Ndërlidhjet

SHBA-ja kryen stërvitje me Japoninë e Korenë e Jugut, si përgjigje ndaj Koresë së Veriut


Bombarduesit amerikanë B-1B gjatë një stërvitjeje të përbashkët me avionët luftarakë të Koresë së Jugut dhe Japonisë mbi Gadishullin Korean më 20 dhjetor 2023.
Bombarduesit amerikanë B-1B gjatë një stërvitjeje të përbashkët me avionët luftarakë të Koresë së Jugut dhe Japonisë mbi Gadishullin Korean më 20 dhjetor 2023.

Bombarduesit amerikanë me rreze të gjata veprimi kryen stërvitje të përbashkëta me avionët luftarakë të Japonisë dhe Koresë së Jugut të mërkurën, në shenjë force kundër Koresë së Veriut, e cila e kreu testin e parë të raketës balistike interkontinentale pas pesë muajve.

Stërvitja tripalëshe në ishullin pranë Koresë së Jugut, Jeju, kishte për qëllim përforcimin e përgjigjes së përbashkët të këtyre vendeve ndaj kërcënimeve bërthamore nga Koreja e Veriut, tha Shtabi i Përgjithshëm i Koresë së Jugut në një komunikatë.

Në stërvitje u përfshinë bombarduesit amerikanë B-1B, si dhe avionët luftarakë të Japonisë dhe Koresë së Jugut, sipas komunikatës. Kjo ishte hera e 13-të që bombarduesi amerikan fluturon përkohësisht pranë dhe mbi Gadishullin Korean.

Bombarduesi B-1B është në gjendje të bartë ngarkesë të madhe të armëve konvencionale. Në të kaluarën, Koreja e Veriut e ka cilësuar fluturimin e bombarduesit amerikan mbi Gadishullin Korean si dëshmi e armiqësive amerikane dhe është përgjigjur duke kryer testime raketore.

Të hënën, Koreja e Veriut e lëshoi në det raketën Hwason-18 ICBM gjatë një stërvitjeje që kishte për qëllim t’i paralajmëronte Shtetet e Bashkuara dhe Korenë e Jugut për hapa konfrontues. Si arsye për këtë, Koreja e Veriut e përmendi një takim të vonshëm mes SHBA-së dhe Koresë së Jugut për të biseduar për frenimin e planeve të saj bërthamore.

SHBA-ja, Koreja e Jugut dhe Japonia e kanë kritikuar testimin raketor të Koresë së Veriut duke e cilësuar si provokim dhe duke thënë se i ka shkelur shumë rezoluta të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të cilat ia ndalojnë Veriut aktivitetet balistike.

Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, tha se testimi i raketës balistike dëshmoi se Koreja e Veriut mund të përgjigjet nëse Shtetet e Bashkuara do ta marrin “një vendim të gabuar kundër saj”.

Por, shumë ekspertë të huaj thonë se Koreja e Veriut ende përballet me pengesa teknologjike për të zotëruar raketa balistike interkontinentale me kokë bërthamore me të cilat do të mundë ta godiste SHBA-në.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG