Ndërlidhjet

Të paktën 68 të vrarë në Gazë nga një sulm ajror


Ushtar izraelit në Rripin e Gazës. 22 dhjetor 2023.
Ushtar izraelit në Rripin e Gazës. 22 dhjetor 2023.

Të paktën 68 persona u vranë nga një sulm izraelit në Gazën qendrore, thanë zyrtarë shëndetësorë të dielën, ndërsa numri i ushtarëve izraelitë të vrarë në luftime gjatë fundjavës u rrit në 17.

Në mesin e viktimave përfshihen të paktën 12 gra dhe shtatë fëmijë, sipas shifrave të raportuara nga agjencia e lajmeve AP.

“Ne të gjithë ishim në shënjestër”, tha Ahmad Turkomani, i cili humbi disa anëtarë të familjes, përfshirë vajzën dhe nipin e tij. “Nuk ka asnjë vend të sigurt në Gazë”.

Më herët, Ministria e Shëndetësisë në Gazë tha se numri i të vdekurve kishte mbërritur në 70. Ushtria izraelite nuk e ka komentuar ende numrin e viktimave.

Lufta ka shkatërruar pjesë të Gazës, ka vrarë rreth 20.400 palestinezë dhe ka zhvendosur pothuajse të gjithë 2.3 milionë banorët e territorit.

Numri në rritje i vdekjeve mes trupave izraelite - 156 që nga fillimi i ofensivës tokësore - mund ta dëmtojë mbështetjen publike për luftën, e cila u ndez kur militantët e udhëhequr nga Hamas – grup i shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja – sulmuan Izraelin më 7 tetor, duke vrarë 1.200 njerëz dhe duke marrë peng 240 të tjerë.

Izraeli vazhdon të insistojë në qëllimet e tij për të shkatërruar aftësitë qeverisëse dhe ushtarake të Hamasit dhe lirimin e 129 pengjeve të mbetura. Mbështetja e publikut për këto qëllime ka qenë kryesisht e qëndrueshme, pavarësisht rritjes së presionit ndërkombëtar ndaj ofensivës së Izraelit dhe numrit të paprecedent të viktimave në mesin e palestinezëve.

Edhe pse izraelitët mbështesin luftën, pakënaqësitë janë rritur kundër Qeverisë së Netanyahut, të cilin shumë e kritikojnë për dështim që të mbrojë civilët më 7 tetor dhe për politika që kanë lejuar Hamasin të forcohet gjatë viteve.

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara (OKB) ka miratuar një rezolutë që bën thirrje për dërgimin e shpejtë të ndihmave humanitare për palestinezët e goditur nga uria dhe për lirimin e të gjithë pengjeve, por jo edhe për një armëpushim.

Por, nuk ishte menjëherë e qartë se si dhe kur do të përshpejtoheshin dërgesat e ushqimit, furnizimeve mjekësore dhe ndihmave të tjera, të cilat kanë rënë nën mesataren ditore prej 500 para fillimit të luftës.

Kamionët hyjnë përmes dy vendkalimeve, Rafah dhe Kerem Shalom, në kufirin me Izraelin. Ëael Abu Omar, një zëdhënës i Autoritetit Palestinez të Kalimeve, tha se 123 kamionë me ndihma hynë në Gaza të dielën.

Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, përsëriti thirrjet e OKB-së për një armëpushim humanitar, duke shtuar në rrjete sociale se “shkatërrimi i sistemit shëndetësor të Gazës është një tragjedi”.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG