Ndërlidhjet

SHBA-ja kërkon ndryshimin e qasjes së ofensivës së Izraelit në Gazë


Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin. Fotografi nga arkivi.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin. Fotografi nga arkivi.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, pritet t’i bëjë presion Izraelit që të përfundojë ofensivën e tij të madhe në Gazë gjatë vizitës të hënën, më 18 dhjetor.

Kjo vizitë paraqet testin e fundit nëse SHBA-ja mund të përdorë mbështetjen e saj të palëkundur për Izraelin për të zbutur ndikimin shkatërrues të ofensivës ndaj civilëve palestinezë.

Franca, Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermania, që janë disa prej aleateve më të ngushta të Izraelit, iu bashkuan thirrjes globale për armëpushim gjatë fundjavës dhe protestuesit izraelitë kërkuan që Qeveria të rinisë bisedimet me Hamasin – grupin palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Britania – për të liruar më shumë pengje, pasi tri pengje u vranë gabimisht nga trupat izraelite.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka insistuar që Izraeli do të vazhdojë të luftojë derisa të largojë nga pushteti Hamasin, të shkatërrojë aftësitë e tij ushtarake dhe të kthejë pothuajse 129 pengjet që ky grup radikal mori gjatë sulmit fillestar të 7 tetorit, që nxiti luftën.

SHBA-ja ka vendosur veto ndaj thirrjeve ndërkombëtare për armëpushim dhe i ka dërguar armatim Izraelit, por po ashtu ka kërkuar që Izraeli të ndërmarrë hapa për të shmangur viktimat në mesin e civilëve.

Gjatë dhjetë javëve luftë mes Izraelit dhe Hamasit janë vrarë mbi 18.700 palestinezë dhe Gaza ka pësuar dëme të mëdha.

Rreth 1.9 milion palestinezë – pothuajse 85 për qind e popullsisë së Gazës – janë larguar nga shtëpitë e tyre dhe shumica janë vendosur në strehimore të udhëhequra nga Kombet e Bashkuara dhe kampe të tjera në pjesën jugore të territorit të rrethuar.

Austin, që së bashku me kryetarin e Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralin CQ Brown do të qëndrojnë në Izrael, pritet t’i bëjë presion liderëve izraelitë që të kalojnë në një fazë më precize, me operacione të shënjestruara që do të synonin vrasjen e liderëve të Hamasit, shkatërrimin e tuneleve dhe shpëtimin e pengjeve.

Lufta Izrael-Hamas nisi pas sulmeve befasuese të grupit radikal në jug të Izraelit. Hamasi vrau 1.200 persona, shumica civilë, dhe rrëmbeu afër 240 burra, gra dhe fëmijë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG