Ndërlidhjet

Vullnetarët rusë që kundërshtuan luftën, mposhtën kërcënimet dhe ndihmuan ukrainasit të iknin


Nadin Geisler
Nadin Geisler

Nisi me një telefonatë

Kur forcat ruse goditën Harkivin në mars të vitit 2022, një muaj pas fillimit të pushtimit, Nadin Geisler mori një telefonatë nga një i njohur në qytetin lindor të Ukrainës, ai kërkonte ndihmë për të larguar nënën e një miku nga zona e luftës, e cila kishte vetëm dokumentet dhe qenin e saj.

Në atë kohë, Geisler, një fotografe 28-vjeçare, jetonte disa orë larg nga kufiri ukrainas në qytetin perëndimor rus, Belgorod.

“Natyrisht, thashë se mund ta marr në kufi dhe ajo mund të jetojë me mua për aq kohë sa të jetë e mundur”, tha Geisler në një intervistë në nga një vend sekret jashtë Rusisë. Radio Evropa e Lirë nuk do të zbulojë vendndodhjen aktuale të saj për shkaqe sigurie.

Geisler tha se ajo nuk ishte e vetmja telefonatë. Telefonatat nga Ukraina vazhduan gjatë gjithë natës dhe në mëngjes, ajo dhe motra e saj u takuan me gruan dhe 14 refugjatë të tjerë dhe kafshët tyre shtëpiake, te hyrja e banesës së tyre. Motrat vendosën një batanije, jastëkë, bluza dhe xhaketa në dyshemenë e banesës së tyre që shërbeu si shtrat për refugjatët, ndërsa ato vetë fjetën në ballkon.

Ose e merr nën kontroll situatën dhe thjesht e bën këtë punë si një robot, ose do të çmendesh".

Ishte një akt i dhembshurisë që shërbeu si një bazë për krijimin e një rrjeti njerëzish që ndihmonin për të lehtësuar largimin e njerëzve nga Ukraina. Geisler thotë se rreth 2.000 njerëz ukrainas ikën në Rusi me ndihmën e grupit të saj, i cili, gjithashtu u kujdes t’u siguronte ushqim, letër higjienike dhe ilaçe për mijëra të tjerë që jetonin në territoret e pushtuara nga Rusia në Ukrainë që nga fillimi i pushtimit.

Shumica e refugjatëve, për të cilët rusishtja është gjuha e parë, zgjodhën Rusinë si pikë transiti dhe jo si destinacion përfundimtar, pra një vend ku ata kanë miq ose familje dhe që mund t’u marrin para për të udhëtuar.

Që atëherë, shumica kanë emigruar në vendet e Bashkimit Evropian ose janë kthyer në zonën e kontrolluar nga Qeveria e Kievit brenda Ukrainës, tha Geisler.

“Ose e merr nën kontroll situatën dhe thjesht e bën këtë punë si një robot, ose do të çmendesh”, tha Geisler për North Realities të Radios Evropa e Lirë.

Një rrjet me "burime të mëdha"

Pak pas fillimit të pushtimit në shkurt të vitit 2022, duke u veshur me ngjyrat blu e verdh të flamurit ukrainas dhe duke shpërndarë lule për kalimtarët, Geisler dhe motra e saj iu bashkuan një proteste kundër luftës në Belgorod. Ato u ndaluan për një kohë të shkurtër.

Giesler tha se ajo u lirua me një akuzë për kundërvajtje administrative. Ajo dhe motra e saj më pas filluan të punojnë për të strehuar ukrainasit që kalonin kufirin në Rusi. Ajo tha se strehuan rreth 100 ukrainas në apartamentin e tyre, bujtina lokale dhe depo të ndihmave humanitare.

Vullnetarët rusë që ndihmojnë ukrainasit thanë se operojnë përmes një vargu të ngushtë kontaktesh, të ndihmuar nga rrjetet sociale.

Në dy muajt e parë pas pushtimit, vullnetarët ishin "si mizat në një rrjetë merimange", tha Yegor Zakharov, një koordinator vullnetar 48-vjeçar nga Shën Petersburgu.

Yegor Zakharov
Yegor Zakharov

Pastaj "lëvizja vullnetare filloi të zgjerohej dhe të zhvillonte lidhjet horizontale", tha ai. "Tani është një strukturë e tërë, që ka burime të mëdha”.

"Pjesëmarrësit koordinohen me organizatat me qendër në Evropë për të ndihmuar largimin e ukrainasve nga territoret e okupuara ruse për në Bashkimin Evropian ose diku tjetër jashtë vendit. Në një rast, vullnetarët ndihmuan një grua, e cila ishte në fazën e fundit të kancerit, për t’u larguar nga qyteti-port i Mariupolit në Ukrainën juglindore për në Norvegji, kujtoi Zakharov. Por, ajo vdiq në një bujtinë, me djalin e saj pranë.

Shpenzimi i "3.000 ose 4.000 eurove" (afërsisht 3.330 ose 4.400 dollarëve) për një person që është duke vdekur mund të mos ketë kuptim të fitimit ekonomik, tha ai, "por ne nuk po bëjmë ekonomi këtu. Ne po shpëtojmë njerëz".

Vullnetarët, megjithatë, mund të largohen shpejt: "Çdo familje ka histori për një mini-gjyq Hage", për krimet e luftës, tha Zakharov.

Disa vullnetarë që largohen, zgjedhin të ndihmojnë financiarisht.

Geisler tha se donacionet e përgjithshme i mundësonin asaj të paguante 300.000 rubla (rreth 4.300 dollarë) në muaj për t’i akomoduar refugjatët në bujtina dhe depo të ndihmave humanitare në Belgorod.

Nuk dihet saktësisht se nga vijnë donacionet, kjo pasi që koordinatorët vullnetarë nuk pranuan të japin detaje se kush janë donatorët.

Me fondet e donacioneve, Geisler kishte blerë një veturë të blinduar, për dërgimin e ndihmave humanitare në zonat e pushtuara, por që më vonë i ishte konfiskuar nga ushtria ruse.

Ajo, gjithashtu, ka ndërtuar dy depo në Belgorod dhe një në territorin e Ukrainës për të ruajtur mallrat e nevojshme. Në objekte kishte ushqime që nuk prishen, pajisje pastrimi, letër higjienike dhe ilaçe.

Si Geisler, ashtu edhe Zakharov, pranuan se ata fillimisht përdorën vetura të etiketuara me shkronjën latine Z - simbol i pushtimit të Rusisë -- për të shpërndarë paketa ndihme në rajonet e pushtuara.

Tani, sipas tyre, një metodë e tillë e shpërndarjes së ndihmave aplikohet pak herë.

Pasojat

Ende nuk dihet se në çfarë shkalle autoritetet e kanë monitoruar punën që po bëjnë vullnetarët – ose nëse e kanë lejuar në heshtje atë.

Autoritetet ruse qenë të ashpra ndaj çdo mospajtimi ose kundërshtimi të luftës, duke i burgosur njerëzit nën akuza të paqarta që ndjek këdo që "diskrediton forcat e armatosura". Njerëzit, po ashtu, janë burgosur për "përhapjen e informacionit të rremë" në lidhje me pushtimin, i cili përfshin informacionin për numrin e viktimave.

Por, rusët që i kanë ndihmuar refugjatët ose kanë ofruar strehim apo ndihmë humanitare janë lejuar të punojnë në një shkallë të madhe.

Motrat Geisler thonë se kanë hasur në probleme pasi Sberbank (Banka Shtetërore Ruse) ku ishin depozituar donacionet vullnetare, i kishte bllokuar kartelat bankare të të dyja motrave. Geisler nuk është përgjigjur nëse më vonë kanë mundur t’i merrnin fondet.

Gjatë një vizite në një magazinë në Belgorod ku ruheshin furnizimet, një burrë i panjohur i tha Geisler-it se bllokimi i kartave bankare ishte një "përshëndetje nga Lubyanka" - duke e pasur fjalën për selinë në Moskë të agjencisë kryesore të inteligjencës ruse.

"Mos u sill aty ku nuk je i dëshiruar", tha ajo dhe burri pohoi me kokë.

Në një nga udhëtimet e saj të fundit në Kozacha Lopan përpara se të rimerrej nga Ukraina, një burrë e kishte e kishte paralajmëruar Geislerin se nëse do të vazhdonte kështu "ata" do ta vrisnin.

Ky paralajmërim e kishte shtyrë Geislerin që të linte udhëzime për të afërmit e saj "se çfarë të bëjnë dhe me kë të kontaktojnë nëse unë zhdukem".

Në nëntor, një vullnetar 61-vjeçar nga Belgorodi u akuzua për tradhti dhe trafikim të paligjshëm të armëve, pasi ndihmoi një grua të moshuar të kalonte nga Rusia në Ukrainë, sipas shumë raportimeve të lajmeve.

Fluturimi drejt sigurisë

Ashtu si vullnetarë të tjerë që përballen me ndjekje ose kërcënime të mundshme, Geisler dhe Zakharov tani jetojnë jashtë vendit.

Geisler tha se për largim ka vendosur në maj të vitit 2023, pas ndalimit që i ishte bërë një gruaje në kontrollin e pasaportave vetëm pse kishte dhuruar 300 rubla (3.27 dollarë) për refugjatët ukrainas. Ajo u mor në pyetje për ndihmën e saj për një "terrorist dhe ekstremist" që mbështet forcat e armatosura ukrainase, tha Geisler.

Nga frika se po ndalohet, Geisler u përpoq të maskonte veten duke prerë flokët e saj, dhe më pas zgjodhi të udhëtonte me makinë në kufirin me Bjellorusinë, duke ndërruar makinat vazhdimisht gjatë udhëtimit 11-orësh.

“Kur kalova kufirin me Bjellorusinë, më dukej sikur nuk merrja fare frymë”, tha ajo.

Nadin Geisler tani jeton jahstë Rusisë.
Nadin Geisler tani jeton jahstë Rusisë.


Përpjekjet e saj vullnetare vazhdojnë nga jashtë. Në një tabelë shënimesh në banesën e saj, një sërë letrash ngjitëse listojnë detyrat e ardhshme: "Evakuimi"; "Prindër + pesë mace dhe një qen"; "Fëmijët në okupim”, barna, drithëra, qumësht pluhur, pelena".

Në anën tjetër Zakharov, tha se iku pasi pranoi një kërcënim nga një telefonatë anonime më 25 shtator të vitit 2022, tri ditë pasi presidenti rus Vladimir Putin shpalli mobilizimin e dhjetëra mijëra burrave. Ai tha se kishte informacione jozyrtare se agjentët rusë të sigurisë po ushtronin presion mbi familjet e vullnetarëve që po largoheshin nga vendi për të identifikuar "koordinatorin" e tyre.

Zakharov tha se ai udhëtoi me macen e tij dhe tri valixhe përtej kufirit në Finlandë, vend anëtar i Bashkimit Evropian, ku edhe ka kërkuar azil politik.

“Në thelb, vendosa të mos rrezikoj”, tha ai, duke folur nga Helsinki përmes Telegramit.
As Zakharov dhe as Geisler nuk planifikojnë të kthehen në Rusi, dhe nuk shohin të ardhme nën udhëheqjen e Putinit.

Geisler tha se kërkesat për t’i ndihmuar ukrainasit ishin ato që e vonuan largimin e saj nga Rusia.

“Më është dashur të qëndroj atje për t'i ndihmuar ata”, tha ajo. "Dhe, qëndrova për aq kohë sa munda".

Përgatiti: Arta Sopi

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG