Ndërlidhjet

KESCO: Vlera e faturës së dhjetorit u rrit, pasi konsumatorët po e përdorin rrymën për ngrohje


Njehsor elektrik - Fotografi ilustruese.
Njehsor elektrik - Fotografi ilustruese.

Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO) ka thënë të martën se vlera e faturës së muajit dhjetor është rritur si pasojë e “shpenzimit më të madh të rrymës” dhe mossubvencionimit të konsumatorëve kursimtarë nga Qeveria e Kosovës krahasuar me një vit më parë, pas ankesave të shumta nga konsumatorët.

Shumë kosovarë janë ankuar në rrjetet sociale ditëve të fundit se fatura e rrymës për muajin dhjetor u ka ardhur shumë më e lartë krahasuar me faturën e muajit të kaluar, apo të të njëjtit muaj vitin e kaluar, duke ngritur shqetësime se çmimi i rrymës mund të jetë rritur.

Por, KESCO tha në një njoftim se nuk ka pasur rritje të çmimit të rrymës prej rritjes së fundit prej 15 për qind më 1 prill të këtij viti.

“Rritja e vlerës së faturave në këtë muaj dimri është rezultat i rritjes së konsumit të energjisë elektrike, veçanërisht te konsumatorët që e përdorin energjinë elektrikë për ngrohje. Konsumimi i energjisë elektrike në vlerë më shumë se 800 kwh në muaj faturohet me tarifë më të lartë, ashtu siç paraqiten në çdo faturë të konsumatorëve”, tha KESCO.

Sipas KESCO-s, ndër arsyet e tjera të rritjes së faturës është edhe mossubvencionimi i konsumatorëve krueses sivjet nga Qeveria.

Vitin e kaluar, Qeveria e Kosovës vendosi t’i subvenciononte konsumatorët të cilët kursenin rrymën duke shpenzuar më pak krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak gjatë dimrit.

KESCO, po ashtu, e shpjegoi edhe çmimin e rrymës të vendosur nga Zyra e Rregullatorit për Energji e Kosovës (ZRRE) në prill.

Nëse një konsumator familjar konsumoni deri në 800 kwh, atëherë i nënshtroheni vetëm dy blloqeve, ditën dhe natën, të cilat në dimër fillojnë nga ora 22:00 deri në orën 7:00. Gjatë ditës çmimi është 7.79 cent për kwh, ndërsa natën rreth 57 për qind më i lirë, pasi llogaritet me 3.34 cent për kwh.

Megjithatë, çmimet ndryshojnë për konsum mbi 800 kwh. Nëse një konsumator konsumon 1600 kwh, atëherë pjesa deri në 800 kwh llogaritet me çmimet e lartpërmendura, ndërsa pjesa e mësipërme llogaritet me 2 tarifa të tjera: ajo e larta gjatë ditës që shkon në 14.45 cent për kwh ose 85.5 për qind më shtrenjtë, dhe ajo e natës 6.81 cent për kwh ose gati 104 për qind më e shtrenjtë se shpenzimi nën 800 kwh.

Të gjitha këto çmime janë të shënuara në çdo faturë për konsumatorët, tha KESCO.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG