Ndërlidhjet

Në përvjetorin e tretë të burgosjes, Navalny thotë se Putini udhëheq mbi bazë gënjeshtrash


Politikani opozitar rus, Aleksei Navalny në një burg me kushte të ashpra në Arktik.
Politikani opozitar rus, Aleksei Navalny në një burg me kushte të ashpra në Arktik.

Politikani opozitar rus, Aleksei Navalny, ka thënë se modeli i pushtetit të krijuar në Rusi prej presidentit Vladimir Putin është i ndërtuar mbi gënjeshtra, teksa e ka shënuar trevjetorin e burgosjes së tij, nën akuzat që besohet se janë të motivuara politikisht.

Bashkëpunëtorët e Navalnyt e kanë lexuar një deklaratë të tij, në të cilin kritiku i Kremlinit ka treguar pse ka vendosur të kthehet në Rusi, më 17 janar 2021, ditën kur është arrestuar nga autoritetet ruse, pak minuta pas aterimit nga Gjermania, ku është trajtuar për helmimin me agjent nervor Noviçok, që e ka pësuar në Siberi.

“E kam shtetin dhe besimet e mia. Nuk dua të heq dorë prej shtetit dhe besimeve të mia. Nuk mund të tradhtoj as njërën, as tjetrën. Nëse besimet tuaja vlejnë për diçka, duhet t’iu qëndroni mbrapa. Nëse është e nevojshme, të jeni gati për sakrificë”, është thënë në deklaratën e Navalnyt.

“Duke u kthyer, unë e kam mbajtur premtimin e dhënë para votuesve të mi. Ata që nuk gënjejnë duhet të shfaqen më në fund në Rusi. Ka rezultuar që unë duhet të paguaj duke qëndruar në burg, për të mbrojtur besimet e mia. Dhe natyrisht, nuk dua të jem i burgosur. Por nuk do të heq dorë prej ideve dhe vendlindjes sime”, është thënë mes tjerash në deklaratë.

Navalny, i cili ka qenë afër vdekjes pas helmimit, e fajëson aparatin rus të sigurisë se e ka helmuar, duke vepruar në emër të Putinit.

Kremlini e mohon çdo përfshirje në helmimin e Navalnyt.

Ai fillimisht është dënuar me dy vjet e gjysmë burgim për shkelje të rregullave të një dënimi me kusht.

Dënimi fillestar është konsideruar si rast i motivuar politikisht.

Në mars të vitit 2022, Navalny është dënuar me nëntë vjet burgim nën akuzat për përvetësim, akuzë tjetër e konsideruar mbi baza politike.

Fondacioni i Navalnyt Kundër Korrupsionit dhe rrjeti i tij, janë shpallur organizata “ekstremiste” dhe u është ndaluar aktiviteti pas arrestimit të Navalnyt, dhe më pas ai ka nisur të hetohet dhe nën akuza për ekstremizëm.

Në gusht të vitit të kaluar, një gjykatë ia ka zgjatur Navalnyt dënimin me burgim në 19 vjet, dhe e ka dërguar në një regjim më të ashpër burgu.

Muajin e kaluar, Navalny është transferuar në një burg në rajonin rus të Arktikut.

Ndihmësit e Navalnyt kanë thënë ditë më parë se planifikojnë të organizojnë marshe në dhjetëra qytete në botë, për të kërkuar lirimin e Navalnyt dhe dorëheqjen e Putinit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG