Ndërlidhjet

OBSH: Popullsia e Gazës është në rrezik të madh


Palestinezët në Rafah të Rripit të Gazës duke marrë ushqim falas. 21 dhjetor 2023.
Palestinezët në Rafah të Rripit të Gazës duke marrë ushqim falas. 21 dhjetor 2023.

Popullsia e Gazës është “në rrezik të madh” paralajmëroi më 27 dhjetor kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), duke përmendur urinë akute dhe dëshpërimin e përhapur në mbarë territorin e shkatërruar nga lufta.

OBSH-ja tha se një ditë më herët ka dërguar furnizime në dy spitale – një në veri dhe një në jug – duke theksuar se 21 nga 36 spitale në Rripin e Gazës tashmë janë krejtësisht jashtë funksionit.

Shefi i OBSH-së, Adhanom Ghebreyesus, i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të ndërmarrë “hapa urgjentë për të lehtësuar rrezikun e madh me të cilin po përballet popullsia në Gazë dhe që po rrezikon aftësinë e punëtorëve humanitarë për të ndihmuar personat që kanë plagë të tmerrshme, të ndihmojnë në lehtësimin e urisë akute dhe të ulin rrezikun e sëmundjeve të rënda”.

Përmes një deklarate, OBSH-ja tha se stafi i saj të martën ka raportuar se nevoja për ushqim “vazhdon të jetë akute” në mbarë Rripin e Gazës, ndërkaq “njerëzit e uritur sërish kanë ndaluar autokolonat sot me shpresën se do të gjenin ushqime”.

“Aftësia e OBSH-së për të dërguar furnizime shëndetësore, karburante për spitalet po vështirësohet gjithnjë e më shumë për shkak të urisë dhe dëshpërimit të njerëzve që shohim rrugës për në spitale dhe në spitalet që vizitojmë”.

Lufta në Gazë nisi pasi Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – kreu sulme vdekjeprurëse në jug të Izraelit më 7 tetor, duke vrarë 1.200 persona dhe duke rrëmbyer 240 të tjerë.

Izraeli u kundërpërgjigj me luftë shkatërruese në Gazë që deri më tani ka marrë jetën e më shumë se 20.000 palestinezëve.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG