Sulmet me bombë në jug të Iranit, përgjegjësinë për të cilat e mori grupi militant, Shteti Islamik (IS), kanë vrarë 91 persona, raportoi media shtetërore më 6 janar.
Kjo shifër paraqet rritje të numrit të viktimave nga shpërthimet vdekjeprurëse të 3 janarit.
Dy shpërthimet në Kerman të mërkurën goditën turmat e njerëzve që po merrnin pjesë në një ceremoni përkujtimore pranë varrit të Qassem Soleimanit, gjeneralit të Gardës Revolucionare që u vra nga një sulm me dron të kryer nga Shtetet e Bashkuara në Irak në janar të vitit 2020.
“Numri i viktimave nga incidenti terrorist ka arritur në 91, pasi dy persona, përfshirë një fëmijë, që ishin në kujdesin intensiv, nuk u mbijetuan plagëve”, citohet të ketë thënë një zyrtar lokal i shëndetësisë, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve në Iran, IRNA.
Të enjten, IS-i mori përgjegjësinë për shpërthimet. Përmes një deklarate, grupi militant tha se dy anëtarë të tij “aktivizuan jelekët e tyre me eksplozivë” në mes “të një turme të madhe të femohuesve të mbledhur afër varrit të liderit të tyre”.
Të premten, Ministria e Inteligjencës në Iran tha se “një prej sulmuesve” ishte “me kombësi taxhike”, ndërkaq identiteti i sulmuesit të dytë ende nuk është përcaktuar.
Të paktën 11 të dyshuar janë arrestuar në Iran, tha kjo ministri.
Në funeralin e të vrarëve nga shpërthimet të shtunën në Kerman mori pjesë edhe presidenti iranian, Ebrahim Raisi, dhe gjenerali Hossein Salami, që udhëheq Gardën Revolucionare Islamike.
Soleimani, para se të vritej, ishte udhëheqës i Forcave Kuds të Gardës. Në Iran, ai vlerësohet për rolin e tij në luftën kundër IS-it në Irak dhe Siri.