Ndërlidhjet

Marina amerikane: Irani drejtpërdrejt i përfshirë në sulmet e Huthëve ndaj anijeve


Një luftëtar i lëvizjes rebele Huthi, në anijen Galaxy Leader, që rebelët kanë kapur në Detin e Kuq. 20 nëntor 2023.
Një luftëtar i lëvizjes rebele Huthi, në anijen Galaxy Leader, që rebelët kanë kapur në Detin e Kuq. 20 nëntor 2023.

Irani “është jashtëzakonisht i përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejtë” në sulmet ndaj anijeve që rebelët e Huthëve kanë kryer gjatë luftës që Izraeli po zhvillon kundër Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Kështu tha për Associated Press, komandanti i Marinës amerikane për Lindjen e Mesme, zëvendësadmirali Brad Cooper.

Megjithatë, Cooper, që udhëheq flotën e pestë të Marinës, nuk shkoi aq larg sa të thoshte se Teherani ka dirigjuar sulmet individuale të kryera nga Huthët në Detin e Kuq dhe Gjirin e Adenit.

Por, Cooper e pranoi se sulmet e lidhura me Iranin janë zgjeruar nga kërcënimet e mëparshme vetëm në Gjirin Persik dhe në Ngushticën e tij të Hormuzit në ujërat në gjithë Lindjen e Mesme.

“Qartësisht, veprimet e Huthëve, ndoshta sa u përket sulmeve të tyre ndaj anijeve tregtare, janë më të rëndësishmet që kemi parë në dy breza”, tha ai gjatë një interviste për AP-në. “Fakti është se ata po sulmojnë komunitetin ndërkombëtar, prandaj edhe keni parë përgjigjen ndërkombëtare”.

*Video: Kush është lëvizja rebele Huthi?

Huthët e Jemenit: Kush janë dhe çfarë i lidh me Iranin dhe luftën në Gazë?
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:03:18 0:00

Misioni i Iranit në Kombet e Bashkuara nuk është përgjigjur menjëherë për koment lidhur me deklaratat e zëvendësadmiralit Cooper. Po ashtu, nuk ka pasur reagim as nga udhëheqja e lëvizjes rebele Huthi.

Që nga nëntori i vitit të kaluar, Huthët, që mbështeten nga Irani, kanë sulmuar të paktën 34 anije në ujërat që çojnë në Kanalin e Suezit, një rrugë vitale ku kalojnë dërgesa të energjisë nga Azia në Lindjen e Mesme në rrugën drejt Evropës.

Huthët, një grup rebel shiit, që kanë nën kontroll kryeqytetin jemenas Sana që nga viti 2014 dhe janë në luftë me koalicionin e udhëhequr nga sauditët që mbështesin qeverinë jemenase në mërgim që nga vitit 2015, i kanë lidhur sulmet e tyre me luftën Izrael-Hamas. Megjithatë, gjithnjë e më shumë anijet e shënjestruara kanë pak lidhje me Izraelin, apo nuk kanë lidhje fare.

Deri më tani, Irani nuk është përfshirë drejtpërdrejtë në luftimin ndaj Izraelit apo SHBA-së që kur ka nisur lufta në Gazë më 7 tetor. Por, Cooper tha se Irani në mënyrë të drejtpërdrejtë po nxit sulmet e Huthëve ndaj anijeve.

“Ajo që do të them është se Irani qartësisht po financon, ata po sigurojnë burime, po furnizojnë dhe po ofrojnë trajnime. Ata padyshim janë të përfshirë në mënyrë shumë të drejtpërdrejtë. Ky nuk është sekret”, tha Cooper.

Në ditët e fundit, SHBA-ja ka kryer gjashtë runde sulmesh ajrore ndaj caqeve ushtarake të Huthëve, duke sulmuar baza ajrore që janë nën kontrollin e rebelëve dhe vendet prej nga dyshohet se kryen sulme me raketa. Edhe pse intensiteti i sulmeve të Huthëve ndaj anijeve duket se ka rënë, SHBA-ja dhe aleatët e saj kanë intensifikuar patrullimet detare në rajon.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG