Ndërlidhjet

Osmani: Me sulmin në Banjskë, Serbia e dëshmoi se nuk dëshiron normalizim të raporteve


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. 15 dhjetor, 2023.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. 15 dhjetor, 2023.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka cilësuar vitin 2023 si vitin më të vështirë për Kosovën sa i takon aspektit të sigurisë.

Në fjalimin e saj vjetor para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, më 15 dhjetor, Osmani ka thënë se Kosova më 24 shtator u përball me “situatën më të vështirë që nga pavarësimi”.

“[Sulmi i armatosur në] Banjskë ishte vetëm një paralajmërim se Serbia nuk do të heqë dorë nga planet e saj të errëta”, ka deklaruar Osmani.

Gjatë fjalimit, i cili u bojkotua nga deputetët e partive opozitare, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), presidentja ka akuzuar Serbinë se qëllim ka destabilizimin jo vetëm të Kosovës, por të tërë rajonit të Ballkanit Perëndimor.

“Një grup terrorist e paramilitar, i financuar, trajnuar e mbështetur nga Serbia, e mbi të gjitha i urdhëruar nga lidershipi i këtij shteti, kreu akt agresioni me planin e qartë që të aneksohet veriu i Kosovës dhe të shkaktohet destabilizim, jo vetëm i vendit tonë, por i gjithë rajonit”, është shprehur Osmani.

Fjalimi i presidentes Osmani u bojkotua nga deputetët e partive opozitare, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).
Fjalimi i presidentes Osmani u bojkotua nga deputetët e partive opozitare, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

Ajo ka thënë se "Kosova do t'i mbrojë kufijtë e saj në çdo cep dhe me çdo kusht".

Më 24 shtator, një grup i armatosur i serbëve sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë, në veri të Kosovës, dhe vrau rreshterin Afrim Bunjaku. Më pas, në shkëmbimin e zjarrit mbetën të vrarë tre sulmues serbë.

Radoiçiq mori përgjegjësinë për sulmin në Banjskë, duke pohuar se ai “personalisht” e ka organizuar sulmin dhe të gjitha përgatitjet logjistike, dhe se nuk ka informuar askënd për ato plane.

Kosova akuzoi Serbinë se qëndron pas sulmit, gjë që Beogradi zyrtar e mohon.

Presidentja e Kosovës ka thënë se sulmi në Banjskë ka prekur padyshim edhe progresin në dialogun e Brukselit për normalizim të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Ky proces, sipas Osmanit, në vazhdimësi është duke u penguar nga, siç i quajti ajo, obstruksionet e shtetit të Serbisë kundër Kosovës.

Osmani ka kritikuar komunitetin ndërkombëtar për vendosjen e masave sanksionuese ndaj Kosovës.

“Mungesa e balancit dhe qasjes së trajtimit të pabarabartë në dialog i ka bërë dëm jashtëzakonisht të madh këtij procesi. Kosova ende përballet me masa të padrejta dhe joproporcionale, të cilat prekin drejtpërdrejt interesin e qytetarëve të saj", deklaroi Osmani.

Në të njëjtën kohë ishte kritike për mosvendosjen e masave të tilla edhe për shtetin e Serbisë, që, sipas saj, ka qëllim kryesor destabilizimin e Kosovës dhe rajonit.

"Në anën tjetër duke mosvendosur masa ndaj Serbisë për aktin e agresionit të 24 shtatorit dhe për sulmin ndaj ushtarëve të KFOR-it dhe gazetarëve përgjatë majit, për fat të keq, ky shtet vetëm po inkurajohet të vazhdojë të përdorë dhunë”, theksoi Osmani.

Presidentja Osmani tha se “një trajtim i tillë i pabarabartë do të jetë një goditje për vet kredibilitetin e procesit të dialogut dhe pengesa kryesore për progresin e këtij procesi”.

Duke iu referuar draft-statutit për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, Osmani ka thënë se për këtë draft vlerësimin final duhet ta japë Gjykata Kushtetuese e Kosovës.

Por, para se të ndodhë kjo, Osmani ka ftuar të gjitha partitë politike në Kosovë që të ulen së bashku dhe të shkruajnë komente të përbashkëta.

“Qëllimi ynë i përbashkët duhet të jetë që të sigurojmë përputhshmëri të plotë me Kushtetutën e Kosovës dhe të mos lejojmë një pushtet të ndërmjetëm të qeverisjes apo anomali të tjera, të cilat rrezikojnë funksionimin e brendshëm të shtetit tonë”, ka thënë Osmani.

Draft-statuti për Asociacionin u është prezantuar Prishtinës dhe Beogradit në tetor.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, kanë thënë se për ta është i pranueshëm.

Gjërat nuk janë duke ecur përpara, për shkak të kushtëzimeve të palëve.

Ditëve të fundit, drafti u është dorëzuar edhe partive opozitare në Kosovë.

Në disa prononcime për Radion Evropa e Lirë, përfaqësues të tyre kanë shprehur shqetësimin dhe mospajtime me të.

Sipas tyre, draft-statuti, si i tillë, prek karakterin unitar të shtetit dhe krijon paralelizma në pushtete.

Dallimet mes marrëveshjeve dhe draft-statutit për Asociacionin
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:04:22 0:00

Presidentja ka folur edhe për mospajtimet e Kosovës me bashkësinë ndërkombëtare, duke thënë se mospajtimet mund të ndodhin, porse tha se besimi i ndërsjellë nuk duhet të vihet në pikëpyetje.

Presidentja komentoi dhe shtimin e rasteve të dhunës më bazë gjinore në Kosovë duke thënë se gjatë vitit 2023 tragjikisht u vranë disa gra.

“Dhuna me bazë gjinore nuk është thjeshtë një çështje e grave. Është test për njerëzimin e një krizë shoqërore që kërkon angazhimin tonë të palëkundur për ndryshim”, theksoi Osmani.

Dhuna me bazë gjinore, sipas presidentes Osmani, është duhet të shihet si trup kolektiv me të cilin duhet përballur të gjithë.

Në bazë të raportimeve të Policisë së Kosovës dhe Rrjetit të Grave të Kosovës, numri i përgjithshëm i grave të vrara në Kosovë nga viti 2010 deri në nëntor të këtij viti është 55.

Osmani tha se për të parandaluar raste të dhunës me bazë gjinore duhet forcuar çdo hallkë në institucionet e sigurisë dhe ato të drejtësisë.

Në fjalimin vjetor të presidentes morën pjesë edhe ambasadorë të akredituar në Kosovë, përfshirë ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG