineze, Bregun Perëndimor, Jerusalemin Lindor dhe Rripin e Gazës.
Izraeli e ka aneksuar Jerusalemin Lindor dhe Qeveria pasuese izraelite i ka inkurajuar izraelitët që të ndërtojnë vendbanime në territoret palestineze.
Sipas ligjit ndërkombëtar, këto territore palestineze janë të pushtuara, dhe vendbanimet izraelite në Jerusalemin Lindor dhe Bregun Perëndimor janë ilegale.
A ka qenë paqja ndonjëherë afër?
Shpresat për paqe janë rritur në fillim të viteve ’90 me Akordet e Oslos, të arritura pas bisedimeve sekrete izraelito-palestineze në kryeqytetin norvegjez.
Ato kanë krijuar një shkallë të kufizuar të vetëqeverisjes për palestinezët dhe kanë pasur qëllim marrjen e disa masave të përkohshme që do të çonin në shtetësi palestineze, mirëpo bisedimet më vonë kanë ngecur.
Komuniteti ndërkombëtar i ka bërë përpjekjet e fundit serioze më 2013, ka thënë Xavier Guignard nga Instiuti Noria me bazë në Paris.
“Politikisht, ne kemi parë zero përpjekje qysh atëherë”, ka thënë ai për agjencinë e lajmeve AFP.
Liderë të huaj kanë paralajmëruar që zgjerimi i vendbanimeve izraelite mund të kërcënojë krijimin e një shteti palestinez në të ardhmen.
Çfarë thonë liderët?
Autoriteteti Palestinez, që ka dalë prej PLO-së dhe e njeh Izraelin, mbështeti formalisht zgjidhjen me dy shtete.
Presidenti palestinez, Mahmud Abbas, ka bërë thirrje në shtator për një konferencë ndërkombëtare për këtë çështje, duke thënë se “mund të jetë shansi i fundit për të realizuar zgjidhjen e dy shtete”.
Më 2017, Hamasi e ka pranuar në parim, për herë të parë, shtetin palestinez me kufijtë para luftës së vitit 1967, duke mos e njohur Izraelin.
Netanyahu e ka kundërshtuar vazhdimisht shtetësinë palestineze gjatë karrierës së tij politike, derisa Guignard ka thënë se rritja e fraksioneve nacionaliste në politikën izraelite ka ndikuar në rritje të kundërshtimeve ndaj asaj ideje.
Çfarë mendojnë njerëzit?
Sondazhet e opinionit publik kanë treguar që zgjidhja me dy shtete ka pësuar rënie dramatike të mbështetjes në të dyja anët.
Një sondazh i Institutit Pew me izraelitët hebrenj, para nisjes së luftës aktuale Izrael – Hamas, ka treguar që mbështetja ka rënë prej 46 për qind më 2013, në 32 për qind vitin e kaluar.
Njësondazh i Gallupit, po ashtu para luftës, ka gjetur se mbështetja e palestinezëve në Gazë dhe Bregun Perëndimor, ka rënë prej 59 për qind më 2012, në 24 për qind vitin e kaluar.
Disa grupe palestineze kanë preferuar për kohë të gjatë idenë e një shteti të vetëm me të drejta të barabarta për të gjithë.
Çfarë ka ndryshuar gjatë luftës në Gazë?
Në skenën botërore, lufta Izrael-Hamas ka gjeneruar momentum të ri, pasi liderët kanë bërë thirrje publike për zgjidhje të konfliktit.
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, ka thënë javën e kaluar se është “e papranueshme” që t’iu mohohet palestinezëve e drejta për shtetësi.
Presidenti amerikan, Joe Biden, ka përsëritur vazhdimisht kërkesën për dy shtete, dhe javën e kaluar ka thënë se ekzistojnë “një mori llojesh të zgjidhjeve me dy shtete”, si referencë për çmilitarizim të shtetit palestinez.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka thënë se Abbasi është pajtuar për reforma që potencialisht të bashkohen Gaza e udhëhequr prej Hamasit me Bregun Perëndimor të pushtuar prej Izraelit, nën Autoritetin Palestinez.
Ministri i Jashtëm saudit, Faisal bin Farhan, ka thënë javën e kaluar në Riad se nuk do të marrë pjesë në bisedimet për njohje të Izraelit pa një armëpushim në Gazë dhe pa krijim të shtetit palestinez.
Kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep Borell, e përkrah me dy duart zgjidhen me dy shtete dhe i ka kritikuar së fundi liderët izraelitë.
“Çfarë zgjidhjesh tjera keni në mendje? Që t’i detyroni të gjithë palestinezët që të largohen? T’i vrisni ata?”, ka pyetur Borrell të hënën.
Ish-shefi i Hamasit, Khaled Meshaal, e ka konsideruar zgjidhjen me dy shtete si “ide të vjetër” të çuar përpara prej Perëndimit.
Netanyahu ka insistuar që Izraeli duhet të ketë “kontrollin e sigurisë mbi gjithë territorin prej perëndimit të lumit Jordania”, zonë që përfshin të gjitha territoret palestineze.
Me pozicione të tilla kaq të ndara, analistët si Guignard kanë pak shpresa për një zgjidhje me dy shtete në të ardhmen.
Përgatiti: Krenare Cubolli