Ndërlidhjet

Ngrihet aktakuzë kundër një të dyshuari për krime lufte në Kosovë


Fotografi ilustruese.
Fotografi ilustruese.

Prokuroria Speciale e Kosovës (PSK) njoftoi të martën se ka ngritur aktakuzë kundër një personi me inicialet D.M., i dyshuar për krime lufte ndaj popullatës civilë gjatë luftës së fundit në Kosovë.

I dyshuari, i cili i përket nacionalitetit serb sipas Prokurorisë, akuzohet se ka kryer krime si roje e burgut në Prishtinë dhe Lipjan gjatë luftës së viteve 1998-99 në Kosovë.

“Në cilësinë e personit zyrtar dhe në bashkëkryerje edhe me zyrtarë tjerë të burgjeve...në mënyrë sistematike i kishin maltretuar të burgosurit shqiptarë, duke i torturuar në mënyrë çnjerëzore me mjete të ndryshme, veprime këto të sanksionuara sipas ligjeve vendore, zakoneve të luftës dhe Konventave Ndërkombëtare të Gjenevës dhe Protokolleve Shtesë”, thuhet në njoftimin e PSK-së.

Ai akuzohet për veprën penale “krime lufte kundër popullsisë civile”.

Prokuroria tha se ai akuzohet edhe për një vepër tjetër penale, ‘’mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’.

Prokuroria nuk dha hollësi të tjera nëse i dyshuari është arrestuar apo jo.

Në fillim të dhjetorit, Prokuroria Speciale tha se deri më tani ka ngritur gjithsej 33 aktakuza, që përfshijnë 89 persona, për krime lufte në Kosovë.

Gjatë luftës së fundit në Kosovë më 1998-99 janë vrarë mbi 13.000 civilë dhe mijëra të tjerë janë zhdukur.

Mbi 1.600 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur – pjesa më e madhe e tyre shqiptarë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG