Ndërlidhjet

Kosova shtyn afatin për aplikime për statusin e viktimës së dhunës seksuale gjatë luftës


Marshi protestues "Bëhu zëri im" në mbështetje të të mbijetuarve të përdhunimeve gjatë luftës në Kosovë, i mbajtur në Prishtinë më 14 prill 2023, në shënimin e Ditës së të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.
Marshi protestues "Bëhu zëri im" në mbështetje të të mbijetuarve të përdhunimeve gjatë luftës në Kosovë, i mbajtur në Prishtinë më 14 prill 2023, në shënimin e Ditës së të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë të ditur se është shtyrë afati për aplikim të njohjes së statusit të viktimës së dhunës seksuale të luftës deri më 15 maj 2025.

“Zëri juaj ka rëndësi dhe e vërteta duhet të dëgjohet. Guximi juaj në kërkim të drejtësisë e në zbardhjen e së vërtetës është një dëshmi e shpirtit tuaj të paepur. Ne qëndrojmë me ju dhe pranë jush në ndjekjen e drejtësisë. Në këtë rrugëtim ju asnjëherë nuk do të jeni vetëm. Prandaj, aplikoni për njohjen e statusit të viktimës së dhunës seksuale të luftës”, tha Osmani, përmes një video-mesazhi të publikuar në llogarinë në Facebook të Komisionit qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Afati paraprak për aplikimin për njohjen e statusit të viktimës së dhunës seksuale të luftës kishte skaduar më 5 shkurt 2023.

Në Kosovë nuk dihet saktë numri i personave të përdhunuar gjatë luftës më 1999, por besohet të jetë rreth 20.000.

Nga shkurti i vitit 2018, kur ka nisur aplikimi për njohjen e statusit të viktimës, atë e kanë siguruar afër 1.600 persona. Prej këtij numri, 84 burra kanë fituar këtë status.

Në korrik të vitit të kaluar, Kuvendi i Kosovës kishte miratuar ndryshimet në ligj, që mes tjerash, trajtonin edhe statusin dhe të drejtat e personave të përdhunuar gjatë luftës. Ndryshimet e ligjit parashihnin që afati për aplikim të zgjatej deri më 15 maj 2025, me mundësi të zgjatjes edhe për dy vjet të tjera.

Personave që u njihet statusi i viktimës të dhunës seksuale të luftës marrin një pension prej rreth 230 eurosh në muaj.

Sipas ligjit në Kosovë, i cili është miratuar në vitin 2014, statusi i tillë i takon çdo personi, i cili arrin ta bindë një komision qeveritar se ka qenë viktimë e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, përkatësisht në periudhën 27 shkurt 1998 - 20 qershor 1999.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG