Ndërlidhjet

Kimi zotohet se më 2024 do të lëshojë më shumë satelitë dhe prodhojë më shumë armë bërthamore


Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, bashkë me të bijën, e inspekton një raketë balistike. Fotografi nga arkivi.
Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, bashkë me të bijën, e inspekton një raketë balistike. Fotografi nga arkivi.

Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, është zotuar se do t’i lëshojë edhe tre satelitë të tjerë spiunë ushtarakë, se do të prodhojë më shumë materiale bërthamore dhe dronë luftarakë modernë gjatë vitit 2024, raportuan mediet shtetërore të dielën.

Ai ka bërë thirrje për gatishmëri “të jashtëzakonshme” për luftë për t’u ballafaquar me vendimet konfrontuese të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara, sipas medieve shtetërore.

Fjalët e Kimit, që i bëri gjatë një takimi të rëndësishëm të partisë së tij për t’i caktuar synimet për vitin e ardhshëm, lënë të kuptohet se ai do ta rrisë testimin e armëve para zgjedhjeve presidenciale në SHBA në nëntor.

Vëzhguesit thonë se Kimi beson se rritja e kapaciteteve bërthamore do t’ia japë atij një tjetër mundësi për ta thirrur një samit të madh diplomatik me SHBA-në, për të siguruar zbutjen e sanksioneve, nëse ish-presidenti Donald Trump kthehet në Shtëpinë e Bardhë.

Gjatë takimit pesëditor, i cili mbaroi të shtunën, Kimi tha se lëvizjet e Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tyre kundër Koresë së Veriut, kanë qenë të papara gjatë këtij viti, duke e shtyrë Gadishullin Korean buzë luftës bërthamore, sipas agjencisë zyrtare të lajmeve KCNA.

“Gjendja e rëndë na kërkon që ta përshpejtojmë punën për të siguruar kapacitete të jashtëzakonshme për t’iu përgjigjur luftës dhe gatishmëri të plotë dhe të përsosur ushtarake për ta mposhtur çfarëdolloj provokimi nga armiqtë”, tha Kim, sipas KCNA.

Javë më parë, Koreja e Veriut e lëshoi në det raketën Hëason-18 ICBM gjatë një stërvitjeje që kishte për qëllim t’i paralajmëronte Shtetet e Bashkuara dhe Korenë e Jugut për hapa konfrontues. Si arsye për këtë, Koreja e Veriut e përmendi një takim të vonshëm mes SHBA-së dhe Koresë së Jugut për të biseduar për frenimin e planeve të saj bërthamore.

SHBA-ja, Koreja e Jugut dhe Japonia e kanë kritikuar testimin raketor të Koresë së Veriut duke e cilësuar si provokim dhe duke thënë se i ka shkelur shumë rezoluta të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të cilat ia ndalojnë Veriut aktivitetet balistike.

Dy ditë më vonë, bombarduesit amerikanë me rreze të gjata veprimi kryen stërvitje të përbashkëta me avionët luftarakë të Japonisë dhe Koresë së Jugut, në shenjë force kundër Koresë së Veriut.

Kim tha se testimi i raketës balistike në dhjetor dëshmoi se Koreja e Veriut mund të përgjigjet, nëse Shtetet e Bashkuara do ta marrin “një vendim të gabuar kundër saj”.

Por, shumë ekspertë të huaj thonë se Koreja e Veriut ende përballet me pengesa teknologjike për të zotëruar raketa balistike interkontinentale me kokë bërthamore me të cilat do të mundë ta godiste SHBA-në.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG