Ndërlidhjet

Koreja e Veriut kryen testim të ri raketor


Testimi i një rakete nga Koreja e Veriut. Fotografi ilustruese nga arkivi.
Testimi i një rakete nga Koreja e Veriut. Fotografi ilustruese nga arkivi.

Koreja e Veriut më 18 dhjetor ka kryer testimin e parë në pesë muaj të një rakete balistike ndërkontinentale me rreze të gjatë veprimi, përderisa Pheniani është zotuar se do të përgjigjet fuqishëm kundër Shteteve të Bashkuara.

Ky testim po ashtu vjen në kohën kur Koreja e Jugut po forcon planet për mbrojtje bërthamore.

Qeveria jugkoreane e përshkroi raketën e testuar si armë me lëndë djegëse të ngurta, që me gjasë është referencë për raketën balistike ndërkontinentale, Hwasong-18. Kjo raketë ka shtytës me lëndë djegëse të ngurta dhe kjo bën që lëshimi i saj të jetë më vështirë i detektueshëm, krahasuar me raketa që funksionojnë me lëndë djegëse të lëngshme.

Më herët, lideri verikorean, Kim Jong Un, e kishte cilësuar raketën Hwasong-18 si armën më të fuqishme në forcat e tij bërthamore.

Ushtria e Koresë së Jugut tha se raketa e Veriut fluturoi rreth 1.000 kilometra para se të binte në ujërat midis Gadishullit Korean dhe Japonisë. Ndërkaq, Ministria e Mbrojtjes së Japonisë tha se raketa u ngrit në një lartësi prej 6.000 kilometrash.

Detajet e fluturimit të kësaj rakete përkojnë me testimin e dytë të raketës Hwasong-18 të kryer nga Veriu në korrik. Testimi i parë, ndërkaq, ishte kryer në prill.

Që nga viti 2017, Koreja e Veriut ka kryer një sërë testesh të raketave balistike ndërkontinentale me rreze të gjatë veprimi, në synim që të fitojë aftësinë që të kryejë sulme bërthamore në tokën amerikane. Por, të gjitha testimet e kaluara të raketës Hwasong-18, para testimit të prillit, janë kryer me shtytës me lëndë djegëse të lëngshme, raketa të cilat nuk mund të udhëtojnë për periudha të gjata kohore.

Gjatë një bisede trepalëshe, këshilltari për siguri kombëtare i SHBA-së, Jake Sullivan, dhe homologët e tij nga Koreja e Jugut dhe Japonia dënuan testimin e kryer nga Koreja e Veriut. Shtëpia e Bardhë tha se testimi ishte shkelje “flagrante” e disa rezolutave të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që ndalojnë aktivitetet balistike të Koresë së Veriut.

Testimi i së hënës është i dyti për dy ditë radhazi i kryer nga Koreja e Veriut. Të dielën, Pheniani testoi një raketë balistike me rreze të shkurtër veprimi, që ra në ujërat në lindje të brigjeve të Koresë së Veriut.

Sipas ushtrisë jugkoreane, raketa e lëshuar të dielën fluturoi rreth 570 kilometra. Kjo rreze veprimi, sipas vëzhguesve, është e mjaftueshme që të arrijë te të gjitha vendet kyçe në Korenë e Jugut, përfshirë edhe në instilacionet ushtarake të SHBA-së, nëse raketa do të lëshohej afër kufirit mes Jugut dhe Veriut.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG