Ndërlidhjet

Gjermania për zgjedhjet në Serbi: Parregullsi të papranueshme për një vend kandidat të BE-së


Një grua duke votuar në zgjedhjet e mbajtura në Serbi, më 19 dhjetor.
Një grua duke votuar në zgjedhjet e mbajtura në Serbi, më 19 dhjetor.

Ministria e Punëve të Jashtme e Gjermanisë, ka thënë se parregullsitë në zgjedhjet në Serbi, të raportuara nga misionet vëzhguese ndërkombëtare, janë “të papranueshme”, për një shtet kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“Serbia ka votuar, por Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) dhe Zyra për Institucione Demokratike dhe të Drejta të Njeriut (ODIHR) kanë raportuar për abuzime të burimeve publike, frikësim të votuesve dhe raste të blerjes së votave. Kjo është e papranueshme për një shtet që e ka statusin e vendit kandidat për anëtarësim”, ka thënë Ministria gjermane përmes një postimi në X – platformë e njohur më parë si Twitter.

Zyra për Institucione Demokratike dhe të Drejta të Njeriut, ka thënë se zgjedhjet në Serbi janë përcjellë me parregullsi serioze, keqpërdorim të fondeve publike, dominim medial të presidentit të shtetit, Aleksandar Vuçiq, fushata negative dhe përhapje të frikës.

Vëzhguesit ndërkombëtarë dhe misioni i OSBE-së, kanë qenë pjesë e misioneve vëzhguese të zgjedhjeve në Serbi.

“Këto janë probleme serioze që institucionet duhet t’i adresojnë dhe hetojnë seriozisht, në mënyrë që të krijohen kushte për zgjedhje të drejta dhe demokraci më të fortë në Serbi, në të ardhmen”, ka thënë OSBE-ja, në një konferencë për media, të mbajtur më 18 dhjetor.

Sa u përket parregullsive në ditën e zgjedhjeve, ODIHR ka thënë se janë vërejtur votime në grup dhe shkelje të privatësisë së votës.

“Ne kemi parë parregullsi serioze, përfshirë blerje të votës”, kanë thënë përfaqësuesit e vëzhguesve ndërkombëtarë, më 18 dhjetor.

Dyshimeve për parregullsi në zgjedhje u ka bërë jehonë edhe një pjesë e opozitës.

Partitë e koalicionit opozitar “Serbia kundër dhunës”, kanë thënë se në zgjedhjet lokale në Beograd ka pasur shumë parregullsi, dhe se rezultatet nuk e reflektojnë vullnetin e qytetarëve.

Me ftesë të tyre, disa banorë të Beogradit kanë marrë pjesë në një protestë, më 18 dhjetor, duke kërkuar anulimin e zgjedhjeve në kryeqytetin serb.

Partia Përparimtare Serbe (SNS) e presidentit Vuçiq, i ka hedhur poshtë akuzat për rezultati ndryshe prej vullnetit të qytetarëve, dhe parregullsi tjera.

Disa misione vëzhgimi vendore në Serbi, kanë hedhur dyshime edhe për rezultatin e zgjedhjeve parlamentare, duke thënë se janë regjistruar shkelje drastike.

Më 17 dhjetor, Serbia i ka organizuar zgjedhjet parlamentare, lokale dhe krahinore.

Partia e Vuçiqit, SNS, ka shpallur fitore në të gjitha nivelet.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG