Ndërlidhjet

Hovenier: I habitur me kritikat që po bëhen rreth draft-statutit për Asociacionin


Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier.
Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë të mërkurën se është i habitur me komentet dhe kritikat që janë duke u bërë për draft-statutin për themelim të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, të propozuar prej zyrtarëve të lartë perëndimorë.

“Mendoj se fokusi duhet të jetë se si mund të ecë Kosova përpara, duke e adoptuar këtë draft, nëse ka pyetje rreth kushtetutshmërisë, siç e kam thënë edhe më herët, po e them sërish, ekziston vetëm një trup që mund të vendosë se çfarë është në përputhje me Kushtetutën”, ka thënë Hovenier, duke e përmendur se vetëm Gjykata Kushtetuese mund të vendosë për kushtetutshmërinë e drafit të propozuar.

Ai i ka bërë këto deklarata, pas një bashkëbisedimi me studentë në Mitrovicë.

Hovenier u ka thënë mediave se qëndrimi amerikan nuk ka ndryshuar lidhur me Asociacionin.

“SHBA-ja beson se është obligim për Kosovën që ta formojë Asociaicionin e komunave me shumicë serbe. E di që natën e kaluar BE-ja dhe Këshilli i tij e kanë rikthesuar atë pritje, që Qeveria e Kosovës duhet të bëjë lëvizje në atë drejtim. Pozicioni i SHBA-së ka qenë i qartë. Asoacioni duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën aktuale të Kosovës, duhet të jetë në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, nuk duhet të jetë nivel i tretë pushteti, nuk duhet të ketë kompetenca ekzekutive. Nuk e duam edhe një Republika Sërpska. Nuk duam diçka që ka ndikim negativ në funksionim të shtetit të Kosovës”.

Hovenier është pyetur edhe nëse mund të ndryshojë drafti i propozuar, ndonëse ai ka thënë se dokumenti në fjalë reflekton qëndrimin e Perëndimit.

“Kjo është pyetje për [të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav] Lajçakun, mendoj se ai i ka thënë Qeverisë së Kosovës dhe të tjerëve se është i hapur për komente. Mirëpo ekipi i Lajçakut, me mbështetje të SHBA-së, kanë punuar nga afër në këtë draft, për të garantuar se i përmbush të gjitha kushtet që i përmenda. A ka vend për përmirësime? Ndoshta. Por, nuk duhet humbur kohë në specifika për të humbur momentumin, për të ecur përpara me Asociacionin”.

Draft-statuti për Asociacionin u është prezantuar Prishtinës dhe Beogradit në tetor.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, kanë thënë se për ta është i pranueshëm.

Gjërat nuk janë duke ecur përpara, për shkak të kushtëzimeve të palëve.

Në disa takime veç e veç me zyrtarë perëndimorë, në tetor, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se nënshkrimi i marrëveshjeve me vendin fqinj garanton zbatimin e marrëveshjeve, ndërsa presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka insistuar në zbatimin e "asaj që është nënshkruar".

Ditëve të fundit, drafti u është dorëzuar edhe partive opozitare në Kosovë.

Në disa prononcime për Radion Evropa e Lirë, përfaqësues të tyre kanë shprehur shqetësimin dhe mospajtime me të.

Sipas tyre, draft-statuti, si i tillë, prek karakterin unitar të shtetit dhe krijon paralelizma në pushtete.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013, dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.

Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.

Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik.

Rreth udhëzimit administrativ për largim të kryetarit

Ambasadori Hovenier ka thënë se SHBA-ja pret nga Qeveria e Kosovës që të jetë fleksibile dhe të bëjë gjithçka që mundet për të garantuar që banorët, që dëshirojnë të largojnë kryetarin e komunës së tyre, të mund të veprojnë ashtu.

Ai i është referuar mundësisë që ofron një udhëzim administrativ, i hartuar nga pushteti, në shtator të këtij viti, i cili parasheh marrjen e disa hapave për largim të kryetarit.

Ambasadori amerikan ka thënë se udhëzimi është publikuar pas një kërkese direkte të SHBA-së dhe BE-së që Kosova të krijojë sistem që qytetarët të mund të largojnë një kryetar, nëse synojnë diçka të tillë.

Kryetarët e katër komunave me shumicë serbe në Kosovë – Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potokut – kundërshtojnë kryetarët e tyre shqiptarë në këto komuna, të cilët i kanë fituar zgjedhjet e prillit të vitit 2023, të bojkotuara nga banorët serbë.

“SHBA-ja e ka përsëritur se ndonëse katër kryetarët janë zgjedhur në mënyrë ligjore, askush nuk duhet të jetë i kënaqur me zgjedhjet që kanë pasur dalje më pak se 4 për qind të numrit total të qytetarëve të regjistruar”, ka thënë Hovenier.

Hovenier ka thënë se SHBA-ja do të shqetësohet nëse nuk do të ketë fleksibilitet të pushtetit në këtë drejtim.

“Qytetarët gëzojnë të drejtën demokratike, nëse dëshirojnë të nisin një proces për largim të kryetarëve, janë disa kërkesa që të arrihet deri aty, mirëpo presim që pushteti qendror të bëjë gjithçka që mundet, jetë shumë fleksibil, në përputhje me ligjin, që të garantojë që qytetarët mund ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre”.

Ditë më parë, qytetarët e katër komunave kanë nisur kërkesë te kryetarët e kuvendeve komunale – siç e parasheh udhëzimi – për largim të kryetarëve.

Kryetari i Kuvendit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, Nexhad Uglanin u ka thënë mediave lokale në gjuhën serbe se e ka refuzuar kërkesën e qytetarëve të komunës “për shkak të arsyeve formale".

Në deklarimin e tij është thënë se grupi i qytetarëve nuk ka vepruar në pajtim me udhëzimin administrativ dhe se ai nuk mundet "të veprojë dhe të konsiderojë apo të regjistrojë grupin si person të autorizuar".

Hapat drejt zgjedhjeve, sipas udhëzimit

Udhëzimi administrativ për largim të kryetarit të komunës, i lëshuar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, i parasheh këta hapa:

  • Kërkesa duhet të bëhet nga i ashtuquajturi grup nismëtar, i cili përbëhet nga tre apo më shumë persona me të drejtë vote në komunën përkatëse.
  • Ky grup e njofton kryesuesin e kuvendit komunal për kërkesën në fjalë, dhe pajisjet me dokumentacionin e nevojshëm.
  • Më pas, grupit i duhet të mbledhë një minimum prej 20 për qind të nënshkrimeve të qytetarëve me të drejtë vote, me kërkesë për largim të kryetarit.
  • Lista me nënshkrime duhet dërguar kryesuesit të kuvendit komunal, e cila më vonë përfundon në Komisionin Qendror Zgjedhor.
  • Nëse KQZ-ja vlerëson se kushtet janë përmbushur, organizohen zgjedhjet për largimin e kryetarit.
  • Nëse në ato zgjedhje sigurohen 50 për qind plus 1 votë për largim të kryetarit, ai largohet prej funksionit dhe organizohen zgjedhje të reja. Në rast të kundërt, iniciativa dështon. Ajo do të mund të përsëritej vetëm pas një viti.

Duke u bazuar në listën përfundimtare të votuesve për zgjedhjet e prillit, i bie që, për ta çuar peticionin përpara, në Mitrovicë të Veriut duhen 3.600 nënshkrime, në Leposaviq 2.600 nënshkrime, në Zveçan 1.400 nënshkrime dhe në Zubin Potok 1.300 nënshkrime.
Sipas Ligjit për vetëqeverisje lokale, zgjedhjet e parakohshme për kryetarë mund të mbahen në tri raste:

  • nëse kryetari aktual jep dorëheqje
  • nëse qytetarët kërkojnë shkarkimin e tij përmes peticionit, dhe
  • nëse kryetari i komunës nuk paraqitet në vendin e punës më shumë se një muaj, pa arsye.

Rreth fletarrestimit për Radoiçiqin

Përgjatë adresimit para gazetarëve, Hovenier është pyetur edhe nëse ekzistojnë mundësi që Serbia të arrestojë Millan Radoiçiqin, pas fletarrestimit të lëshuar për të nga Agjencia Ndërkombëtare e Policisë -INTERPOL.

Radoiçiq, ish-nënkryetari i Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – e ka marrë përgjegjësinë për sulmet e një grupi të armatosur kundër Policisë së Kosovë, në Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator.

Si pasojë e sulmeve është vrarë zyrtari policor i Kosovës, Afrim Bunjaku.

Fletarrestimi për Radoiçiqin është lëshuar në dhjetor me ndërmjetësimin e misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK, në bazë të kërkesës së Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës.

Meqë Kosova nuk është anëtare e INTERPOL-it, fletarrestimet ndërkombëtare lëshohen në këtë mënyrë.

“Fletarrestimi i lëshuar nga INTERPOL-i, nënkupton se kërkohet nga vendet që potencialisht ta arrestojnë dikë, bazuar në procesin ligjor të një vendi. Mirëpo disa herë, qeveritë kanë marrë vendime që të mos veprojnë në bazë të fletarrestimit. Duhet të ekzistojnë marrëveshje ekstradimi dhe kushtet tjera".

Radoiçiq është marrë në pyetje nga Prokuroria e Serbisë në muajin tetor dhe është akuzuar për kryerje të disa veprave përfshirë trafikim armësh dhe shkaktim të rrezikut të përgjithshëm.

Megjithatë, gjykata në Beograd e ka liruar nga paraburgimi dhe ia ka konfiskuar dokumentet.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG