Ndërlidhjet

SHBA-ja kërkon që Serbia të hetojë parregullsitë gjatë zgjedhjeve


United States Chad
United States Chad

Shtetet e Bashkuara i kanë bërë thirrje Serbisë që të hetojë parregullsitë e raportuara gjatë zgjedhjeve të 17 dhjetorit.

“Pretendimet për parregullsi të raportuara nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë [OSBE] dhe ekipi vëzhgues duhet të hetohen dhe dhuna ndaj zyrtarëve zgjedhorë, gazetarëve dhe vëzhguesve të akredituar, për të cilën kemi parë njoftime, janë të papranueshme dhe do të vazhdojmë t’ia bëjmë të qartë Serbisë këtë gjë”, tha zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Matthew Miller, gjatë një konference për media më 19 dhjetor.

Miller tha se Uashingtoni është duke shqyrtuar gjetjet preliminare të misionit vëzhgues të OSBE-së lidhur me zgjedhjet parlamentare, lokale dhe krahinore.

“Jemi në dijeni se [nga OSBE-ja] deklaruan që zgjedhjet e 17 dhjetorit u ofruan votuesve mundësi, alternativë politike. Por, ata gjithashtu arritën në përfundimin se zgjedhjet ishin të dëmtuara nga mungesa të shumta procedurale, trysnia ndaj punonjësve publikë dhe keqpërdorimi i burimeve publike dhe se këta faktorë, krahas me përparësitë që i gëzon partia në pushtet, krijojnë kushte të padrejta”, tha Miller.

Vëzhgues vendorë dhe ndërkombëtarë kanë thënë se në zgjedhjet e 17 dhjetorit ka pasur parregullsi. Ndërkaq, koalicioni më i madh opozitar, “Serbia kundër dhunës”, ka akuzuar Partinë Progresive Serbe (SNS) të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, për ndryshim të vullnetit të votuesve në Beograd, duke kërkuar anulimin e zgjedhjeve në kryeqytetin serb.

Më herët gjatë 19 dhjetorit edhe zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian kanë shprehur shqetësimet e tyre për parregullsitë zgjedhore të raportuara nga misionet vëzhguese vendore dhe ndërkombëtare.

Përmes një deklarate të përbashkët për media, shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, dhe komisionari për Zgjerim, Oliver Varhelyi, i kërkuan Serbisë që të shqyrtojë në mënyrë transparente të gjitha raportet për parregullsi zgjedhore.

“Me shqetësim ne vijmë në përfundim se procesi zgjedhor ka nevojë për përmirësim dhe reforma të mëtejme, pasi që funksionimi i duhur i institucioneve demokratike të Serbisë është thelbi i procesit të pranimit të Serbisë në BE”, u tha në deklaratën e përbashkët të Borrellit dhe Varheyit.

Sipas rezultateve preliminare të Komisionit Republikan Zgjedhor, lista zgjedhore “Aleksandar Vuçiq – Serbia nuk guxon të ndalet” ka fituar 46.71 për qind, pasur nga lista “Serbia kundër dhunës” me 23.58 për qind.

E treta është radhitur lista “Ivica Daçiq – kryeministër i Serbisë” me 6.57 për qind të votave. Më pas vjen “Shpresa për Serbinë” me 5.03 për qind dhe “Ne – Zëri i Popullit” me 4.69 për qind.

Partia e Vuçiqit, SNS, ka shpallur fitoren në të gjitha nivelet.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG