Ndërlidhjet

Zyrtarë të lartë iranianë të vrarë në sulmin në Damask


Pamje nga vendi ku ka ndodhur shpërthimi në Damask.
Pamje nga vendi ku ka ndodhur shpërthimi në Damask.

Katër zyrtarë të lartë të forcave të sigurisë së Iranit janë vrarë në një sulm ajror në kryeqytetin e Sirisë, Damask.

Garda Revolucionare Islamike e Iranit e ka fajësuar Izraelin për sulmin, në të cilin janë vrarë katër këshilltarë të lartë ushtarakë, si dhe një numër i forcave siriane.

Izraeli nuk ka komentuar lidhur me këto zhvillime.

Për vite, ky vend ka kryer sulme ajrore në shënjestrat e lidhura me Iranin në Siri.

Sulme të tilla janë intensifikuar prej nisjes së luftës Izrael – Gaza, pas sulmeve të 7 tetorit të kryera nga Hamasi në jug të Izraelit.

Hamasi, grup palestinez që udhëheq Gazën, është shpallur organizatë terroriste prej Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.

Figura të larta të Gardës Revolucionare kanë qenë prezente në Siri prej nisjes së luftës civile atje, më 2011, për t’i ndihmuar regjimit të presidentit sirian, Bashar al-Assad, kundër rebelimit ndaj regjimit.

Sulmi i së shtunës besohet se ka ndodhur në lagjen Mazzeh, në jugperëndim të Damaskut, një zonë ku gjendet aeroporti ushtarak, selia e Kombeve të Bashkuara në Damask, disa ambasada dhe restorante.

Lindja e Mesme është në alarm qysh prej 7 tetorit, kur Hamasi ka kryer sulme në jug të Izraelit, duke vrarë të paktën 1.200 njerëz, kryesisht civilë, dhe duke i marrë peng 240 të tjerë.

Për pasojë, Izraeli ka nisur luftë në Gazë, dhe sipas autoriteteve shëndetësore atje, mbi 24.000 njerëz janë vrarë prej ofensivës ajrore dhe tokësore izraelite.

Konflikti ka rritur shqetësimet për përhapje të luftës në rajon, sidomos mes rivalëve siç janë Izraeli me Iranin.

Teherani gëzon mbështetjen e disa grupeve në Lindje të Mesme, përfshirë Hamasin në Gazë, Hezbollahun në Liban dhe rebelët Huthi në Jemen.

Ky vend gëzon mbështetjen e disa grupeve edhe në Irak dhe Siri.

Muajin e kaluar, ai që dyshohet se ka qenë sulm ajror izraelit, jashtë Damaskut, e ka lënë të vdekur një komandant të lartë të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG