Ndërlidhjet

CRTA: Rezultati i zgjedhjeve në Beograd s’e pasqyron vullnetin e qytetarëve


Rasha Nedeljkov, drejtor i vëzhguesit zgjedhor serb, CRTA.
Rasha Nedeljkov, drejtor i vëzhguesit zgjedhor serb, CRTA.

Rezultati i zgjedhjeve lokale në Beograd nuk e pasqyron vullnetin e lirë të votuesve që jetojnë atje, për shkak të shkallës dhe llojit të keqpërdorimeve zgjedhore gjatë votimit në Beograd më 17 dhjetor, vlerësoi të hënën vëzhguesi zgjedhor serb, CRTA.

Rasha Nedeljkov, drejtori i CRTA-s, tha gjatë një konference për media të hënën se misioni vëzhgues është shumë i shqetësuar për cilësinë e zgjedhjeve parlamentare, duke vlerësuar se në ditën e zgjedhjeve janë përshkallëzuar shkeljet drastike të të drejtave të votuesve, ligjit dhe institucioneve.

“Janë shënuar parregullsi në pesë për qind të vendvotimeve për zgjedhjet parlamentare dhe madje në nëntë për qind të vendvotimeve për zgjedhjet e Beogradit, gjë që ka kompromentuar drejtpërdrejt rezultatet e zgjedhjeve në ato vendvotime”, tha Nedeljkov.

Nedeljkov theksoi se në orët e pasdites dhe të mbrëmjes të ditës së zgjedhjeve ka pasur një "tendencë të qartë të rritjes së dukshme të numrit të fletëvotimeve të mbushura paraprakisht, dhe pranisë ilegale të palëve të treta në ato vendvotime, veçanërisht në Beograd".

“Gjithashtu, deri në fund të ditës në Beograd, numri i vendvotimeve ku janë regjistruar raste të nënshkrimit të dikujt në listën e votuesve në vend të një votuesi është trefishuar në krahasim me gjysmën e parë të ditës”, nënvizoi Nedeljkov.

Vendvotimet, shton Nedelkov, janë mbyllur në rrethanat e rritjes shqetësuese të numrit të rasteve të mbajtjes së evidencës paralele brenda dhe jashtë vendvotimit, sjellje të organizuar të votuesve dhe qarkullim të dyshimtë të veturave përreth vendvotimit.

“Në këto kushte, legjitimiteti i çdo palë zgjedhjeve të ardhshme lokale do të jetë po aq i dyshimtë, nëse institucionet nuk angazhohen për të vërtetuar të vërtetën dhe përgjegjësinë për shkeljen dhe anashkalimin e ligjit dhe rrënimin e legjitimitetit të zgjedhjeve”, tha Nedeljkov.

Të dielën, mediet raportuan për autobusë të shumtë që sillnin njerëz nga entiteti i Republika Sërpskas nga Bosnja e Hercegovina. Disa prej tyre, duke mos ditur se po bisedonin me gazetarë, thanë se kishin ardhur për të votuar.

Kur u pyetën se pse nuk e kryejnë detyrën qytetare në vendbanimin e tyre, ata nuk ditën si të përgjigjen.

Rekomandimet e CRTA-së drejtuar autoriteteve në Serbi janë që prokuroria të hetojë në mënyrë të paanshme akuzat për vepra penale në zgjedhje dhe fushatë zgjedhore, si dhe të ndryshojë ligjin për zgjedhjet lokale, në mënyrë që e drejta e votës në zgjedhjet lokale të fitohet vetëm me marrjen e vendbanimit për gjashtë muaj.

Sipas Nedeljkov, është e nevojshme që lista e votuesve të bëhet më transparente, duke publikuar të dhënat për numrin e votuesve për amvisëri.

CRTA rekomandoi gjithashtu që Ministria e Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale të kryejë një auditim të pavarur të listës së zgjedhësve në përputhje me rekomandimet e misionit të ODIHR dhe standardet ndërkombëtare, si dhe që noterëve t'u besohet autoriteti ekskluziv për verifikimin e nënshkrimeve të mbështetësve votues në procesin e kandidimit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG