Ndërlidhjet

Caktohet vendi për mbledhjen e nënshkrimeve për shkarkimin e kryetarit të Mitrovicës së Veriut


Mitrovicë e Veriut. Fotografi nga arkivi.
Mitrovicë e Veriut. Fotografi nga arkivi.

Salla e sportit në Mitrovicën e Veriut është caktuar si vend për mbledhjen e nënshkrimeve për procesin e peticionit për largimin e kryetarit të komunës nga radhët e komunitetit shqiptar, Erden Atiq.

Lajmin për Radion Evropa e Lirë e konfirmoi Nexhat Uglanin, kryetar i Kuvendit komunal të Mitrovicës së Veriut. Por, ai nuk mundi të specifikojë se kur do të nisë mbledhja e nënshkrimeve.

Një burim i tha Radios Evropa e Lirë se shkolla fillore “Vuk Karaxhiq”në Zveçan është caktuar si vendi për mbledhjen e nënshkrimeve për kryetarin e komunës.

Më 15 janar ose në ditët në vijim pritet që të caktohet lokacioni për mbledhjen e nënshkrimeve për zëvendësimin e shefit të policisë në komunat Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.

Në këto komuna jetojnë shumicë serbe, por kryetarët janë shqiptarë, pasi ata u zgjodhën në zgjedhjet e prillit – që u bojkotuan nga popullata dhe partitë serbe – dhe morën detyrën në fund të majit të vitit 2023.

Nënshkrimet për largimin e tyre tani po mblidhen në bazë të Udhëzimit Administrativ të Qeverisë së Kosovës, i cili është miratuar në fillim të shtatorit 2023.

Në mënyrë që peticioni të jetë i suksesshëm, kërkohet që të mblidhen të paktën 20 për qind e nënshkrimeve nga numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar.

Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), në Mitrovicën e Veriut duhet të mblidhen së paku 3.640 nënshkrime për shkarkimin e kryetarit të komunës, pasi në listën zgjedhore janë regjistruar 18.199 persona me të drejtë vote.

Në komunën e Leposaviqit të drejtë vote kanë 13.441 persona, që do të thotë se të paktën 2.689 prej tyre duhet ta nënshkruajnë peticionin për shkarkimin e kryetarit.

Në Zubin Potok peticionit duhet t'i përgjigjen së paku 1.347 votues, që është 20 për qind nga 6.732 të votuesve të regjistruar.

E në Zveçan, që peticioni të jetë i suksesshëm duhet të nënshkruhet nga së paku 1.411 persona.

Sipas Udhëzimit Administrativ për shkarkimin e udhëheqësit të komunës, një grup qytetarësh, pas marrjes së autorizimit për të shfrytëzuar një zonë publike apo vend për të nisur një peticion, kanë 30 ditë kohë për të mbledhur nënshkrimet për shkarkimin e kryetarit. Ky afat mund të zgjatet vetëm një herë deri në 15 ditë.

Mirëpo, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, deklaroi javën e kaluar se qytetarët e Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit dhe Zubin Potokut kanë afat për të mbledhur nënshkrime deri më 22 janar. Ai shtoi se afati për qytetarët e komunës së Zveçanit është më i gjatë për rreth pesë ditë, për shkak në KQZ është dorëzuar më vonë kërkesa për të ditur numrin e saktë të votuesve të regjistruar.

Megjithatë, grupe qytetarësh kanë deklaruar se nuk kanë filluar mbledhjen e nënshkrimeve për shkak se nuk kanë marrë dokumentacionin e duhur dhe se askush nuk i ka njoftuar se ka nisur afati kohor prej 30 ditësh.

Nëse KQZ-ja konfirmon se nënshkrimet e mbledhura janë aq sa kërkohet dhe i verifikon ato, më pas organizohet votimi për shkarkimin e kryetarit, i cili duhet të mbahet brenda 45 ditësh. Që ky votim të jetë i suksesshëm, duhet 50 për qind, plus një votë e qytetarëve me të drejtë vote.

Pas kësaj, rezultati i dërgohet presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka afat ligjor prej 30 deri në 45 ditë për të shpallur mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

Marrja e mandatit nga kryetarët shqiptarë në komunat në veri, ngriti tensionet në fund të majit të vitit të kaluar dhe situata në Zveçan u përshkallëzua, pasi protestuesit serbë u përleshën me pjesëtarët e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Komuniteti ndërkombëtar ka kërkuar uljen e tensioneve dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG