Ndërlidhjet

A do të ndryshojë Marrëveshja e Prespës për pasaportën e re të Maqedonisë së Veriut?


Pasaportat me emrin e ri, Maqedonia e Veriut.
Pasaportat me emrin e ri, Maqedonia e Veriut.

Kur ka mbetur më pak se një muaj deri në hyrjen në fuqi të ligjit që i bën të pavlefshme dokumentet personale me emrin e vjetër të shtetit, Republika e Maqedonisë, institucionet po shqyrtojnë mundësitë ligjore për shtyrjen e afatit të vlefshmërisë së tyre edhe pas 12 shkurtit.

Kjo për faktin se gati gjysma e poseduesve të pasaportave dhe letërnjoftimeve ende nuk kanë arritur të bëjnë zëvendësimin e tyre me dokumente me emrin e ri, Republika e Maqedonisë së Veriut.

Në mesin e tyre janë edhe disa qytetarë, të cilët tregojnë për Radion Evropa e Lirë vështirësitë për të aplikuar për dokumente të reja për shkak të rrëmujave e radhëve të gjata para sporteleve të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Pritja të gjata për dokumente me emrin Maqedonia e Veriut

Ibrahim Sinani, nga Shkupi, thotë se ka aplikuar që në tetor të vitit të kaluar dhe kishte marrë një termin për të dorëzuar kërkesën, por pavarësisht kësaj ai po pret me orë për t’i kryer procedurat e nevojshme.

“Ka dy orë që jam duke pritur por nuk po mundem të hyj brenda për të bërë pagesën për pasaportë. Mua më duhet më shpejt, kurse këta më thonë se duhet të presësh. Brenda është vetëm një punonjës ndërsa jashtë jemi 50 veta që po presim me orë”, thotë Sinani.

Një tjetër qytetare, që nuk deshi të identifikohej, thotë se ka nevojë për një letërnjoftim të ri pasi ka frikë se nuk do të mund të kurorëzohet në zyrat e gjendjes civile me dokumentin aktual.

“Më duhet të kurorëzohen në muajin prill. Letërnjoftimi im është i vlefshëm, por është me emrin Republika e Maqedonisë. Dhe, mund të ndodhë që punonjësi zyrtar të mos e pranojë, andaj jam duke pritur në radhë për të aplikuar për letërnjoftim me emrin e ri të shtetit”, thotë ajo.

Vesna Stojanovska është nga qyteti i Velesit dhe kërkon një pasaportë me procedurë të shpejtë, që nënkupton marrjen e saj për 48 orë, por këtë të drejtë ajo nuk po mund ta realizojë tash e disa ditë.

“Të futem tani në radhë mund të pres deri në mbrëmje dhe të mos kryej punë. Kështu më ka ndodhur disa ditë. Kjo është e tmerrshme. Është për të ardhur keq se çfarë po përjetojmë. Presim për fotografim, presim për dorëzim të dokumenteve, presim për tërheqjen e tyre”, thotë Stojanovska.

MPB: Me pasaporta janë pajisur 1 milion e 170 mijë persona

Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut deri më 31 dhjetor 2023 me pasaporta të reja janë pajisur rreth 1 milion e 170 mijë qytetarë nga më shumë se 1 milion e 800 mijë banorë rezidentë sa numëron gjithsej shteti.

Por, me pasaporta maqedonase janë të pajisur rreth 2.5 milionë persona, që do të thotë se të gjithë ata duhet t’i zëvendësojnë me të rejat.


Ndërrimi i pasaportave është obligim që del nga marrëveshja e arritur më 17 qershor 2018 ndërmjet Maqedonisë së atëhershme dhe Greqisë për ndryshimin e emrit të saj në Maqedoni të Veriut.

Ndërrimi i dokumenteve, obligim nga Marrëveshja me Greqinë

Sipas kësaj Marrëveshjeje, qytetarët maqedonas duhet t’i ndryshojnë letërnjoftimet, pasaportat dhe patentë-shoferët brenda pesë vjetëve nga hyrja në fuqi e ndryshimeve kushtetuese dhe kjo periudhë skadon në shkurt 2024.

Duke marrë parasysh dinamikën e ngadaltë të lëshimit të këtyre dokumenteve, presidenti Stevo Pendarovski ka dalë me propozimin për shtyrjen e afatit deri në vjeshtë të këtij viti.

Por, që kjo të ndodhë, duhet pëlqimi i palës greke pasi bëhet fjalë për marrëveshje dypalëshe.

Kovaçevski: Shtyrja e afatit, vetëm pas pëlqimit të Greqisë

“Ne do të veprojmë menjëherë pasi presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski, të bisedojë me presidencën e Greqisë. Kemi të bëjmë me zgjidhje ligjore që janë sjellë bazuar në ndryshimet kushtetuese dhe që janë miratuar në Kuvend. Të bëhen ndryshime ligjore pa pëlqimin e të gjithë nënshkruesve nuk do të ishte kaq e thjeshtë dhe pyetja është se sa e zbatueshme do të ishte”, thotë kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski.

Shtyrja e afatit është kërkuar edhe nga opozita maqedonase. Ajo vlerëson se afati duhet të shtyhet të paktën deri në vitin 2027.

“Nevojiten së paku gjashtë vjet që të gjithë qytetarët të mund të pajisen me dokumente personale nëse e gjithë procedura e dhënies së tyre vazhdon me këtë dinamikë Pra, nëse ligji për ndërrimin e tyre është miratuar në vitin 2021 dhënia e dokumenteve të reja apo e 2.5 miliona pasaportave nuk do të mund të kryhet para vitit 2027, andaj ne kërkojmë që të shtyhet afati për dhënien e tyre”, ka deklaruar kryetari i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickoski.

Bilalli: Shtyrja e afatit nuk e cenon Marrëveshjen me Greqinë

Edhe njohësit e çështjeve ndërkombëtare konsiderojnë se nisma e presidentit Stevo Pendarosvski duhet të përshpejtohet dhe si e tillë nuk nënkupton, ndryshimin e thelbit të Marrëveshjes me Greqinë.

“Duhet një diplomaci bilaterale, pra të vendosen kontakte të nivelit te duhur me institucionet greke që të mund të merren vesh për një marrëveshje teknike, që në të drejtën ndërkombëtare njihet edhe si ‘marrëveshje xhentëlmene’. Një marrëveshje e tillë e karakterit teknik nuk e cenon aspak marrëveshjen mes dy shteteve, sepse është fjala për një metodologji dhe dinamikë në zbatimin e mëtejmë të marrëveshjes. Pra, nuk ka të bëjë me përmbajtjen, por vetëm me kohëzgjatjen e zbatimit të saj”, thotë Mersel Bilalli, profesor i së drejtës ndërkombëtare në Universitetin FON të Shkupit.

Marrëveshja e Prespës me Greqinë, e arritur me ndërmjetësim ndërkombëtar, i mundësoi Maqedonisë së Veriut anëtarësimin e saj në Aleancën veriatlantike.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG